Pse nuk lexojmë?

Latif Mustafa

Sot ka një garë të madhe midis popujve që janë vazhdimësi e perandorive dhe qytetërime të mëdha për ta dominuar botën dhe natyrën. Kjo garë, apo të qenit brenda kësaj gare dhe të triumfosh, është krejtësisht e pamundur pa lexim, hulumtim dhe dedikim të plotë ndaj njohjeve njerëzore. E gjithë kjo vjen si rezultat i leximit

Nga Latif MUSTAFA

“Pse nuk lexojmë?” – është njëra nga ato pyetjet më standarte dhe të shtruara me sigurinë më të lartë. Mos leximi përbën një shqetësim të madh në shoqëri edhe pse nuk kemi hulumtime mbi nivelin e lexueshmërisë në vend. Edhe ato pak hulumtime që i kemi janë më shumë përshtypje se sa matës kualitativ siç janë mirëfilli edhe rezultatet e testit PISA. Përshtypjen e përgjithshme se nuk lexohet e krijojmë nga ambientet tona që zakonisht janë pa libra, bisedat tona të përditshme ku nuk i referohet librit, si dhe niveli i ulët intelektual, shkollor e studentor tek shtresat e të rinjve dhe pedagogët e tyre.

Personalisht, të mos lexosh, nuk mendoj që është ndonjëfar tragjedie. Historia e shfaqjes së dijeve njerëzore fillon me dëgjimin, gjegjësisht, dëgjimin e këndimit, mësimit përmendësh dhe mbartjes së kësaj dijeje nëpër gjenerata në këtë formë. Paraqitja e alfabetit, në Egjiptin e vjetër – përmes disa simboleve specifike që me kohë do të shndërrohen në shkronja – shënojnë fillet e leximit. Leximi, përkundër dëgjimit i cili në vete është monocentrist dhe kufizues, ai i jep mundësinë e shumë kuptimshmërisë, nivelin e shtrirjes së imazheve semantike dhe zhvillimin e pluralizmit hermeneutikë në kalendarin historik dhe hartën e gjeografive botërore. Gjersa dëgjimi të ka kufizuar me një kuptim të caktuar të vargut apo tekstit, leximi të shumëfishon këtë mundësi dhe shpeshherë shkruesi dhe lexuesi i tekstit bëhen bashkrues të tekstit.

Leximi është çelnajë. Përmes leximit njeriu çel qenien e tij dhe e bën të vetëzbuleshme për veten dhe të tjerët. Leximi, para së gjithash, është një proces i rrokjes, zbërthimit, kombinimit të imazheve semiotike. Më tepër se një fenomen kognitiv është fenomen estetik. Krahasuar me operimin e numrave, gjë që edhe ato janë shënjues njësish njashtu siç fjalët shënjojnë objekte dhe kuptime abstrakte, leximi të mundëson depërtimin dhe zhvendosjen e qenies nëpër botë të ndryshme. Përmes leximit njeriu përpiqet t’i hulumtojë kufijtë e imagjinatës së tjetrit; testimin e guximit të tij, për t’u shtrirë në skajet e imagjinatës së tjetrit. Përmes shtrirjes nëpër kufijtë e të tjerëve ai, lexuesi, arrin të zhvendos demarkacionet e veta dhe të thellojë vëllimin e njohjes së vetes së tij. Duke e njohur veten përpiqet të krijojë relacion edhe me të tjerët qoftë në botën e vet që e rrethon, qoftë të tjerët në botën e librave.

Leximi, përpos përjetimit estetik, mundëson edhe sfidimin kognitiv të individit. Përjetimi estetik nuk mund të ndjehet nëse nuk njihet. Shpërblimi dyfishtë i një përjetimi është njohja dhe definimi i këtij përjetimi. E ky proces në vete është kognitiv apo i arsyeshëm që e angazhon arsyen kalkuluese. Nëse ky proces arrin edhe të artikulohet, fill pas përjetimit dhe njohjes atëherë kemi të bëjmë me angazhimin intelektual të subjektit si qenie që njeh. Etapa e fundit e këtij procesi është veprimi apo praxis-i. Kjo etapë ngërthen përfshirjen e përjetimit, njohjes, artikulimit në një proces krejtësisht etik. Të vepruarit në saje të një ideje të zbuluar përmes leximit është shtrirja e nivelit më të lartë të qenies.

Pse nuk lexojmë? Mbetet akoma pyetja kryesore e këtij shkrimi. Unë nuk them që shoqëria jonë nuk lexon. Është relative. Nga një përvojë e imja një vjeçare në librari kam parë se njerëzit lexojnë. Madje të habisin se çfarë lexojnë. Po siç thash, edhe nëse nuk lexohet, nuk më duket tragjike. Pse? Sepse leximi nuk e shpien individin drejt lumturisë. Leximi nuk na bën të lumtur. Lumturia fshihet në gjërat e thjeshta dhe aty ku ne ndjejmë paqen. Leximi, në të kundërtën, trazon dhe zhvendos qenien nga qetësia. Leximi e bën njeriun më vigjilent për realitetin e pështirë dhe brutal. Kjo vigjilencë, më pastaj, mund të kthehet në një vetëkënaqësi të përkohshme për njohjen e kësaj të vërtete. Mos leximi madje mund të jetë edhe një manifestim i egoizmit të atyre që lexojnë. Ngaqë këta të fundit rrinë të shqetësuar, me brengë dhe dert për realitetin, të tjerët ata që i ndjekin pasionet dhe kënaqësitë notojnë mbi qetësinë dhe injorancën e tyre pa u shqetësuar fare për realitetin. Mbase! Leximi është një proces i dhembshëm. Ai i përkujton lexuesit injorancën e vet dhe fytyrën e tij të vërtetë. Të shkërmoq dhe plandos për toke gjithë krenarinë tënde të rrejshme dhe aurën e krijuar ndër vite. Sa herë që lexon përsëritet e njëjta frazë ndër vete: Sa injorant që jam, pse nuk e kam lexuar këtë libër më herët. Të kap një ndjenjë e thellë pendimi dhe vetëakuzimi. Por megjithatë në fund fare prapë mendon se ti vlen diçka, je diçka më tepër. Nuk je një hiç!

Nuk duhet harruar se leximi është thelbi i progresit. Progresi është arma e vetme e mbijetesës njerëzore karshi natyrës së ashpër. Qytetërimi është e kundërta natyrës. Qytetërimi është kundërpërgjigje dhe mbajtje në zgafelle të pasioneve dhe ndërtimit të mureve, zhvillimit të shkencës për ta mbajtur gjallë qenien njerëzore. E gjithë kjo nuk mund të arrihet pa lexim. Sot ka një garë të madhe midis popujve që janë vazhdimësi e perandorive dhe qytetërime të mëdha për ta dominuar botën dhe natyrën. Kjo garë, apo të qenit brenda kësaj gare dhe të triumfosh, është krejtësisht e pamundur pa lexim, hulumtim dhe dedikim të plotë ndaj njohjeve njerëzore. E gjithë kjo vjen si rezultat i leximit. Si komb që përpiqemi të jemi pjesë e pandashme e qytetërimit perëndimor, thelbi i të cilit është shkenca dhe progresi, nuk mund të përputhemi në mozaikun e tërësishëm nëse në nivel kombëtar nuk kemi shkallë të lartë lexueshmërie.

Sa herë që flas për leximin, motivohem nga një thënie e një autori të vjetër, i cili kujton vitet e studimeve të tij dhe tregon për shokun e tij: “Unë lexoja libra, kurse ai lexonte zemra”. Por unë them që leximi i zemrave, sado që është një shprehje simbolike, nuk mund të arrihet pa leximin e librave, ndjesinë e faqeve të tij dhe aromën e kohës që shpërfaqet në çdo kënd, cep të kopertinës së tij. Leximi mbase nuk do të na bëjë më të lumtur se ç’jemi apo ç’ishim por vigjilenca dhe esëllia e dhuruar do të jenë lajtmotivi i një jete më pak të dhembshme. /koha.mk