Reportazh/ Fëmijët e Gazës të tmerruar nga lufta

Teksa një tjetër sulm ajror izraelit u dëgjua, 8-vjeçarja Pretty Abu-Ghazzah u trondit, ndërsa vëllezërit e saj binjakë 5-vjeçarë nxituan të fshiheshin në krahët e nënës së tyre, Esraa. Vëllai më i vogël i Pretty-t, 2 vjeç, filloi të qante me zë të lartë.

Për t’u shpëtuar bombardimeve të fuqishme në lagjen e tyre të Deir el-Balahit në Rripin qendror të Gazës, Esraa i solli fëmijët në shtëpinë e vjehrrit të saj, në një zonë më pak të rrezikuar. Por nuk mundi t’u ikte pasojave të shëndetit mendor të fëmijëve.

“Nuk mund të duroj të shoh fëmijët e mi që dridhen dhe fytyrat e tyre që zbehen nga tmerri. Është shumë e dhimbshme. Pretty vjelli disa herë sot nga paniku dhe frika”, tha nëna 30-vjeçare.

Duke përbërë gati gjysmën e 2.3 milionë njerëzve të bllokuar në Gaza, fëmijët po vuajnë nga pasojat mendore dhe emocionale, të viteve të tëra të bllokadës dhe dhunës. Sipas një studimi të vitit 2022 nga organizata jofitimprurëse “Save the Children”, katër nga pesë fëmijë në enklavë përballen me depresionin, vuajtjen dhe frikën.

Sulmi i vazhdueshëm i Izraelit në Gaza, të cilin e nisi pas sulmeve të 7 tetorit nga krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas, ka lënë të vrarë të paktën 2.382 palestinezë dhe ka plagosur 9714 të tjerë deri më tani.

Gjithashtu ka bërë që prindërit të përpiqen që t’i mbajnë fëmijët e tyre gjallë dhe të shëndetshëm mendërisht, përmes asaj që ata e përshkruajnë si agresionin më të ashpër me të cilin janë përballur ndër vite.

Esraa ka vëzhguar reagimet e fëmijëve të saj ndaj sulmeve ajrore me shqetësim në rritje. Përveç të vjellave, ata kanë vuajtur nga urinimi i pavullnetshëm, një simptomë që ajo ka thënë se nxjerr në pah frikën e shtuar.

“Asnjë nga fëmijët e mi nuk është përballur me urinimin e pavullnetshëm më parë”, tha ajo.

Në raportin e vitit 2022 të “Save the Children”, 79 për qind e kujdestarëve në Gaza raportuan një rritje të urinimit në shtrat tek fëmijët, krahasuar me 53 për qind në vitin 2018. Lufta e fundit Izrael-Hamas ishte në vitin 2021. Simptomat si vështirësitë në të folur, gjuhë dhe komunikim si dhe paaftësia për të kryer detyra është rritur tek fëmijët që nga viti 2018.

“Kam gjetur shumë video të dobishme në YouTube gjatë luftës së fundit, që më mësojnë se si të flas me fëmijët. Është e rëndësishme të përfshihemi në bisedë me ta dhe të diskutojmë se çfarë po ndodh rreth tyre”, tha Esraa, duke shtuar se ndikimi i strategjive të tilla mbetet i kufizuar, duke pasur parasysh rrethanat e tmerrshme nëpër të cilat po jetojnë.

Image

Angazhimi i fëmijëve

Nga burimet në internet, Esraa mësoi për argëtimin dhe angazhimin e fëmijëve gjatë konfliktit.

“Unë zakonisht e kufizoj përdorimin e iPad-it të fëmijëve të mi, por duke pasur parasysh këto rrethana shqetësuese, i lejoj ata të shikojnë filma vizatimorë për t’u argëtuar. Sigurohem që ta mbaj iPad-in ose celularin tim të karikuar derisa ata shikojnë filma (në rast urgjence)”, shpjegoi ajo. Esraa gjithashtu u lexon tregime fëmijëve të saj.

Ndryshe nga sulmet e mëparshme në territor, forcat ajrore izraelite nuk kanë lëshuar paralajmërime përpara se të bombardojnë njësitë e banimit, duke i shqetësuar kështu familjet për jetën e tyre.

Në Përmbledhjen e Nevojave Humanitare 2022, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare vlerësoi se 678 mijë fëmijë në të gjithë Palestinën kanë nevojë për shërbime të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale. Më shumë se gjysma e fëmijëve në Gaza kanë nevojë për një mbështetje të tillë. Megjithatë, kujdesi i disponueshëm për shëndetin mendor nuk ka qenë i mjaftueshëm për të adresuar nevojën e rëndësishme, veçanërisht gjatë periudhave të përsëritura të shqetësimit. Kjo i lë prindërit – të cilët përballen me problemet e tyre të shëndetit mendor dhe emocional – të gjejnë mënyra për të qetësuar fëmijët e tyre të frikësuar.

Esraa tregon se si lojërat e fëmijëve të saj tani shpesh sillen rreth luftës dhe imitimit të telefonatave të nënës së tyre me të dashurit e saj.

“Fëmijët e mi bëjnë sikur po bisedojnë në telefon, duke pyetur njëri-tjetrin: “Çfarë po ndodh në zonën tuaj?”. Ata më imitojnë kur unë telefonoj anëtarët e familjes sime që jetojnë në pjesë të ndryshme të Gazës, vetëm për t’u siguruar që janë mirë”, shpjegoi Esraa.

Image

Të shprehurit

Rawan, një nënë tjetër rreth të 30-ve, tha se tri vajzat e saj po luftojnë me realitetin e dhunës me të cilën po përballen.

“Kjo është lufta e pestë që kam përjetuar si nënë dhe çdo herë, i drejtohem YouTubes dhe internetit për të kuptuar se si t’i mbështes vajzat e mia gjatë kohërave të konfliktit”, tha Raëan.

Megjithatë, vajza e saj e madhe po përjeton simptoma të theksuara.

“Vajzat e mia, Aysel, 9 vjeçe, Areen, 6 vjeçe dhe Aleen, 4 vjeçe, janë thellësisht të ndikuara nga zhurma e tmerrshme e bombave, veçanërisht Ayseli. Ajo tani është mjaft e rritur sa për të kuptuar implikimet e luftës. Ajo ka ndaluar së ngrëni. Kam vënë re gjithashtu një rritje të rrahjeve të zemrës së saj”, shtoi ajo.

Aleen, gjithashtu, ka shfaqur shenja të neverisë ndaj ushqimit dhe dridhje të shpeshta për shkak të frikës, tha Rawan.

Për të lehtësuar ankthin e tyre, Rawan përpiqet t’i angazhojë vajzat e saj në lojëra dhe aktivitete në grup.

Për udhëzime, Rawan i është drejtuar YouTube-it dhe mesazheve ndërgjegjësuese të dërguara nga mësuesit e vajzave të saj, për të ndihmuar nënat që të mbështesin mirëqenien mendore të fëmijëve të tyre.

Ashtu si shumë njerëz në Gaza që kërkojnë një strehë të sigurt nga bombardimet, Rawan dhe familja e saj kaluan tri ditët e para të agresionit në shtëpinë e tyre në lagjen Al-Nasr të qytetit të Gazës. Megjithatë, pasi bombardimet u intensifikuan pranë banesës së tyre, ata u zhvendosën në kampin e refugjatëve Nuseirat pranë Deir el-Balah në zemër të Rripit të Gazës.

Zhvendosja nuk e ka lehtësuar shqetësimin mendor të fëmijëve të Raëan-as.

“Më qëndrojnë pranë në çdo kohë, edhe kur jam duke përgatitur ushqim. Unë vazhdimisht i përqafoj dhe i ngushëlloj”, tha ajo me një ton të ulët.

Ndryshe nga Esraa, Rawan ndihet e detyruar të kufizojë përdorimin e telefonave celularë dhe iPad-it, pasi këto pajisje janë thelbësore për emergjencat. Ajo është përpjekur gjithashtu të kufizojë ekspozimin e tyre ndaj lajmeve duke fikur televizionin gjatë shfaqjes së pamjeve që lidhen me luftën.

Mbështetje për shëndetin mendor

Disa profesionistë të shëndetit mendor kanë ofruar këshilla falas në mediat sociale. Në një postim në Facebook, Qendra Palestineze e Këshillimit njoftoi për formimin e një ekipi kombëtar të urgjencës për të ofruar “mbështetje psikosociale falas nëpërmjet telefonatave dhe WhatsApp-it” për ata që kanë nevojë. Postimi përfshin një listë me emra dhe kontakte të specialistëve profesionistë të shëndetit mendor dhe punonjësve social në të gjithë Palestinën, të cilët presin thirrje. Faqja ka ndarë një sërë këshillash se si të ndihmohen fëmijët.

“Fëmijët ndikohen në mënyrë të pashmangshme nga pasojat e agresionit izraelit, nivelet në rritje të dhunës, përhapja e gjerë e imazheve që paraqesin viktimat dhe dëmet, dhe zhurma e vazhdueshme e shpërthimeve”, shpjegoi Muayad Jouda, një psikiatër me bazë në Gaza.

Ai tha se fëmijët mund të shfaqin simptoma të tilla si zemërim i fortë, të qara të pandërprera dhe të bërtitura. Ata mund të diskutojnë vazhdimisht për luftën dhe madje të përfshihen në lojëra me tema të dhunshme. Ansam, nënë e dy fëmijëve, tha se këto sjellje i ka parë tek dy vajzat e saj, dy dhe katër vjeçe.

“I përqafoj dhe i ngushëlloj, sepse ky është një instinkt nëne dhe sepse si nënë dhe njeri jam e tmerruar. Por mes masakrave që po jetojmë dhe po dëshmojmë, mirëqenia mendore është një luks. Gjithçka që duam është që ata të jetojnë”, tha ajo. /abcnews