Pyetja: Jam diplomuar në Universitetin Ekonomik, dega e marketingut dhe kur fillova të kërkoj për një punë, nuk arrita të gjej tjetër përveçse një vend pune në një bankë. Por unë e di se gjenden disa veprime të bankës, që funksionojnë përmes kamatës (fajdes) dhe se feja e ka mallkuar kontraktuesin e kamatës. A ta pranoj këtë punë apo ta refuzoj atë, duke iu bërë me dije se ajo është burim jetese për mua?
Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin atë, kurse më tej:
Sistemi ekonomik në Islam ngrihet mbi bazën e luftimit të kamatës. Islami e konsideron kamatën si një prej mëkateve të mëdha, që asgjësojnë bereqetin nga individi dhe shoqëria, pasojë e domosdoshme e të cilave është dëmtimi dhe mjerimi në dynja dhe Amshim, gjë për të cilën flet Kurani dhe Suneti (Tradita Profetike), si dhe gëzon Ixhmanë (konsensusin) e të gjithë umetit musliman. Për këtë të mjafton të lexosh fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu e shkërmon kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar”[1] dhe “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij…”[2]
Ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse shfaqet prostitucioni dhe kamata në një vendbanim, atëherë ata ia kanë lejuar vetes dënimin e Allahut”[3].
Islami me ligjet dhe orientimet e tij e urdhëron muslimanin, që t’i kundërvihet mëkatit dhe po qe se personi nuk mundet ta privojë atë me dorën e tij – së paku – të mos bëhet pjesë në to përmes fjalës dhe as veprës. Pra Islami e ndalon çdo trajtë prej trajtave të bashkëpunimit në mëkat dhe agresion, ashtu që çdo person që kontribuon për keq, e konsideron pjesëtar në mëkatin ku ai ka kontribuuar, sido që të jetë kontributi i tij me mund fizik, orientues, praktik ose teorik.
Lidhur me krimin e vrasjes i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Nëse banorët e qiellit dhe të tokës do merrnin pjesë në gjakderdhjen e një besimtari, Allahu do t’i gremiste ata në zjarr”[4].
Lidhur me alkoolin i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Allahu e ka mallkuar alkoolin, pirësin e tij, servirësin e tij, shtrydhësin (përpunuesin) e tij, kontraktuesin e shtrydhjes së tij, transportuesin e tij dhe porositësin e tij”[5].
Për krimin e ryshfetit (korrupsionit) i Dërguari i Allahut (a.s) deklaron, se është i mallkuar: “Ai që e jep rryshfetin, ai që e merr rryshfetin dhe ai që ndërmjetëson në rryshfet”[6].
Kurse në lidhje me kamatën, Xhabir ibn Abdullahu (r.a) transmeton, se i Dërguari i Allahut (a.s) e ka mallkuar marrësin e kamatës, dhënësin e saj dhe dëshmitarët e saj, madje ka thënë: “Ata janë njëlloj”[7]. Ndërsa Ibn Mesudi (r.a) transmeton, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka mallkuar marrësin e kamatës, dhënësin e saj, dëshmitarët e saj dhe nënshkruesin (kontraktuesin) e saj”[8].
Nesai’u e transmeton hadithin në fjalë me tekstin: “Marrësi i kamatës, dhënësi i saj dhe dëshmitarët – nëse janë të vetëdijshëm (se kanë të bëjnë me kamatë) – janë të mallkuar nga gjuha e Muhamedit [a.s.] deri në Ditën e Gjykimit”.
Këto hadithe të sakta dhe të qarta i bëjnë të vuajnë ndërgjegjet e muslimanëve të përkushtuar, të cilët punojnë nëpër banka si dhe në kompani, biznesi i të cilave nuk i shpëton pjesëmarrjes në kontraktimin e kamatës dhe kredive kamatore (fajdeve).
Por situata e kamatës tanimë nuk është se ka të bëjë thjesht me nëpunësin e bankës apo kontraktuesin e kompanisë, por ajo ka hyrë në tërë strukturën e sistemit tonë ekonomik dhe financiar. Sprova e kamatës tanimë është një sprovë, që i ka përfshirë të gjithë, ashtu siç profetizoi i Dërguari i Allahut: “Njerëzve do t’iu vijë një kohë, kur asnjë prej tyre nuk do mbetet pa e ngrënë kamatën. E edhe nëse nuk e han atë, pluhuri i saj ka për ta qëlluar”[9].
Këtë situatë nuk është se do e zbusë apo ndryshojë mospranimi i personit që të fillojë një punë në bankë apo kompani biznesi, por ndryshimi real i saj vjen duke e bindur popullin (i cili tanimë e ka vetë në dorë çështjen dhe vendimmarrjen) mbi abuzimin dhe shthurjen e këtij sistemi (financiar) të implementuar nga shfrytëzimi kapitalist. Gjithashtu nevojitet të përpiqemi, që transformimin që duam të bëjmë, ta kryejmë në një formë të përshkallëzuar dhe të matur, me qëllim që mos biem në një shok ekonomik që do t’u shkaktonte disfata vendeve dhe popujve (tanë). Islami nuk e refuzon përshkallëzimin në kurimin e këtij problemi serioz, prandaj Islami ka ecur me ligjin e përshkallëzimit për ndalimin e kamatës, alkoolit, etj…
Rëndësia qëndron tek ndërgjegjësimi, vullneti dhe vendosmëria e sinqertë, pasi këto faktorë e qartësojnë vizionin.
Çdo musliman që është xheloz për fenë e tij, duhet të punojë me zemrën, gjuhën, mundin dhe mjetet ligjore që t`i mundësojë sistemin tonë ekonomik të ketë progres, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me mësimet e Islamit; gjë e cila nuk është e pamundur. Madje lidhur me aplikimin e kamatës bankare, ne gjejmë një numër të konsiderueshëm shtetesh, të cilët nuk i referohen sistemit të kamatës…
Ndërkaq, nëse ne e ndalojmë çdo musliman që të punojë në bankë, për pasojë jomuslimanët, jehuditë dhe të tjerët do dominonin plotësisht bizneset, punët dhe strukturat e bankave; gjë që për Islamin dhe muslimanët do kishte pasojat përkatëse.
Kësaj shtoi faktin, se veprimet në banka nuk janë që të gjitha me kamatë, madje të pakta janë ato që janë me kamatë, ndërsa shumica e këtyre veprimeve janë të legjitimuara, janë të mira dhe nuk përbëjnë haram, si për shembull komisionet bankare, depozitimet etj. Nuk prish punë për muslimanin ta pranojë atë punë (punën në bankë) – paçka se ajo nuk e kënaq – dhe këtë ta bëjë me qëllim që ta transformojë statusin financiar aktual, në një status që e kënaq fenë dhe ndërgjegjen e tij, me kusht që gjatë performimit të kësaj pune ai ta përsosë punën e tij, ta kryejë më së miri detyrën kundrejt vetes së tij, Zotit të tij dhe kombit të tij, në pritje që të shpërblehet për synimin e tij të mirë në fjalë, në përputhej me hadithin: “Çdo personi i takon shpërblimi për punën e tij, në varësi të synimit që ai ka”.
Përpara se ta përfundonim këtë fetva, nuk duhet të harrojmë domosdoshmërinë e jetës, nënkuptoj nevojën për të jetuar që – tek fukahatë (dijetarët e normave juridike islame) – merr gradën e domosdoshmërisë. Nevoja jetike është ajo që e detyron personin e kësaj pyetje, që ta pranojë këtë punë si mjet jetese dhe ushqyerje, pasi Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu jua ka ndaluar vetëm ngordhësirën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të Allahut. E kush shtrëngohet (t’i përdorë këto dhe të tjera gjëra të ndaluara si këto) duke mos pasur për qëllim shijen (duke mos e synuar këtë në vetvete) dhe duke mos e tepruar (kapërcyer cakun e domosdoshmërisë), për të (kjo gjë) nuk është mëkat. Vërtet Allahu falë, është mëshirues”[10].
Allahu është më i dijshmi.
Fetvadhënësi: Doktor Jusuf Kardavi
[1] – Sure Bekare: 276.
[2] – Sure Bekare: 278 – 279.
[3] – Hakimi. Zinxhiri i transmetimit është Sahih.
[4] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.
[5] – Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh.
[6] – Ibn Hibani dhe Hakimi.
[7] – Muslimi.
[8] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.
[9] – Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh.
[10] – Sure Bekare: 173.








