Lista të zeza, kufizime udhëtimi dhe ndëshkime financiare: historia kthehet si farsë, por pasojat mund të jenë tragjike
Nëse Shqipërisë komuniste i duhej një Komision Qendror i Internimit dhe Dëbimit për të izoluar kundërshtarët e regjimit, me sa duket Shqipërisë së Edi Ramës po i duhet një version modern i tij: me lista të zeza, teknologji mbikëqyrjeje, kufizime udhëtimi dhe masa ndëshkuese që mund të shtrihen deri te familjet, studentët dhe mësuesit.
Ndryshon epoka, ndryshojnë mjetet, por mbetet i njëjtë tundimi i pushtetit për ta disiplinuar shoqërinë përmes frikës.
Komisioni komunist, i formalizuar me dekretin e 2 gushtit 1954, mund të vendoste internimin deri në pesë vjet ose dëbimin nga qyteti i banimit, shpesh me zgjatje të njëpasnjëshme të masës.
Viktimat përzgjidheshin kryesisht për motive politike, për lidhjet familjare me të arratisurit apo të burgosurit politikë, ose për shkak të së ashtuquajturës “prejardhje e keqe politike”. Ky mekanizëm u shfuqizua zyrtarisht më 8 maj 1990.
Sot nuk kemi një komision të tillë dhe masat e paralajmëruara nga Rama nuk janë të gjitha të miratuara. Por ngjashmëria shqetësuese qëndron te logjika ndëshkuese.
Në vend që pakënaqësia të trajtohet përmes dialogut politik, qeveria kërcënon me zgjerimin e kontrollit mbi ata që dalin kundër saj.
Në paketën e paralajmëruar përfshihen regjistra të posaçëm për protestuesit e identifikuar si të dhunshëm, lista në sistemin TIMS dhe kufizime të mundshme të udhëtimeve jashtë vendit, deri te bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Evropian për t’u penguar hyrjen personave të përfshirë në akte dhune.
Rama ka paralajmëruar gjithashtu investime teknologjike për identifikimin e personave me fytyrë të mbuluar dhe zbulimin e profileve anonime, që sipas tij nxisin dhunën.
Në tryezë janë edhe detyrimi i prindërve për të paguar dëmet e shkaktuara nga fëmijët e mitur, kufizimi i disa shërbimeve shtetërore për familjet e tyre, ulja e mundshme e moshës së përgjegjësisë penale, heqja e bursave për studentët e përfshirë në akte dhune, masa ndaj nxënësve që braktisin mësimin dhe ndaj mësuesve të dyshuar për nxitje të dhunës.
Po shqyrtohen edhe kufizimi i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar dhe kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç.
Sigurisht, dhuna nuk mund të justifikohet dhe autorët e veprave penale duhet të mbajnë përgjegjësi. Por përgjegjësia është individuale, jo kolektive.
Një student nuk mund të trajtohet si fajtor vetëm sepse proteston, një familje nuk mund të ndëshkohet për bindjet e fëmijës së saj dhe një qytetar nuk mund të shpallet i rrezikshëm thjesht sepse kundërshton qeverinë.
Çdo masë duhet të mbështetet në prova, të jetë proporcionale dhe të mund të kundërshtohet përpara institucioneve të pavarura.
Megjithatë, rreziku më i madh nuk është vetëm ligjor. Është shoqëror dhe politik. Kur qeveria i ndan qytetarët në të bindur dhe të dyshimtë, në mbështetës që meritojnë mbrojtje dhe kundërshtarë që duhen vënë nën vëzhgim, ajo thellon hendekun mes vetes dhe një pjese të madhe të shoqërisë.
Kështu, protesta nuk shuhet domosdoshmërisht. Përkundrazi, ajo mund të bëhet më e ashpër, ndërsa zemërimi grumbullohet dhe humbja e besimit te institucionet shton rrezikun e shpërthimeve të dhunshme, në kohë dhe vende të paparashikueshme.
Nëse Rama kërkon të bëhet kryetar i një Komisioni të ri Internim-Dëbimesh, të paktën duhet të kujtojë se historia nuk përsëritet gjithmonë si një tragjedi e largët. Ndonjëherë ajo rikthehet si farsë politike, derisa pasojat pushojnë së qeni për të qeshur.
Dhe në një shoqëri të polarizuar, frika mund të prodhojë bindje të përkohshme, por nuk ndërton stabilitet. Përkundrazi, mund të ushqejë pikërisht atë revoltë që pushteti pretendon se dëshiron të ndalë. \tesheshi.com\







