Real Madridi ka vendosur t’i japë Xabi Alonsos edhe pak kohë, edhe pse humbi 2-1 në shtëpi ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve. Kjo humbje e fundit e la skuadrën vetëm me dy fitore në tetë ndeshjet e fundit dhe shtoi zërat për një shkarkim të mundshëm. Sipas Marca, klubi nuk ka ndërmend të marrë masa të menjëhershme dhe dëshiron t’i lejojë Alonsos të përmbysë situatën.
Madridi e nisi mirë ndeshjen me golin e Rodrygos, por City e përmbysi me golat e Nico O’Reilly dhe Erling Haaland. Në pjesën e dytë, vendasit u përpoqën të gjenin barazimin, por pa sukses, ndërsa tifozët shprehën zhgënjim për formën e ekipit. Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi në Bernabeu ku Madridi u prit me fishkëllima, pas humbjes së papritur në fundjavë me Celta Vigon.
Pas ndeshjes, disa lojtarë të Real Madridit treguan mbështetje të hapur për teknikun. Jude Bellingham u shpreh: “100%. Trajneri ka qenë i shkëlqyer. Askush këtu nuk po dorëzohet, të gjithë po luftojmë.” Ai pranoi se skuadra po përpiqet të gjejë shkaqet e krizës, duke thënë se në momentet vendimtare po pësojnë gola që i fusin në vështirësi.
Alonso vetë kërkoi qetësi dhe besim. Ai tha se skuadra dha gjithçka dhe theksoi se periudha e keqe do të kalojë. “Ishte një ndeshje e fortë. Ne punuam deri në fund. Duhet të vazhdojmë të besojmë,” u shpreh trajneri spanjoll.
Për momentin, Real Madridi ka vendosur të mos ndërmarrë veprime drastike. Por presioni mbi Alonson mbetet i lartë, pasi klubi ndodhet vetëm në vendin e shtatë në tabelën e Ligës së Kampionëve dhe rrezikon fazat eliminatore.








