Rama: Studentët që s’do të vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditore

“Nëse Shqipëria sot ka stabilitet në situatën e pandemisë dhe është shumë më mirë se sa shumëkush tjetër rreth e rrotull kjo vjen si rezultat i vaksinimit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa vizitoi Qendrën Shëndetësore nr.1 në Tiranë.

Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në qendrën shëndetësore nr.1, në Tiranë, ku është rritur interesi për vaksinimin antikovid gjatë muajit të hapur të vaksinimit masiv, teksa po punohet për njohjen së afërmi të Certifikatës së Vaksinimit, si pjesë e integruar në sistemin e Bashkimit Europian.
Kryeministri theksoi se “ne kemi bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit, e kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe ndaj jemi më të mbrojtur sot”.
“Nëse ne nuk do të kishim pasur këtë sukses në këtë proces, nëse nuk do të kishim siguruar sasitë e vaksinimit masiv qysh në krye të herës sot do të ishim duke numëruar dhjetëra të vdekur në ditë siç po numërojnë të tjerët që kanë humbur fazën e parë”, tha Rama.
Ne, vijoi ai, “nuk mund të hyjmë më në situata të rrezikshme”. “E njëjta gjë për pedagogët dhe mësuesit. Të tjerët që nuk duan të vaksinohen ta bëjnë mësimin si të duan dhe të marrin përsipër koston që ka kjo për arsimimin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “mekanizmat detyruese për vaksinimin njihen dhe gjithë bota po i bën, por ne i kemi më të buta si masa”. “Por në mjedise publike ku të tjerët vijnë sepse duan të marrin mësim, ti nuk hyn dot pa vaksinim”, tha Kryeministri.

Rama kërkoi po ashtu që të vazhdojë informimi i qytetarëve, pasi sipas tij, “një pjesë e madhe nuk është se nuk duan të vaksinohen, por e kanë nga mosinformimi e indiferenca”. “Nuk ka hyrje në auditore pa vaksinë”, tha ai.

“Të kuptohet nga të gjithë se vaksina jo domosdoshmërisht të mbron nga infektimi edhe pse numri i personave të vaksinuar që janë infektuar është jashtëzakonisht i ulët. Por vaksina të mbron nga vuajtjet dhe rreziku për jetën. Kurse mosvaksinimi të çon drejt vdekjes”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi se “studentët që nuk do të vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditore, sepse nuk ka mundësi që pjesa që do të mbrohet të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit”.
“Askush nuk i merr dot me forcë dhe nuk ka ndërmend t’i marrë me forcë, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë për mësuesit dhe punonjësit e administratës. Ku janë mjedise publike je i detyruar të vaksinohesh. S’ta ka borxh pjesa tjetër protestën ndaj shkencës apo marrëzinë në raport me realitetin. E mira është të vaksinohesh për të mbrojtur jetën, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “Kontrolli Mjekësor Bazë, një tjetër program i shëndetit publik, ka rifilluar në çdo qendër shëndetësore, shumë i dobishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe monitorimin e pasojave post-Covid”. /atsh