Afrimi i zgjedhjeve lokale, ultimatumet politike mbërrijnë deri në qeli
Dekretimi i 9 majit 2027 si datë e zgjedhjeve vendore duket se ka vënë në lëvizje Edi Ramën për të riorganizuar radhët e Partisë Socialiste, veçanërisht në Tiranë, ku përplasja me Erion Veliajn mund të kthehet në një problem elektoral.
Pretendimet e bujshme për një ultimatum të përcjellë nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në qelinë e kryebashkiakut, ngrenë dyshime se kryeministri po kërkon ta mbyllë me forcë konfliktin me ish-bashkëpunëtorin e tij.
Në këtë përballje, dorëheqja e Veliajt nuk do të ishte thjesht largimi i një kryebashkiaku, por edhe një përpjekje për të shuar një qendër alternative ndikimi brenda së majtës.
Më 30 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi që zgjedhjet vendore të zhvillohen më 9 maj 2027. Data u përcaktua pas konsultimeve vetëm me përfaqësuesit e shumicës dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili propozoi të dielën e fundit të periudhës së lejuar nga Kodi Zgjedhor.
Por për Ramën, ky dekret shënon edhe fillimin e një gare politike ku Tirana do të jetë një nga betejat më të rëndësishme. Kryeministri ka arsye të kërkojë konsolidimin e grupimit të tij përpara zgjedhjeve.
Përplasja me Veliajn, që dikur ishte një nga njerëzit më të afërt të tij dhe një prej figurave kryesore të PS-së në kryeqytet, rrezikon të prodhojë një çarje që nuk mbyllet me një vendim administrativ.
Veliaj ka ende një rrjet politik dhe njerëzor të ndërtuar gjatë viteve në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse ndodhet në paraburgim, ndikimi i tij nuk mund të konsiderohet automatikisht i zhdukur.
Këtu duhet kërkuar edhe kuptimi politik i ultimatumit të pretenduar. Sipas avokatit Plarent Ndreca, Toni Gogu i ka përcjellë Veliajt kërkesën e Ramës për të dorëzuar urgjentisht mandatin, për të deleguar pushtetin te persona të zgjedhur nga kryeministri dhe për të hequr dorë nga vetë Ndreca si mbrojtës.
Në rast kundërshtimi, sipas këtij versioni, Veliaj kërcënohej me transferim në burgun 302 dhe me hetime të reja nga SPAK-u. Nëse ky komunikim ka ndodhur ashtu siç e përshkruan avokati, atëherë kemi të bëjmë me një mënyrë të papranueshme të ushtrimit të pushtetit.
Kyeministri nuk mjaftohet me kërkesën për largimin e një kundërshtari të brendshëm, por sipas akuzave, përdor edhe Ministrin e Drejtësisë për t’i përcjellë ultimatume një personi që ndodhet nën masën e paraburgimit.
Madje, përmendja e SPAK-ut si instrument presioni, nëse provohet, do të përbënte një çështje veçanërisht serioze për pavarësinë e drejtësisë. Ironia është se Gogu nuk është një ndërmjetës i rastësishëm në këtë histori.
Ai ka pasur marrëdhënie të afërta personale me Veliajn, madje ka qenë edhe celebruesi i martesës së tij. Pikërisht për këtë arsye, pretendimi se Rama e ka përdorur për t’i komunikuar një ultimatum ish-kryebashkiakut e bën episodin edhe më domethënës politikisht.
Ndërkohë, transferimi i Veliajt nga Durrësi në Fier ka hapur një tjetër front brenda PS-së. Bledi Çuçi i kërkoi Gogut të shpjegonte bazën dokumentare të vendimit, duke e vënë ministrin përballë përgjegjësisë politike.
Ministria dhe Drejtoria e Burgjeve kanë dhënë shpjegimet e tyre për procedurën, ndërsa dokumentacioni është klasifikuar si “sekret shtetëror”. Kështu, përplasja nuk është më vetëm mes Ramës dhe Veliajt, por ka prekur edhe drejtues të tjerë të mazhorancës.
Në thelb, Rama duket se po kërkon të bëjë dy gjëra njëherësh: të pastrojë hesapet me Veliajn dhe grupimin e tij, duke eliminuar një qendër të mundshme rivaliteti në Tiranë, dhe të forcojë radhët brenda pjesës së mbetur të PS-së, përpara se gara për pushtetin vendor të hyjë në fazën vendimtare.
Një Veliaj i dorëhequr, do t’i hapte rrugë kryeministrit të përcaktonte vetë pasardhësin dhe të riorganizonte strukturën politike të kryeqytetit sipas interesave të tij.
Por Tirana nuk është një pronë që mund të kalohet nga një dorë në tjetrën me urdhër politik. As mandati i kryebashkiakut nuk është çështje që zgjidhet në një takim të fshehtë në burg.
Nëse Rama synon të shkëpusë Veliajn nga Bashkia dhe të marrë nën kontroll të gjithë mekanizmin elektoral të kryeqytetit, këtë duhet ta bëjë përmes procedurave ligjore dhe jo përmes presioneve të pretenduara.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh politik i kësaj historie. Në vend që konflikti të zgjidhet përmes institucioneve dhe përgjegjësisë publike, Shqipëria përballet me akuza për ultimatume mafioze të përcjella në qeli orëve të vona të natës. \tesheshi



