Putin: ShBA dhe NATO duhet të mbartin koston e rindërtimit të Afganistanit

Presidenti rus Vladimir Putin u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s të mbartin koston e rindërtimit të Afganistanit.

Putin, i cili është në izolim si masë kundër COVID-19, mori pjesë në dy samitet e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të mbajtur në kryeqytetin e Taxhikistanit Dushanbe, përmes një video-lidhjeje, shkruan Anadolu.

Duke shprehur mbështetjen për kontaktet midis SCO-së dhe Afganistanit, Putin theksoi se organizata duhet të dyfishojë përpjekjet për të parandaluar kërcënimet e terrorizmit, trafikut të drogës dhe ekstremizmit fetar me origjinë nga Afganistani.

Ai gjithashtu shtoi se SHBA-ja dhe NATO, për të cilat tha se ishin kryesisht përgjegjëse për situatën në Afganistan, duhet të mbartin koston e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta.

“Ne mbështesim vendimin për fillimin e procesit të anëtarësimit të Iranit në SCO, i cili është paraqitur për miratim në Këshillin e Krerëve të Shteteve të SCO-së”, shtoi Putin.

Duke shprehur shqetësim serioz mbi situatën në Luginën Panjshir dhe përgjithësisht zhvillimet e fundit në Afganistan, ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë midis forcave të armatosura të vendeve anëtare të SCO-së.

Ndërkohë, Presidenti i Kazakistanit Qasym-Zhomart Toqaev propozoi krijimin e një qendre në provincën juglindore Almaty për ndihmë ndërkombëtare për Afganistanin.

Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoev, vendi i të cilit gjithashtu kufizohet me Afganistanin, bëri thirrje për zhbllokimin e aseteve të vendit që mbahen në bankat e huaja për të lehtësuar dialogun me qeverinë e udhëhequr nga talibanët në Kabul.

Duke vlerësuar kontributin e SCO-së në sigurinë rajonale që nga formimi i tij, Presidenti i Kirgistanit Sadyr Japarov bëri thirrje për krijimin e një rripi sigurie në rajon.