Njëqind milionë euro, jo dhurata personale të KM, por para publike, të mbledhura nga taksat e qytetarëve
Edi Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet protestave studentore me një ofertë ekonomike, por jo me përgjigjen politike që kërkojnë protestuesit.
Ndërsa mijëra qytetarë kërkojnë përgjegjësi dhe largimin e tij, kryeministri u kujton bursat, investimet në konvikte dhe paketën fiskale të vitit 2027. Mesazhi është i qartë: për dorëheqjen nuk diskutohet, por për paratë mund të flitet.
Rama njoftoi një mbështetje shtesë prej 15 mijë lekësh të reja për studentët nga familjet me vështirësi ekonomike, përfshirë edhe ata të nivelit master.
Ai deklaroi gjithashtu se rreth 60 për qind e studentëve përfitojnë një formë mbështetjeje shtetërore dhe se 100 milionë euro janë në dispozicion për konviktet studentore.
Por këtu nis edhe paradoksi i kësaj oferte: me çfarë parash po i përgjigjet kryeministri protestës? Me paratë e buxhetit të shtetit, pra me paratë e taksapaguesve.
Studentët që dalin në rrugë janë qytetarë të këtij vendi, kontribuues të drejtpërdrejtë ose të ardhshëm në financat publike. Ata nuk po kërkojnë lëmoshë nga kryeministri, por arsim më të mirë, kushte dinjitoze dhe përgjegjësi politike.
Investimet në konvikte, bursat dhe lehtësimi i kostove të jetesës janë detyrime të qeverisë, jo favore personale të Edi Ramës.
Përpjekja për t’i paraqitur si një ofertë bujare në mes të krizës rrezikon ta kthejë një të drejtë qytetare në monedhë politike. Sikur studentët duhet të kënaqen me një pagesë shtesë dhe të harrojnë arsyen për të cilën kanë dalë në protestë.
Në të njëjtën kohë, Rama prezantoi një projektbuxhet që, sipas tij, do të kalojë për herë të parë 10 miliardë euro, si dhe ndryshime fiskale që përfshijnë uljen e TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë dhe rritjen e taksimit të dividendit.
Njoftime me peshë ekonomike, por që nuk e ndryshojnë thelbin e konfliktit. Sepse protestuesit nuk po kërkojnë vetëm lehtësime financiare, por edhe llogaridhënie.
Kryeministri e refuzoi prerazi dorëheqjen, duke deklaruar se do të qëndrojë deri në fund të mandatit. Ndërkohë, bojkotin e mësimit e cilësoi të papranueshëm dhe paralajmëroi ndërhyrje ligjore.
Pra, nga njëra anë ofron para, nga ana tjetër këmbëngul në pushtet dhe paralajmëron masa ndaj protestës. Në fund, çështja nuk është nëse studentët kanë nevojë për më shumë mbështetje. Natyrisht që kanë.
Çështja është nëse paratë publike po përdoren për të zgjidhur problemet e tyre apo për të zbutur një krizë politike. Sepse buxheti nuk është arka personale e kryeministrit dhe qytetarët nuk janë klientë që mund të blihen me paratë e veta.
Një bursë mund të lehtësojë muajin, por nuk e zëvendëson përgjegjësinë politike! \tesheshi.



