Ramazan në komunizëm

Prof. Elmaz Fida

Duhet të kem qenë shumë i vogël, s’di sa vjeç, por më kujtohet shumë mirë. Ishte verë dhe shumë nxehtë. Uji i çezmës vinte i ngrohtë dhe në mungesë të frigoriferëve, duhej shpikur diçka tjetër. Kështu, çdo aksham, i merrnim gjymat me ujë çezmeje dhe shkonim i fusnim në ujin e ftohtë të përroit. Aty i mbulonim me gjethe rrushi dhe prisnim s’di sa minuta.
Rituali ishte i tillë që asnjëri prej nesh nuk duhej të fliste, vetëm me shenja komunikonim. Ishim të gjithë fëmijë familjesh ku mbahej Ramazan dhe nëse tregonim se tek ne agjërohej, mund t’u shkaktonim goxha problem familjarëve agjërues, prandaj dhe na ishte imponuar ajo formë komunikimi me shenja.
I kam para syve gjymat në ujin e ftohtë të përroit, të mbuluar me gjethe rrushi dhe kushërinjtë e kushërirat më të rritur që bënin çmos të na mbajnë sus, pa nxjerrë asnjë fjalë, sepse ashtu duhej, askush s’duhej ta dinte se pavarësisht se komunizëm, kishte njerëz që agjëronin.

Nga: Prof. Elmaz Fida