Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian (PE) për Shqipërinë, Andreas Schieder ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një fazë kritike në procesin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Schieder mbajti konferencë për mediat në Tiranë pas takimeve të tij me zyrtarë të lartë të Shqipërisë në kuadër të vizitës së tij në vend, ku theksoi se nëse vlerësimi i Komisionit Evropian do të ecë mirë në pranverë Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapituj.
“Tashmë Shqipëria ndodhet në një fazë kritike të procesit të saj për anëtarësimin në BE. Unë kam mirëpritur angazhimin e fortë politik të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, i cili është kritik për ecurinë e Shqipërisë dhe gjithashtu pasqyron edhe mbështetjen në bazë të qytetarëve shqiptarë për anëtarësim në BE dhe vlerat që ofron BE-ja”, tha ai.
Schieder theksoi se mbështesin tërësisht punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për të sjellë sipas tij një kulturë të integritetit dhe besimit të qytetarëve në institucionet publike.
“Disa hapa kritike mbeten ende përpara nesh dhe duhet të jemi të qartë për këtë. Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, të dekriminalizojë shpifjen dhe të sigurojë transparencën e pronësisë së medias dhe financimit të medias ndër të tjera. Kur ligjet miratohen fillon puna e vërtetë”, tha ai.
Ai shtoi se mendojnë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara, “të mos dramatizohet gjithçka, të mos fillohet me koktej molotovi dhe të tjerë”, por sipas tij të luftohet me argumente të forta në skenën politike aty ku duhet.
“Siç e dimë, mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë duan integrimin evropian. Shqipëria ka patur një ecuri madhore në negociata dhe nëse vlerësimi i Komisionit (Evropian) do të ecë mirë në pranverë Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapituj”, tha Schieder.
Raportuesi i Përhershëm i PE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder zhvilloi vizitë në Shqipëri, në kuadër të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve, ndërkohë u takua me zyrtarë të lartë të vendit.






