Sonte gjysmëfinalja tjetër, Dortmund – PSG

Paris Saint-Germaini dhe Borussia Dortmundi kanë ofruar shumë argëtim në ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe përballja mes tyre në gjysmëfinale do të ofrojë po ashtu shumë.

Kështu të paktën ka premtuar trajneri i PSG-së, Luis Enrique.

Gjysmëfinalja e parë mes Borussia Dortmundit dhe Paris Saint-Germainit do të zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në “Westfalenstadion”. Ndeshja e kthimit është më 7 maj në “Parkun e Princave” në Paris.

Të dy skuadrat u kthyen pas humbjeve në ndeshjet e para çerekfinale për të arritur në gjysmëfinale të Championsit.

Dortmundi humbi 2:1 ndaj Atletico Madridit në Spanjë, ndërsa më pas fitoi 4:2 në shtëpi. Parisi fillimisht pësoi 3:2 në shtëpi nga Barcelona, por në ndeshjen në Barcelonë fitoi 4:1 dhe mbajti gjallë ëndrrën për triumfin e parë në Champions.

“Mendoj se mund të jetë një spektakël i mrekullueshëm, jo vetëm për dy grupet e tifozëve, por për të gjithë ata që e duan futbollin. Mendoj se do të ketë gola, duke pasur parasysh cilësinë dhe aftësinë e të dy skuadrave për të arritur te porta kundërshtare”, ka thënë Enrique.

Paralajmërimin për spektakël ai e ka bërë duke u bazuar në mënyrën se si shkuan ndeshjet çerekfinale për të dy skuadrat.

Parisi asnjëherë më parë nuk kishte përmbysur rezultatin pas humbjes në ndeshjen e parë në shtëpi në Champions. Enrique e di se kjo mund t’i ndihmojë lojtarët e tij, por ka tërhequr vërejtjen se historia ka pak peshë në këtë fazë të garës.

“Këtë e kemi bërë për herë të parë, pasi kemi humbur fillimisht në shtëpi dhe mendoj se kjo do të na lirojë pak. Kam, po ashtu, përvojë që tregon se sa është me rëndësi të jemi garues nesër mbrëma”, ka shtuar Enrique.

“Ajo që kemi arritur në të kaluarën nuk ka rëndësi. Historia është e mirë, por synimi ynë është të fitojmë nesër. Nuk duam t’ia lëmë rastit dhe të mendojmë për ndeshjen e kthimit”, ka shtuar tekniku spanjoll.

Dortmundi dhe PSG-ja janë takuar tashmë këtë edicion. Skuadra gjermane e fitoi grupin, por Parisi fitoi në shtëpi dhe barazoi në Gjermani.

Luis Enrique thotë se ekipi i tij, që siguroi titullin në Ligue 1 të dielën, është përmirësuar prej atëherë. Dhe ai pret gjëra edhe më të mëdha.

“Jemi përmirësuar në të gjitha aspektet. Jemi më mirë në aspektin defenziv, më mirë shkojmë para në sulm. Mund të vazhdojmë të përmirësohemi. Dhe kjo është një prej karakteristikave të mënyrës sonë të menaxhimit të klubit dhe ekipit. Synojmë të përmirësohemi vazhdimisht, duke mos menduar që çdo gjë është bërë”, ka thënë Enrique.

Mediat e vlerësojnë Parisin favorit, bazuar në ndeshjet e kaluara dhe formën momentale. Por Enrique ka mohuar këtë.

Të martën në konferencë për shtyp foli edhe trajneri i Dortmundit, Edin Terzic. Ai ka treguar që mesfushori Marcel Sabitzer dhe sulmuesi Donyell Malen pritet të jenë të gatshëm për gjysmëfinale. Dortmundit nga suspendimi u kthehen Emre Can dhe Ian Maatsen.

Dortmundi ka dështuar në Bundesligë këtë edicion. Të shtunën humbi 4:1 nga RB Leipzigu, rivali direkt për pozitën e katërt. Dortmundi e ka fituar Championsin në vitin 2007, ndërsa tifozët e zjarrtë të klubit gjermanë shpresojnë në tjetër kampanjë të suksesshme.

“PSG-ja duket në formën më të mirë të edicionit. Ka pësuar vetëm një humbje gjatë vitit 2024. Ne duhet të dëshmojmë që jemi përmirësuar në krahasim me ndeshjet e para që i kishim me Parisin”, ka thënë Terzic.

Dortmundi, që do të ketë përkrahje të zjarrtë nga tribunat, ka synime të qarta për ndeshjen e parë.

“Synimi i qartë është të krijojmë avantazh të vogël pas ndeshjes së parë. Ne e dimë që duhet t’i luajmë së paku 180 minuta në nivelin më të lartë që të kemi gjasa për të realizuar ëndrrën”, ka shtuar trajneri i Dortmundit.