Raport: Numri i xhamive vazhdon të rritet në SHBA

Numri i xhamive ka vazhduar të rritet me një ritëm të qëndrueshëm në gjithë SHBA-në, sipas një raporti që identifikoi 2.769 xhami në vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kjo përfaqëson një rritje prej 31 për qind nga numri i vitit 2010, kur kishte 2.106 xhami”, tha raporti me titull “Xhamia Amerikane 2020: Në rritje dhe evoluim”, të publikuar të mërkurën.

“Padyshim, forca kryesore shtytëse për rritjen e xhamive është zgjerimi i qëndrueshëm i popullsisë së muslimanëve në Amerikë për shkak të imigracionit dhe nivelit të lindjeve”, shtoi raporti.

Sponsorët kryesorë të hulumtimit përfshijnë Shoqërinë Islame të Amerikës së Veriut (ISNA), Qendrën për Filantropinë Muslimane, Institutin për Politikë dhe Mirëkuptim Social (ISPU) dhe Shoqatën Statistikore të Organeve Fetare Amerikane (ASARB).

Numri i pjesëmarrësve në xhami gjithashtu është rritur, sipas raportit.

Namazi i xhumasë ka pasur mesatarisht 410 të pranishëm në vitin 2020, krahasuar me 353 në vitin 2010, që paraqet një rritje prej 16 për qind.

“Pothuajse tre të katërtat (72 për qind) e xhamive regjistruan një rritje prej 10 për qind ose më shumë të pjesëmarrjes në xhuma”, tha raporti.

Megjithatë, konvertimi në Islam në xhami ka rënë “në mënyrë dramatike”.

“Nga 15,3 të konvertuar për xhami në vitin 2010, numri mesatar i të konvertuarve në vitin 2020 është 11,3”, thuhet më tej.

“Arsyeja kryesore është rënia e të konvertuarve afromerikanë, veçanërisht në xhamitë afroamerikane”, shtoi raporti.

Përveç kësaj, xhamitë janë duke u bërë më periferike, sipas raportit, i cili ka përmendur rënie të mëdha që kanë ndodhur në numrin e xhamive në qyteza ose qytete të vogla dhe zonat në qendër të qyteteve të mëdha.

Xhamitë në qyteza dhe qytete të vogla kanë rënë nga 20 për qind në vitin 2010 në 6 për qind në vitin 2020.

“Shkaku i dukshëm është zvogëlimi i popullsisë së muslimanëve në këto qyteza/qytete të vogla për shkak të konsumimit të vendeve të punës në këto zona dhe lëvizjeve të të rriturve të rinj, fëmijëve të themeluesve të xhamive dhe aktivistëve në qytete të mëdha për arsim dhe punë”, tha raporti.

“Në vitin 2010, 17 për qind e xhamive u themeluan në zonat në qendër të qyteteve, por në vitin 2020, kjo shifër ka rënë në 6 për qind. Kjo rënie ka të ngjarë të lidhet me uljen e xhamive afroamerikane dhe lëvizjen e përgjithshme të xhamive në vendet periferike”, tha raporti. /aa