Rabini anti-izraelit, Feldman: Para shpikjes së sionizmit, jetonim në paqe në Palestinë

Dovid Feldman

Rabini amerikan, Dovid Feldman tha se përpara shpikjes së sionizmit, jetonin në paqe në Palestinë.

Në një prononcim për Anadolu në “Samitin Evropian për Palestinën” të mbajtur në Pallatin Çirağan në Istanbul, rabini Feldman nga Organizata Anti-Zioniste Hebreje Neturei Karta International (NKI) shpjegoi dallimin midis judaizmit dhe sionizmit.

Rabini ortodoks anti-izraelit Feldman, i cili erdhi në Istanbul nga New Yorku për të marrë pjesë në samit, tha: “Judaizmi është një fe, thjesht një fe, nuk përfshin politikën. Ndërsa sionizmi është lëvizje politike, ka të bëjë me nacionalizmin dhe nuk përfaqëson fenë hebraike. Për fat të keq, njerëzit mendojnë se të dyja janë të njëjta dhe se të gjithë hebrenjtë mbështesin Izraelin, por nuk është kështu”.

Sipas tij, shumë hebrenj në mbarë botën kundërshtojnë krimet e kryera nga shteti i Izraelit. Feldman tha se ekzistenca aktuale e shtetit të Izraelit është kundër besimit hebre dhe për këtë arsye ata kundërshtojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit.

Duke thënë se ka qindra mijëra hebrenj anti-sionistë në botë që mendojnë si ai, Feldman tha se ekziston një komunitet shumë i fortë anti-sionist në New York.

“Ne themi se çdo gjë që i është bërë Palestinës është e gabuar. Të gjitha këto krime, vrasje, vjedhje, shtypje janë zbatuar ndaj gjithë popullin që në fillim. Ky nuk është një gjenocid që ne e kemi parë vetëm sot, në dy muajt e fundit. Okupimi i Palestinës ishte i gabuar që në fillim, është një krim”, tha ai.

Duke nënvizuar se veprimet e Izraelit janë krime jo vetëm sipas ligjit ndërkombëtar, por edhe në aspektin e judaizmit, Feldman tha: “Tora i ndalon të gjitha këto krime”. Feldman thekson se edhe nëse Izraeli nuk do të kishte kryer krime dhe njerëzit në rajon do të jetonin në paqe, ata përsëri do ta kundërshtonin Izraelin për shkak të mësimeve hebraike.

Ai thotë se baza e mësimeve hebraike bazohet në qëndrimin e hebrenjve në mërgim. Feldman tha se sipas bindjeve të tyre, është e ndaluar për ta që të luftojnë kundër vullnetit të “Zotit” dhe të krijojnë një shtet sovran.

“E gjithë kjo duhet të përfundojë. Nëse ne e ndalojmë këtë pushtim plotësisht, shpresoj në mënyrë paqësore dhe pa lejuar askënd të vuajë, ne do të shohim edhe një herë paqen që ekzistonte në të kaluarën. Para shpikjes së sionizmit, ne jetonim në paqe në Palestinë dhe kjo mund të ndodhë në të ardhmen. Shpresoj se do të ndodhë”.

Feldman tha se ata duan “zgjidhje të një shteti në të cilën nuk ka okupim, asnjë shtypje dhe të gjitha të drejtat u kthehen të gjithë njerëzve indigjenë”. Ai thotë se muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë janë pjesë e popullsisë indigjene të Palestinës dhe se lëvizja sioniste nuk përfaqëson popullin hebre.

Lidhur me referencat e vazhdueshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për “tekstet e shenjta” në ditët kur filluan sulmet izraelite në Gaza, Feldman tha: “Kjo është hipokrizi e plotë. Netanyahu është person laik. Lëvizja sioniste është lëvizje laike. Ata përdorin fenë që refuzojnë të ndjekin. Ata e keqpërdorin atë për të justifikuar krimet që janë të ndaluara në atë fe. Kjo nuk ka kuptim dhe është hipokrizi e plotë”.

– NKI anti-izraelite

Sulmet e Izraelit në Gaza janë kritikuar ashpër gjithashtu nga disa grupe hebreje. Neturei Karta International, një organizatë e përbërë nga hebrenj ortodoksë me seli në SHBA, është një nga grupet që bën kritikat më të ashpra ndaj Izraelit.

Anëtarët e NKI-së, emri i të cilëve u dëgjua shpesh me protestat e tyre gjatë sulmeve të mëparshme të Izraelit në Gaza, i shkruan një letër ish-presidentit amerikan, Donald Trump pas vendimit të tij për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi në Kuds, duke shprehur mendimet e hebrenjve ortodoksë dhe duke e kundërshtuar këtë.

Anëtarët e NKI-së shpjegojnë në platforma të ndryshme dhe në ngjarjet që marrin pjesë se sionizmi është ideologji që nuk përfaqëson judaizmin.