Vladimir Putin i vuri forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, teksa trupat e tij vazhduan të përballeshin me rezistencë të ashpër nga ushtria ukrainase dhe perëndimi shtoi përpjekjet për të ndëshkuar Moskën për luftën më të madhe të Evropës në më shumë se 50 vjet.
Lëvizja e Putinit erdhi pasi SHBA dhe aleatët perëndimorë ranë dakord të vendosin sanksione ndaj bankës qendrore ruse dhe të heqin disa nga huadhënësit e vendit nga sistemi i mesazheve Swift – që është thelbësor për pagesat globale. Këto janë disa nga masat më të ashpra të tilla të marra ndonjëherë kundër një ekonomie të G20.
Kjo lëvizje gjithashtu pasoi një ndryshim historik në politikën gjermane të mbrojtjes të dielën, kur kancelari Olaf Scholz hoqi dorë nga politika e gjatë e kujdesshme dhe njoftoi një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake në përgjigje të ‘epokës së re’ të shënuar nga pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj.
Putin lëshoi një urdhër për të vendosur forcat e parandalimit strategjik të Rusisë – duke përfshirë njësitë përgjegjëse për aftësitë e saj bërthamore – në gatishmëri të lartë në përgjigje të atyre që ai i quajti “sanksione të paligjshme perëndimore”.
Në një takim në Kremlin, presidenti rus i tha Sergei Shoigu, ministrit të mbrojtjes dhe shefit të shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov se “vendet perëndimore jo vetëm që po ndërmarrin veprime ekonomike jomiqësore kundër vendit tonë […] por udhëheqësit e vendeve të mëdha të NATO-s po bëjnë deklarata agresive për vendin tonë”.
Në luftën në terren në Ukrainë, kryebashkiaku i Kharkiv, qyteti i dytë i vendit, pohoi se forcat ukrainase kishin rimarrë kontrollin e plotë të qytetit pasi zmbrapsën një inkursion rus që përfshinte forca speciale. Kjo shënoi herën e parë që forcat e tij kishin hyrë në qytet, që nga pushtimi që Putin filloi katër ditë më parë.
Rusia shtoi sulmet e artilerisë si në Kharkiv ashtu edhe në kryeqytetin Kiev, të cilin po vazhdon ta rrethojë ngadalë. Megjithatë, brenda Kievit, trupat ruse, që kishin depërtuar qytetin, vazhduan të hasin në rezistencë të forte, teksa banorët kërkuan strehim nga bombardimet në bodrume, garazhe nëntokësore dhe stacione metroje.
Më herët SHBA dhe aleatët perëndimorë thane se do të vendosin sanksione ndaj bankës qendrore ruse dhe do të përjashtojnë disa nga huadhënësit e vendit nga sistemi global i pagesave Swift, duke dhënë përgjigjen e tyre më të ashpër deri më tani ndaj pushtimit të Ukrainës.
Deklarata e përbashkët nuk listoi bankat që do të përjashtohen nga sistemi i mesazheve Swift.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu lut kryeqyteteve perëndimore që të përdorin aksesin në Swift për të bërë presion ndaj Rusisë. Shkëputja e bankave nga Swift do ta bëjë më të vështirë për rusët kryerjen e transaksioneve ndërkufitare, duke intensifikuar presionin mbi sistemin financiar të vendit.
Swift, një institucion me bazë në Belgjikë, në pronësi të më shumë se 2,000 bankave dhe institucioneve financiare, ofron shërbime të sigurta të mesazheve për pagesa në vlerë prej triliona dollarësh ndërmjet bankave.
Institucioni tha në një deklaratë të shtunën se po “po angazhohej me autoritetet europiane për të kuptuar detajet e subjekteve që do t’i nënshtrohen masave të reja, dhe . . . përgatitja për t’iu përmbajtur udhëzimeve ligjore”. /monitor





