Regjimi i Asadit sulmon Gutën Lindore me gaz klorin

Regjimi i Bashar al Asadit në Siri ka ndërmarrë sulm me gaz klorin ndaj vendbanimeve civile në rajonin e Gutës Lindore e cila ndodhet nën rrethim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që ekipet e mbrojtjes civile kanë postuar në rrjetet sociale, theksohet se forcat e regjimit të Asadit në orët e para të mëngjesit kanë goditur me 3 raketa tokë-tokë me gaz klorin rajonet civile në zonën Duma të Gutës Lindore.

Civilët e prekur nga gazi janë dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm nga ekipet e mbrojtjes civile.

Ndërkohë bëhet e ditur se forcat e regjimit të Asadit sot kanë sulmuar nga ajri dhe toka edhe rajonet Merc dhe Arbin në komunat Duma dhe Haresta.

Sipas burimeve të mbrojtjes civile mësohet se në sulmet artilerike në Duma kanë humbur jetën 2 civilë, ku një prej tyre fëmijë.

Ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit të civilëve që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Guta Lindore dhe rajonet përreth saj në 2 muajt e fundit po përballen me sulmet ajrore dhe tokësore të regjimit dhe mbështetësve të tij.

Sipas informacioneve të përpiluara nga të dhënat e mbrojtjes civile theksohet se që prej 14 nëntorit e deri tani në sulmet e ndërmarra në Gutën Lindore kanë humbur jetën të paktën 315 civilë, nga të cilët 5 prej tyre janë punonjës të mbrojtjes civile.

Ekipet e Mbrojtjes Civile, nga ana tjetër, kanë deklaruar se gjithsej 1.337 civilë nga të cilët 12 punonjës të mbrojtjes civile janë vrarë në sulmet ndaj Gutës Lindore të ndërmarrë nga regjimi i Asadit në vitin 2017.