Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi se reshjet e dendura gjatë natës dhe mëngjesit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në disa rajone të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.
Në Kërçovë, lumi Zajashka ka dalë nga shtrati në rrugën “Prilepska”, duke përmbytur disa shtëpi. Rreth 180 persona janë evakuuar dhe janë vendosur në një palestër sportive.
Ekipet e emergjencës dhe Komuna po monitorojnë situatën dhe po shpërndajnë ushqim, ujë dhe ndihma të tjera.
Në Shkup janë raportuar përmbytje në Idrizovë, Bukoviq, Zelenikovë dhe lagjen Radishani. Komunat përkatëse kanë nisur ndërhyrjet për sanimin e dëmeve.
Në rajonin e Tetovës, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dhe bllokim të rrugës Tetovë – Xhermë, ndërsa për automjetet e rënda dhe autobusët është vendosur ndalim në rrugën Tetovë – Mali Sharr.
Në Gostivar dhe fshatrat përreth janë përmbytur shtëpi në Turçan, lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë, për shkak të daljes së lumit Sushica dhe bllokimit të kanaleve. Dy fëmijë dhe nëna e tyre u bllokuan brenda një shtëpie, por u shpëtuan nga njësitë e emergjencës.
Zyra për Menaxhimin e Krizave njofton se situata po monitorohet nga afër, ndërsa mekanizmat për pastrimin e terrenit dhe sanimin e pasojave janë në terren.







