Rama mikpret dy medalistet e arta të Kosovës të “Tokio 2020”

Kryeministri Edi Rama mikpriti buzë Jonit, dy kampionet e medaljeve të arta olimpike të Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe trajnerin e tyre.

Ai publikoi foto me dy sportistet dhe trajnerin, duke u shprehur me respekt për forcën e shembullit të tyre.
“Nder i madh të mikpres buzë Jonit dy kampionet e arta olimpike, Norën e Distrian, së bashku me Dritonin, trajnerin e tyre fenomenal dhe miqtë e tjerë”, u shpreh Rama.
“Me respekt krejt të posaçëm për forcën e jashtëzakonshme të shembullit që na japin, uroj t’i vizitoj së shpejti në Pejë për të mësuar prej eksperiencës fantastike të shkollës së tyre të kampionëve”, tha ai.
Xhudistja Nora Gjakova ka arritur t’i sigurojë Kosovës një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Nora Gjakova në finale është ndeshur me xhudisten nga Franca, S.L. Cysique.
Xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë, pas fitores kundër japonezes, Funa Tonaki. /atsh