Putin: Shkëmbimi tregtar Rusi-Kinë do të arrijë në 200 miliardë dollarë më herët se sa ishte planifikuar

Rusia dhe Kina do të arrijnë një shkëmbim tregtar prej 200 miliardë dollarësh më herët se sa ishte planifikuar, tha presidenti rus Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një video-konferencë me presidentin kinez Xi Jinping, Putin tha se Rusia dhe Kina arritën të sigurojnë rritje rekord të shkëmbimit tregtar pavarësisht kushteve të pafavorshme të tregut.

Ai tha se këtë vit Rusia u bë një nga liderët e eksportit të naftës në Kinë, e dyta në furnizimet me gaz përmes tubacioneve dhe e katërta në dërgesat e LNG-së.

Putin tha se tensionet gjeopolitike rritën rolin e partneritetit ruso-kinez si faktor stabilizues.

“Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës janë më të mirat në histori, ato u rezistojnë të gjitha sfidave”, theksoi ai.

Putin vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ushtarak ruso-kinez, duke thënë se të dy vendet do ta forcojnë më tej bashkëpunimin në këtë fushë, pasi “bashkëpunimi midis Rusisë dhe Kinës në arenën ndërkombëtare shërben për të formuar një rend të drejtë botëror”.

Putin gjithashtu ftoi Xi në Rusi për një vizitë shtetërore pranverën e ardhshme.

Nga ana e tij, Xi tha se Pekini është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin strategjik me Rusinë dhe të jetë partner global “për të mirën e popujve të dy vendeve dhe në interes të stabilitetit global”.

“Përballë një situate të vështirë, shumë të paqartë ndërkombëtare, ne jemi të gatshëm të rrisim bashkëpunimin strategjik, t’i ofrojmë njëri-tjetrit mundësi për zhvillim”, tha ai.