Raporti i DASH: Në Kosovë ka struktura paralele, Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike në mjediset serbe

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për Kosovën për vitin 2021 gjithashtu ka përmendur edhe funksionimin e strukturave paralele serbe në territorin e Kosovës.

Në raportin e DASH-it gjithashtu thuhet se qeveria e Serbisë vazhdon të operojë me struktura parelele ilegale në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu thuhet se qeveria e Serbisë i ka përdorur këto struktura për të ndikuar në komunitetin serb.

“Qeveria e Serbisë ka vazhduar të operojë me strukturat paralele ilegale qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovaro-goran. Qeveria serbe i përdorte shpesh këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe kosovaro-gorane dhe te përfaqësuesit politikë të tyre”, thuhet në raportin e DASH.

DASH poashtu potencon faktin se partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës kanë përspektivë të kufizuar. Në këtë raport shkruhet se Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike në komunitetet serbe.

“Perspektivat për partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës mbetet i kufizuar, megjithatë, për shkak të presionit të raportuar dhe taktikave të frikësimit për të ndikuar te serbët e Kosovës që të mbështesin Listën Srpska. Një deklaratë e vëzhguesit të zgjedhjeve të BE-së vuri në dukje se Lista Srpska kishte monopolizuar jetën politike në komunitetet serbe të Kosovës, kështu duke kufizuar konkurrencën politike dhe zgjedhjen e votuesve. Në maj, OJQ-ja e serbëve të Kosovës New Social Initiative publikoi një raport duke vënë në dukje mungesën e politikës pluraliste në komunitetin serb të Kosovës, duke shtuar se një mungesë e perceptuar e lirisë dhe presioni nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë frenoi pluralizmin”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.