Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tallje deri në dhimbje me të rinjtë…

Tallje deri në dhimbje me të rinjtë…

Rama nxjerr prapë karriget, do patjetër disa grevëthyes dhe kërcënon

Kryeministri Edi Rama ka rikthyer karriget përpara Kryeministrisë, duke përsëritur ftesën për “dialog” me studentët dhe pedagogët, të cilët e refuzuan një ditë më parë ofertën e tij dhe vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama këmbënguli se dialogu mbetet rruga për zgjidhjen e pakënaqësive, ndërsa paralajmëroi pasoja ligjore dhe financiare për këdo që dëmton pronën publike apo private gjatë protestave.

“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën”, deklaroi kryeministri, duke e paraqitur dialogun si mënyrën e vetme për të gjetur zgjidhje.

Ai u shpreh se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por shtoi se dhuna është krim i ndëshkueshëm. “Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë”, paralajmëroi Rama.

Megjithatë, kryeministri nuk dha ndonjë sinjal për tërheqje nga qëndrimi i tij, ndërsa studentët dhe pedagogët vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën për largimin e tij nga pushteti.

Ai ofron “kulaçin” e dialogut me njërën dorë, ndërsa me tjetrën tund “kërbaçin” e ndëshkimeve financiare dhe ligjore. Mesazhi është i qartë: mund të flisni, por me kushtet e mia; mund të protestoni, por mos guxoni të prekni pushtetin përtej kufijve që caktoj unë.

Kjo është logjika e një pushteti që e ngatërron dialogun me bindjen ndaj tij. Rama kërkon që protestuesit të ulen në karriget e veta, por nuk jep asnjë shenjë se është i gatshëm të lëshojë politikisht përballë kërkesave të tyre.

Ai flet për bashkëjetesë demokratike, ndërsa refuzon të pranojë se edhe kërkesa për dorëheqjen e një kryeministri është pjesë e kësaj demokracie.

I trimëruar nga masat e ashpra të ndërmarra nga homologët e tij, Giorgia Meloni në Itali dhe Emmanuel Macron në Francë, Rama duket i vendosur ta zgjasë shfaqjen.

Por asnjë masë ndëshkuese, sado drakoniane, nuk mund ta zëvendësojë legjitimitetin politik që fitohet duke dëgjuar qytetarët.

Sigurisht, dhuna dhe dëmtimi i pronës duhen trajtuar sipas ligjit, pa standarde të dyfishta. Por ky parim nuk mund të përdoret si mjegullnajë për të shmangur thelbin e protestës.

Karriget mund të vendosen e të hiqen sa herë të dëshirojë Rama. Ajo që nuk mund të vendosë ai me urdhër është kufiri i durimit të një brezi që nuk pranon më t’i diktohen rregullat e lojës nga një njeri i vetëm. /tesheshi.com/