Qeveria nuk i njeh dorëheqjet e kryetarëve serbë

Në Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nuk japin sqarime nëse dorëheqjet e katër kryetarëve janë të pranueshme. Indeksonline ka tentuar për më shumë se një javë të marr një përgjigje nga kjo ministri, e cila na ka sugjeruar të kontaktojmë me zyrën e kryeministrit. “Lidhur me parashtrimin e pyetjeve nga ana juaj, ju lutem ti adresoni tek Zyra e Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të MAPL-së. Në Qeverinë e Kosovës e përsërisin se dorëheqjet e katërshes janë jo valide, për shkak të mënyrës si janë dërguar ato. “Kërkesat e tyre në formën që janë dërguar janë të papranueshme për institucionet tona, jo valide”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Indeksonline. Sipas zyrtarëve të qeverisë, problemi qëndron te përdorimi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e ofruara nga kryetarët e këtyre komunave dhe se kjo formë e dorëheqjes ka qenë jo e rregullt, me adresim jo të saktë, prandaj dhe mbetet çështje e diskutueshme. Kujtojmë se sipas ligjit, nëse kryetari i komunës mungon për 30 ditë në vendin e punës pa arsye, ai e humbë atë vend. Kjo detyron presidentin e vendit që menjëherë t’i sugjeroj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shpall zgjedhje në atë komunë, por që në këtë rast nuk ka ndodhur. Indeksonline ka kontaktuar edhe Bekim Çollakun, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi. Ai është përgjigjur shkurt, duke thënë se kjo është çështje e dikujt tjetër. “Kjo është çështje për MAPL, respektivisht Qeverinë”, ka thënë Çollaku. Më 27 nëntor të vitit 2018, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte theksuar se që nga ajo ditë “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri nuk ekziston”, ndërkaq, pas dorëheqjeve, katër kryetarët e komunave veriore kishin kumtuar se do të ndërpresin edhe komunikimin me Prishtinën.