Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “HIDRODRINI” ka njoftuar se do të mbajë grevën paralajmëruese më 17 dhjetor 2025, nga ora 09:00 deri në 10:00, në objektin e zyrave qendrore të ndërmarrjes në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.
Sipas njoftimit thuhet se vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Grevës më 11 dhjetor 2025 dhe, sipas sindikatës, vjen si pasojë e mungesës së përgjigjeve zyrtare nga menaxhmenti i kompanisë dhe institucionet përgjegjëse, pavarësisht shkresave dhe negociatave të zhvilluara deri më tani.
Punëtorët kërkojnë rritje lineare të pagave në vlerë prej 110 euro për të gjithë punonjësit, barazim të shujtës së mëngjesit me ndërmarrjet e tjera të sektorit në vlerë prej 5 euro, si dhe pagesën e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit në KRU “HIDRODRINI”.
Nga Shoqata Sindikale kanë paralajmëruar se, nëse pas grevës paralajmëruese nuk ndërmerren hapa konkretë për adresimin e kërkesave të tyre, veprimet sindikale do të përshkallëzohen deri në grevë të përgjithshme.
Sindika ka theksuar se mbetet e hapur për dialog, por e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.








