“Ra ky mort e u pamë”!

Tani kur epilogu i kësaj ngjarjeje thuaj se po përmbyllet, doli në shesh një gjë që ndoshta të gjithë e dinim, por thjeshtë nuk donim ta besonim: “Ne këtë shoqëri, VLERA nuk ekziston më, gjithçka është para dhe buxhet”, edhe pikë. Por gjithsesi nuk mund të kalohet kjo pa iu shprehë falënderimet të gjithë atyre që dhanë kontributin e paçmuar në gjithë këtë katrahurë 2 javore, e që do të përpiqem të mos e harrojë asnjërin, kërkojmë falje në qoftë se dikujt i hyjmë në hak. “FALEMINDERIT” ju media, TV e portale, që na mbuluat me aktivitetin tuaj gjatë gjithë kohës, duke na shantazhuar që në ditën e parë dhe në secilën paraqitje, Kryelajm: “Vazhdon greva e mësimdhënësve për rritje pagash”, gjë të cilën nuk e kërkuam kurrë, por që zëri ynë u ngulfat dhe nuk depërtoi më larg se sa në komente të portaleve dhe sallat e arsimtareve nëpër shkolla, ai nuk arriti në studiot e juaja, sepse për 2 javë asnjë mësimdhënës nuk e pashë të jetë ftuar në ndonjë debat. “FALEMINDERIT” Kryeministër, që kërkesën time e ktheve në biznes dhe mua më pe si “tuxharë gomerësh” duke ma dhënë “pazarin e fundit”, o merre o lëre, sepse nuk ka oferte tjetër. “FALEMINDERIT” qeveri, që punove një vit, dhe solle në parlament një projektligj ku nga 12 nivelet, mësimdhënësin e rangove të fundit, pra nën koeficientin 2 sepse koeficienti 1 nuk ekziston. Dhe për çudinë e botës askujt nuk i shkoi ndërmend investimi i profesional minimal mbi 10 vjeçar, i secilit mësimdhënës për të arritur në këtë gradë. “FALEMINDERIT” ti deputet, anëtarë i komisionit për buxhet, që u angazhove për 5 ditë me radhë për mua, bëre sefanë në kushte luksoze hotelit me taksat e popullit, dhe kur mësimdhënësi të takoj rastësisht aty, u talle me të: “Jau kena rritë 2 gisht, isha kâ budallë, jau kisha kajt nânen i kisha mshelë shkollat krejt, se me kâ pa shkollë te na ministër bâhesh ”. (më falni reformën në alfabet) “FALEMINDERIT” ti “diplomat” që kujdesesh aq shumë për buxhetin e vogël e të stëngarkuar të vendit, por që në Evropë në “vizitë pune koti” në drekë porosite SUSHI 46 euro, që nuk e dije nëse të hahet apo jo, dhe e nxore nga goja që në kafshatën e parë, e hodhe në plehra, dhe iu ktheve të dashurës pleskavicë (emrin po e kursej kësaj here). “FALEMINDERIT” ju që na përkujtuat se nuk jemi të pazëvendësueshëm, dhe na kërcënuat se do hapim konkurs e do tu zëvendësojmë me mësimdhënës të ri. Mos harruat se procedurat konkurseve tuaja, edhe në kushte normale zgjasin me muaj, për të pranuar vetëm dhjetëra mësimdhënës të rinj. Pastaj harruat se qeveria ka investuar në këto 6 vitet në këta mësimdhënës në ndryshimin kurrikulës e që akoma nuk i ka marrë rezultate e para të saj. Pa imagjino në shoqërinë tonë sa do të ishte “Lista e fryrë e mësimdhënësve të rrejshëm” kur numri i atyre të kualifikuar të shumëzohet me 3 ( ngjashëm me veteranët), Pa imagjino pastaj oreksi që kemi ne dhe ngarendja për të punësuar të afërmit tanë! Obooobo! “FALEMINDERIT” ti prind, që ndoshta u ngute pak kur vlerësove orarin dhe punën time, Harrove orarin e mësimdhënësit, që ai të përgjigjet në çdo pjesë të ditës, madje edhe atëherë kur bënë shkelje të ligjeve – kundërvajtje, përdorim telefoni gjatë vozitjes! Harrove që ai vrapon shkallëve edhe për shërbime e fëmijëve që as nuk e qan kokën nëse ia kërkon përshkrimi i vendit të punës apo jo. (shih komunikimet poshtë) “FALEMINDERIT” ti “përfaqësues i këshillit të prindërve” që e mbrojtje aq fuqishëm interesim e 4 fëmijëve të mi që i kam në shkollë. Nuk desha ti largoj ata nga ekrani në mënyrë që ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë nga goja jote se “babai i tyre është vetëm numër në shtëpi, dhe se nuk ka asnjë vlerë, kurse mësuesi yt ka qenë emër”. Nga ju e kuptuan ata se babai i tyre mund edhe të zëvendësohet me një bankomat që jepe më shumë para. Por gjithsesi “faleminderit” që nuk e shpalose opinionin përfundimtar për mësimdhënësin, si: “fajtorin kryesor për të gjitha ngjarjet, që nga vrasja Ahmet Krasniqit e deri te themelimi i gjykatës speciale për krime lufte”. Madje nuk do të habitesha sikur në një paraqitje të radhës tuajën do ta shihja edhe këtë: “Po ky mësuesi sot çfarë bënë, e kupton ky apo nuk e kupton. Në kohën kur Kosova po kalon proceset më delikate ndërkombëtare, përmbylljen e dialogut me Serbinë, po rrezikohet edhe integriteti territorial, vendi ka mbete në izolim të plotë, pa liberalizim, procesi i njohjeve ka stagnuar madje disa po i tërheqin njohjet, vështirësitë në anëtarësimin në organizma ndërkombëtare (NATO, UNESCO, Interpol etj). Dhe pikërisht tani, ky, mësuesi, ka gjetur kohën të kërkojë rritje pagash, dhe sikur nuk e kupton se është vënë funksion të agjendës së shtetit serb në mënyrë që të destabilizoj edhe me tej Kosovën, ashtu që të argumentohen pohimet serbe se Kosova nuk mund të jetë kurrë shtet funksional. Mësuesi ky shpirt i shitur, Turp, turp, turp.” “FALEMINDERIT” ju “analist e opinionist” që na e keni dhunuar trurin qe 20 vite, madje edhe për fenomenin “NUKSMUV” në ishujt BURINKADA, por s’ua dëgjuam zërin këtyre ditëve ti flisni kësaj shoqërie e ti thoni: “ O njerëz, a nuk e kuptoni se kjo kategori e shoqërisë sonë nuk kërkon para nga ky shtet, kërkon dinjitet, jepjani se nuk kushton, është falas”. Me që jeni edhe të lexueshëm, duhet tu kishe shkuar ndër mend brenga e Sokratit për edukimin familjar, dhe pamundësinë e tij për ti folur gjithë popullit gjithë Athinës me një zë të lartë. “FALEMINDERIT” ti shoqëri civile, me qindra OJQ ,që na e mbushni Inbox-in e e-mailit çdo ditë me ftesa për trajnime e seminare, të shtunave e të dielave, pa mëditje pune e të pa akredituara, të paktën nuk ju pashë të na shani për shkelje te të drejtave themelore të fëmijëve për arsim të garantuar me DUDNJ (Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut 1948) dhe KDF (Konventa për të Drejtat e Fëmijëve 1989). Krejt në fund “FALEMINDERIT”, ju udhëheqës të lartë shtetërore që sakrifikuar kafshatën e gojës, reflektuar dhe u solidarizuat me mësimdhënësin (gjë që nuk u kërkoi ai), e zvogëluat pagën tuaj, për një pagë të mësimdhënësit. U jam mirënjohës përjetësisht, dhe po patët nevojë për diç, e kam mik Halil Kastratin, mos hezitoni! “TURP TË KESHË” ti nxënës i dashur, që mu lidhe për trupi kur më takove në parkun e lodrave pranë shkolle, e kolegu Sami që njihemi për pak kohë me të, nga Gjimnazi i Obiliqit, më pyeti: “A është vajza jote”? Jo i thash, është Elsa A. Gashi e VI/3, i jap mësim qe 4 muaj. Ti nuk re pre e gjithë kësaj katrahure, sepse në turbullirën e syve të mi gjysmë të përlotur e lexove mjerimin e kësaj shoqërie dhe çiltërsinë time, nuk u mërzite për ato 4 orët e humbura sepse, si duket mbete i vetmi pjesëtar i kësaj shoqërie që e di sa orë jam në gjendje të ti fali. Dhe ti lexues i dashur, ti nuk mund ta dish si në cilën pjesë të ditës, dhe në çfarë gjendje është shkruar kjo, por ke diçka brenda vetes që do të bëjë ta kuptosh, besoi asaj sepse është pjesa më e mirë e jotja!? Mësimdhënës në SHFMU “Dardania”, Prishtinë –