Putini kërcënon liderët e Wagnerit që u rebeluan

Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar liderët e Wagnerit të cilët u rebeluan në fund të javës së kaluar se po duan “ ta shohin Rusinë të zhytur në grindje të përgjakshme”.

Në një fjalim të shkurtër, Putini u zotua se do t’i sjellë organizatorët e revoltës “para drejtësisë”.

Por ai i quajti trupat e rregullta të Wagnerit “patriotë” të cilët do të lejoheshin të bashkoheshin me ushtrinë, të shkonin në Bjellorusi ose të ktheheshin në shtëpi.

Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, i cili më herët mohoi përpjekjet për të përmbysur regjimin e Putinit, shkruan BBC.

Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.

Në qershor, Rusia tha se “formacioneve vullnetare” do t’u kërkohet të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, në një lëvizje që shihet gjerësisht si një kërcënim për kontrollin e Prigozhin ndaj Wagner.

Shefi i mercenarëve tha se rebelimi i tij ishte gjithashtu një protestë ndaj gabimeve të bëra nga zyrtarët e mbrojtjes gjatë luftës me Ukrainën.

Por ai këmbënguli se Wagner kishte vepruar gjithmonë dhe vetëm në interes të Rusisë.

Këto ishin komentet e para publike të Prigozhin që kur ra dakord për një marrëveshje për të ndalur rebelimin, i cili thuhet se përfshin shkuarjen e tij në Bjellorusi me heqjen e të gjitha akuzave penale kundër tij – megjithëse media shtetërore ruse, duke cituar zyrtarë, ka raportuar se ai mbetet nën hetim. /koha