Pse me hidhërim?!

Husamedin Abazi

Se kuptoj përse në rastet mortore në Shqipëri ende përdoret shprehja: “Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për vdekjen e të dashurit tonë…”
Tash më nuk jemi në komunizëm, dhe me gjithë pikëllimin dhe dhimbjen që ndjejmë për vdekjen e të dashurve tanë, nuk do duhej përdorur shprehja me hidhërim (sidomos ne muslimanët, sepse me këtë shprehje me një mënyrë apo tjetër shprehim një lloj mospajtimi me Caktimin e Zotit fuqiplotë), por shprehjet me pikëllim, me dhimbje, etj. Është plotësisht normale të pikëllohemi e të mërzitemi për vdekjen e të dashurve tanë, sepse edhe i dashuri ynë Muhammedi a.s është pikëlluar në këso raste, por është shprehur: “Zemra pikëllohet, syri loton, por nuk themi pos atë që Allahu është i kënaqur: Ne jemi të Allahut dhe vetëm tek Ai do kthehemi”, por nuk është aspak normale që të hidhërohemi. Me kë po hidhërohemi ne që personi po vdesë? A po hidhërohemi me sëmundjen? Epo, sëmundjes nuk ke çfarë i bën edhe nëse hidherohesh me të. Ajo e bën të vetën. A po hidhërohemi me vdekjën? Vdekja është abstrakte, sado të hidhërohemi me të, nuk mund as ta parandjejmë në asnjë rrethanë, asnjëherë, kurrë. A po hidhërohemi me aksidentin, me ngatërresën që dërgon të vdekja, me luftërat e konfliktet në të cilat vdesin aq njerëz. Ne këto i shkaktojmë vetë. A të hidhërohemi me vetën pra? Në fund, vdekja ndodhi si ndodhi është caktim i Zotit. (Zoti mos e bëftë) A të hidhërohemi me Zotin? Një njeri normal psiqikisht dhe i vetëdijshëm, nuk bije në analiza të tilla fajësimi. Vdekja është fakt i pakthyeshëm, sipas disave dhurata më e madhe për njerëzimin. Paramendo një botë ku gjithçka do zgjaste pafundësisht! Kush do dëshironte të jetonte në të? Mos të harrojmë që ka njerëz që janë në gjendje të atillë sa luten për vdekje e nuk u vije. Por, vdekja as nuk urrehet, as nuk lutet për të që të vije. Vdekja pritet me dinjitet dhe pajtohemi me caktimin e Zotit.

P.s Do dëshiroja mendimin e vëllezërve dhe motrave tona nga Shqipëria rreth kësaj teme?! Respekt!

Nga: Hoxhë Husamedin Abazi