Qendrat shëndetësore verore/ 24 orë shërbim dhe testi i shpejtë falas për COVID-19

Në të 29 qendrat shëndetësore verore janë unifikuar të gjitha protokollet e shërbimit shëndetësor, ku nuk mungojnë barnat dhe pajisjet e nevojshme.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se, në këtë sezon veror në çdo qendër shëndetësore verore në zonat turistike bregdetare dhe malore, ofrohet shërbimi 24 orë për çdo urgjencë mjekësore.

Gjithashtu thekson Manastirliu, ofrohet edhe testi i shpejtë falas, për çdo rast të dyshuar si i prekur nga COVID-19.

“Për çdo dyshim, drejtohuni pranë qendrës më të afërt shëndetësore. Bashkë, të kufizojmë përhapjen e koronavirusit, për një sezon turistik të sigurt” -shprehet Manastirliu.

Në qendrat shëndetësore verore do të jenë 170 mjekë dhe infermierë të mirëtrajnuar që do të ofrojnë shërbim për turistët gjatë sezonit veror.

Përveç 29 qendrave shëndetësore, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të ketë poste fikse të autoambulancave përgjatë zonave turistike, për t’iu ardhur sa më shpejt në ndihmë pushuesve.

Qendrat shëndetësore verore janë të hapura në zonat turistike të vendit si Shëngjin, Ksamil, Himarë, Drimadhas, Golem etj., për një sezon turistik më të sigurtë. /atsh