Ballina Artikuj Ramazani: Investim Afatgjatë, jo Grumbullim i Shpejtë

Ramazani: Investim Afatgjatë, jo Grumbullim i Shpejtë

Hoxhë Korab Hajraj

Kur i lexojmë me kujdes ajetet e Kuranit që flasin për adhurimet, vërejmë një model shumë domethënës: Kurani nuk ndalet vetëm tek veprimi, por thekson vazhdimisht qëllimin formues të tij. Veprat nuk paraqiten si një grumbull ritualesh, por si mjete për ndërtimin e njeriut.
Prandaj kur Allahu flet për agjërimin, Ai thotë:
“… që të bëheni të devotshëm.” El-Bekare, 183
Pra qëllimi nuk është thjesht uria dhe etja, por takvaja – vetëdija e thellë për Zotin dhe kontrolli mbi veten. Ky investim në takva nuk është vetëm për shpirtin, por edhe për shoqërinë. Një njeri i devotshëm është një qytetar më i mirë, më i ndershëm dhe më i dobishëm për komunitetin e tij.
Në vazhdim të këtyre ajeteve Allahu thotë:
“… që të bëheni falënderues.” El-Bekare, 185
Ndërsa më pas Kurani thekson edhe një dimension tjetër të këtij formimi shpirtëror:
“… që të arrijnë pjekurinë dhe udhëzimin e drejtë.” El-Bekare,186
Dhe më pas theksohet përsëri:
“… që të bëheni të devotshëm.” El-Bekare, 187
Nëse i shohim këto ajete së bashku, del në pah një filozofi e qartë kuranore: adhurimet nuk janë qëllim në vetvete, por mjete për formimin e njeriut. Kurani vazhdimisht përdor shprehjen “që të”, “në mënyrë që të” – për të na bërë të qartë se qëllimi përfundimtar është rezultati edukativ dhe transformimi i brendshëm i njeriut.
Pra Ramazani nuk është një projekt për grumbullim numerik sevapesh, por një investim afatgjatë në karakterin e njeriut: që të bëhet më i devotshëm, më i pjekur dhe më falënderues.
Fatkeqësisht, në shumë raste diskursi ynë për Ramazanin është reduktuar në një qasje sasiore: sa namaze, sa hatme, sa sevape mund të mbledhim. Sikur Ramazani të ishte një bankë shpërblimesh, ku njeriu përpiqet të depozitojë sa më shumë. Por kjo e zbraz adhurimin nga thelbi i tij transformues dhe e kthen fenë në një llogari numerike.
Por Kurani nuk e paraqet Ramazanin si depozitë sevapesh, por si shkollë të transformimit moral.
Këtë e përforcon edhe paralajmërimi i fortë i Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të:
“Kush nuk i braktis fjalët e rreme dhe veprat e liga, Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij.” Transmeton Buhariu
Pra agjërimi nuk është vetëm abstenim fizik, por disiplinë morale. Nëse gjuha nuk ndryshon, nëse sjellja nuk ndryshon dhe nëse karakteri mbetet i njëjtë, atëherë agjërimi e humb qëllimin e tij. Ky hadith është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për agjëruesit që mund të jenë të kujdesshëm me ushqimin dhe pijen, por të pakujdesshëm me gjuhën dhe sjelljen.
Madje rreziku është edhe më i madh. Njeriu mund të grumbullojë shumë vepra të mira, por në fund të mbetet pa to. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e shpjegoi këtë në hadithin e njohur për të falimentuarin.
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, pyeti njëherë shokët e tij:
“A e dini kush është i falimentuari?”
Ata u përgjigjën: “I falimentuari ndër ne, o i Dërguar i Allahut, është ai që nuk ka as para dhe as pasuri.”
Atëherë Profeti tha:
“I falimentuari i vërtetë i umetit tim është ai që në Ditën e Gjykimit vjen me namaze, agjërime dhe sadaka, por gjatë jetës së tij ka sharë dikë, ka shpifur për dikë, ka ngrënë padrejtësisht pasurinë e dikujt, ka derdhur gjakun e dikujt dhe ka rrahur dikë. Atëherë, atij që e ka sharë do t’i jepet nga të mirat e këtij, atij që i ka shpifur do t’i jepet nga të mirat e këtij, dhe kështu me radhë për çdo padrejtësi që ka bërë. Nëse të mirat e tij mbarojnë para se të shlyhen të gjitha padrejtësitë, atëherë merren mëkatet e atyre që u ka bërë padrejtësi dhe hidhen mbi të. Pastaj ai hidhet në zjarr.” Transmeton Muslimi
Kjo është një pamje tronditëse: një njeri që vjen me shumë adhurime, por përfundon i falimentuar. Sepse ai kishte grumbulluar vepra, por nuk kishte ndërtuar karakter. Ai ishte kujdesur për marrëdhënien e tij me Zotin, por kishte lënë pas dore marrëdhëniet me njerëzit.
Këtu qëndron filozofia e vërtetë e Ramazanit. Ai nuk ka ardhur vetëm për të shtuar numrin e veprave tona, por për të formuar personalitetin tonë. Ai është një investim në vetëkontroll, në drejtësi, në përmbajtje dhe në ndërgjegje.
Në fund të fundit, Ramazani nuk matet me sa shumë kemi bërë, por me çfarë kemi ndryshuar vetën.
Nëse pas Ramazanit gjuha jonë është më e pastër, zemra më e butë dhe sjellja më e drejtë, atëherë Ramazani ka qenë një investim i suksesshëm.
Por nëse gjithçka mbetet njësoj, atëherë rrezikojmë që Ramazani të ketë qenë vetëm një grumbull veprash pa transformim.
Sepse pyetja më e rëndësishme në fund nuk është: sa shumë kemi bërë në Ramazan, por: çfarë jemi bërë falë Ramazanit.

Hoxhë Korab Hajraj