Rama: S’ka ecje përpara pa lirimin e policëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur thirrjen që Serbia t’i lirojë tre policët e kidnapuar, pasi sipas tij, pa u bërë kjo, s’ka hapësirë për të lëvizur përpara mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shkroi në Twitter të enjten se sapo policët të kthehen në shtëpitë e tyre, duhet një veprim “i ri e i fortë i Francës dhe i Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti”.

“Pa lirimin e tre policëve shendosh e mirë nga Serbia, s’ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparimi të vërtetë. Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe i Gjermanisë për të ndalur këtë spirale absurditeti. Por, gjëja e parë është: lironi tre policët”, shkroi Rama.

Ky deklarim i Ramës vjen pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. /koha