Më thuaj për çfarë po mendon, të të them kush je?!
A je i zënë me mbledhjen e të hollave, zotërimin e pasurive të patundshme, me akumulimin e aksioneve dhe obligacioneve? Apo je i zënë me ngritjet në detyrë, akumulimin e pushtetit dhe lëvizjet nga rrethi i shërbëtorëve në atë të sekretarëve? Apo i gjithë interesi jot kufizohet nga gratë, tryezat dhe ngopja e shqisave? Apo i gjithë qëllimi yt është zotërimi i fuqisë, dominimit, pasurisë dhe i gjithë kënaqësive?
Nëse ky është qëllimi jot, atëherë ti nuk je gjë tjetër më shumë se një skllav i zotëruar nga dëshirat dhe epshet, rob i dëshirave që nuk ngopen kurrë.
Kuptimi i vetëm i sovranitetit është të jesh zotëria i vetes përpara se të mundohesh të sundosh të tjerët. Të jesh pasuri e mbretërisë së vetes tënde dhe të çlirohesh nga zinxhirët e lakmisë dhe frerët e epsheve.
Zotëruesi i frerëve të Ego-s së tij, i çliruari nga lakmia, kapriçot dhe tekat e saj, nuk e ka mendjen tek gratë, dollia, hektarët, toka, ndërtesat, postet, apo sekretaret.
Njeriu i vërtetë nuk e ka mendjen tek bota e pushtuar nga një grumbull njerëzish.
Ai nuk mund të jetë zotëri duke qenë i skllavëruar. Ai nuk e arrin sovranitetin nëpërmjet skllavërisë. As nuk përulet siç përulet njeriu i pavlerë, që jargavitet përpara një llokme, një këmbe të zhveshur apo një posti vakant. Kjo është rruga e atij që është në zbritje, jo e që punon për t’u ngjitur.
Të tillët janë si banorët e bodrumeve edhe nëse emrat e tyre janë pashallarë e bejlerë; edhe nëse i quajnë njerëz të lartë dhe të nderuar.
Krenaria e vërtetë është ajo e ruajtjes së veten nga përulja dhe kërkesa.
Mund të jesh njeri i thjeshtë, as bej e as pasha, as njeri me pozitë, paç shkas Ti je një zotëri i vërtetë. Ti zotëron krenarinë e mbretërve dhe madhështinë e sulltanëve, sepse ke arritur të mposhtësh mbretërinë e Ego-s. Në atë moment, Allahu xh.sh do të japi pushtet mbi njerëzit, do të ofrojë spektrin e dashurisë mbi zemrat e tyre.
Hidhja sytë Gandit me rrobat të grisura dhe i thjeshtë në vetvete,… sa arriti pushteti i tij?!
I kërcënonte me grevë, menjëherë mblidhej Këshilli Britanik i Përgjithshëm prej frikës, sikur ndonjë bombë me sahat do të binte mbi Londër. Pas një fjale të thënë, mblidheshin dyzetë milion indianë, si me magji.
Kjo është fuqia e vërtetë.
Kjo është pasuria e vërtetë që nuk shteron asnjëherë.
Gratë, pallatet, thesaret, pasuritë dhe ndërtesat janë të destinuara të përfundojnë, të zhduken. Nuk ke për t’i marrë me vete në varr, ato do të kalojnë tek trashëgimtarët…e më pas tek trashëgimtarët e trashëgimtarëve, derisa të kthehen në mbeturina, me kohën.
Kurse dashuria e milionave do të të shoqërojë në varrin tënd, për të mbetur simbol i emrit tënd deri në fund të kohës, siç përhapen emocionet e bukura sapo përmendet emri i Gandit.
Pasuria e vërtetë është të jesh i pavarur.
Pasuria e vërtetë është, mos të të zotërojë ty askush, të mos të të imponohet ty dëshira e as të të përdori për dëshirat e veta askush.
Pushteti i vërtetë është të fitosh karatët e dashurisë në republikën e zemrave, çdo ditë.
Mos e harro! Ata që zotërojnë tokën, ajo i zotëron në fund. Ata që kanë miliona, përdoren nga miliona. Më pas, disa i bën skllevër për të shtuar milionat, më pas i vret me stres dhe presion. Në fund nuk marrin as edhe një grimcë me vete.
Më beso! Ata janë varfanjakët e vërtetë. /ao