Qeveria izraelite miratoi sot një propozim për të regjistruar sipërfaqe të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar si “pronë shtetërore”, për herë të parë që nga pushtimi izraelit i territorit në vitin 1967, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik KAN bëri të ditur se propozimi u paraqit nga ministri i Financave i krahut të djathtë ekstrem, Bezalel Smotrich, ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, dhe ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz.
“Qëllimi fillestar është vendosja graduale e 15 për qind të Zonës C deri në vitin 2030”, komentoi gazeta “Israel Hayom” përpara vendimit të qeverisë.
Sipas Marrëveshjes Oslo II të nënshkruar në vitin 1995, Zona A është nën kontroll të plotë palestinez, Zona B nën kontroll civil palestinez dhe kontroll sigurie izraelit, ndërsa Zona C, që përbën rreth 61 për qind të Bregut Perëndimor, mbetet nën kontroll të plotë izraelit.
Sipas gazetës, pasoja kryesore e vendimit të qeverisë është “shndërrimi i sipërfaqeve shumë të mëdha në tokë shtetërore, për aq kohë sa nuk provohet pronësi tjetër”.
“Në këtë kuptim, edhe në mungesë të një vendimi politik për zbatimin e ligjit, Izraeli forcon ndjeshëm kontrollin mbi tokën duke regjistruar parcela që nuk janë në pronësi të palëve të tjera në regjistrin e pronësisë së tokës”, shtohet më tej.
Marrëveshja Oslo II ia kufizon Autoritetit Palestinez regjistrimin e tokës vetëm në Zonat A dhe B, ndërsa e ndalon atë në Zonën C.
Nëse miratohet, Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT) i qeverisë izraelite do të jetë përgjegjës për organizimin dhe regjistrimin e pronësisë së tokës në Zonën C.
Procesi përfshin lëshimin e lejeve të shitjes, mbledhjen e tarifave dhe mbikëqyrjen e procedurave të regjistrimit, ndërkohë që pengon Autoritetin Palestinez të kryejë këto detyra në këto zona.
Ky hap është pjesë e një sërë masash të miratuara nga Kabineti i Sigurisë i Izraelit javën e kaluar, që synojnë zgjerimin e ndërtimeve të paligjshme të vendbanimeve kolone dhe rritjen e kontrollit të Tel Avivit mbi Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas mediave izraelite, masat përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalonte shitjen e tokës në Bregun Perëndimor për kolonët izraelitë të paligjshëm, hapjen e dosjeve të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për lejet e ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone pranë Hebronit nga një komunë palestineze te administrata civile izraelite.
Izraeli ka intensifikuar operacionet në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga nisja e fushatës ushtarake në Gazë më 8 tetor 2023. Palestinezët e shohin këtë përshkallëzim – përfshirë vrasjet, arrestimet, zhvendosjet dhe zgjerimin e vendbanimeve kolone – si një hap drejt aneksimit formal të territorit.
Në një opinion historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



