Putin në takim me diplomatin e lartë kinez: Lidhjet tona janë të rëndësishme për stabilitetin ndërkombëtar

Vladimir Putin, është takuar me diplomatin e lartë kinez, Wang Yi

Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar me diplomatin e lartë kinez, Wang Yi dhe ka deklaruar se marrëdhëniet ruso-kineze janë të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit global, transmeton Anadolu.

Wang qëndron për vizitë në Moskë, ndalesa e fundit në kuadër të turneut të tij në Evropë që nga 14 shkurti.

Duke folur në një takim në Moskë me diplomatin Wang, Putin tha se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk u përmirësuan pas rënies së sistemit bipolar (rënies së Bashkimit Sovjetik), por ato u bënë më të rrezikshme.

“Në këtë drejtim, bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse, siç e kemi theksuar vazhdimisht, është shumë i rëndësishëm për stabilizimin e situatës ndërkombëtare”, tha Putin.

Putin kërkoi nga diplomati kinez t’i përcjellë përshëndetjet e tij më të mira presidentit kinez, Xi Jinping dhe tha se ftesa për të vizituar Rusinë mbetet efektive. Putin dhe Xi u takuan në Kinë vitin e kaluar para Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe njoftuan një partneritet “pa kufij”.

Putin kujtoi se Rusia dhe Kina vendosën një objektiv për arritjen e një qarkullimi tregtar vjetor prej 200 miliardë dollarësh deri në vitin 2024 dhe se shifra vitin e kaluar arriti në 185 miliardë dollarë.

Wang, nga ana e tij, tha se marrëdhëniet ruso-kineze i rezistuan presionit të komunitetit ndërkombëtar në një “situatë ndërkombëtare shumë komplekse dhe të paqëndrueshme”. Ai shtoi se lidhjet po zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.

Ai kërkoi nga presidenti rus të bëjë përpjekje të përbashkëta për t’iu përgjigjur krizave dhe të përdorë mundësitë për të thelluar bashkëpunimin.

“Marrëdhëniet tona nuk drejtohen nga vendet e treta dhe natyrisht nuk i nënshtrohen presionit nga palët e treta, sepse ne kemi një themel shumë të fortë, si nga ekonomia, politika po kultura”, theksoi Wang.

Wang, vizita e të cilit vjen vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar, më herët u prit në takim edhe nga ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov.

Wang ishte ministër i Punëve të Jashtme i Kinës, ndërsa aktualisht është drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste Kineze.

Kina nuk e ka mbështetur drejtpërdrejt “operacionin special ushtarak” të Rusisë, por ka dënuar sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës.