Retrospektivë dhe perspektivë mbi rrezikun rus ndaj shqiptarëve

Abdi Baleta

Pas agresionit rus në Ukrainë të gjitha rrethanat e zhvillimet tregojnë se kohë shumë të këqija po vijnë për Europën, Ballkanin e botën. Ballkani duket fushëbeteja e dytë për të zhvendosur “operacionet speciale” në prapavijat e NATO-s. Shqiptarët janë nga shënjestrat e para në poligonin e qitjeve. Rusia përpiqet ta trimërojë e ta përgatisë sa më mirë Serbinë për ta pasur në Ballkan si plasdarm edhe më të fortë se Bjellorusinë e Lukashenkos kundër Ukrainës.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Gushti i këtij viti po mbyllet jo si përherë, si muaji i pushimeve gjallëruese e freskuese, por si muaji i të nxehtit të jashtëzakonshëm klimatik e politik, i zjarreve përvëlues dhe i furtunave që nuk shuajnë zjarre, i afrimit të të ftohtit të madh energjetik, i pandemisë së urisë, krahas asaj të Covid-19, dhe mbi të gjitha si muaji i gjashtë i “bombardimeve spektakolare” ruse në Ukrainë dhe i financimeve e furnizimeve bujare ushtarake të SHBA-së për ta ndihmuar Ukrainën që t’i bëjë qëndresë agresionit rus. Fantazma e Luftës së Tretë Botërore (me bubullima bërthamore), pasi lëshoi hijen e saj të zezë në Ukrainë e mbi Europë, nisi të gjezdisë deri në Lindjen e Largët dhe mban nën vëzhgim të pandërprerë brigjet e Baltikut e qendrën e Ballkanit. Tani nuk ka mbetur më vend as për përjetime sensacionale. Lufta në Ukrainë është kthyer në rutinë. Mediat e gazetat flasin e shkruajnë me përtaci për të. Kurse Kremlini parapëlqen që luftën rrufe kundër Ukrainës ta kthejë në endemi kriminale, që të tmerrojë për një kohë sa më të gjatë Europën. Në këtë sfond gjen mirë vendin e vet edhe tema e këtij numri të revistës “mbi ndikimet trazuese dhe veprimtaritë kërcënuese e destabilizuese të Rusisë në Ballkan”, ndonëse kjo temë është trajtuar shumë herë dhe janë nxjerrë tashmë përfundimet përkatëse nga diplomacitë e interesuara. Për ne shqiptarët asgjë nuk ka ndryshuar: Rusia mbetet gjithnjë dashakeqe dhe armiqësore. Për ta ilustruar këtë përfundim, do të kufizohem në dy lëvizje retrospektive shpjeguese dhe për zhvillimet e sotme…

Retrospektiva nr. 1

Në mars të vitit 2001, kur në FYROM (sot Maqedonia e Veriut) shqiptarët bënin luftë të armatosur për të fituar disa të drejta kombëtare e njerëzore, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Rusia vinte në lëvizje procedurat për të miratuar një rezolutë që të dënonte “terrorizmin shqiptar” në Ballkan. Atëherë ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov, ndërmori një turne vizitash në vendet ballkanike, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Mbi udhëtimin e tij në Tiranë kam shkruar artikullin e titulluar “Kryeterroristi diplomatik nga Rusia” (“Rimëkëmbja” 27 mars 2001), ku theksohej se ai e ndërmori këtë turne sepse “… shteti i tij, edhe pse i rraskapitur ekonomikisht dhe i dërrmuar moralisht, nuk heq dorë nga përmbushja e testamentit të Pjetrit të Madh, të bërë para 300 vjetësh”, ku lihej porosia: “Zoti i plotfuqishëm, të cilit i detyrojmë jetën dhe kurorën tonë, na ka ndriçuar me shkëlqimin e Tij e na ka mbështetur me ndihmën e Tij hyjnore dhe Ai na ka bërë t’i shohim rusët si popull i thirrur për të dominuar në të ardhmen gjithë Europën”. Prandaj Rusia i ka parë dhe i sheh edhe sot shqiptarët në Ballkan si një pengesë që duhet hequr nga rruga e saj për ta bërë realitet këtë ëndërr e amanet të Pjetrit të Madh për Perandorinë e saj të stërmadhe, që të realizohet edhe motoja tjetër e pansllavizmit “të gjithë lumenjtë sllavë derdhen në detin rus”. Këtë ëndërr sot e tregon më me kënaqësi e kërcënim se kurrë sunduesi i Kremlinit, Putini. Shqiptarët vërtet nuk formojnë ndonjë lum sllav, por vështrohen nga Rusia si ndonjë përrua që gjithsesi duhet tharë në Ballkan. Ky është thelbi i filozofisë politike e diplomatike ruse ndaj shqiptarëve, të cilët sot po sulmohen nga propaganda e Kremlinit si armiku më i padurueshëm për Rusinë.
Ivanovi kishte ardhur atëherë në Tiranë t’i detyronte pushtetarët shqiptarë të vinin firmën në dokumentin e tradhtisë kombëtare, që Shqipëria të bëhej si Maqedonia e Serbia, nënshkruese e “Paktit rus për sigurinë (apo stabilitetin)” e që kishte dy synime kryesore: 1. Të shuante çështjen kombëtare shqiptare, duke i detyruar shqiptarët ta pranonin copëtimin e vasalizimin nga sllavët e grekët, nën hegjemoninë e Rusisë, dhe 2. Të dëbonte NATO-n e SHBA-në nga Ballkani, nën maskën e vënies së rajonit nën “kujdesin e OKB-së”. Atëherë kam shkruar: “Nuk është rastësi që Këshilli i Sigurimit ka rënë në këtë grackë, kur miratonte rezolutën e dëshiruar nga Rusia për ‘terroristët shqiptarë në Maqedoni’”. Atëherë nuk e morëm vesh se çfarë përgjigjeje i kishin dhënë pushtetarët shqiptarë këtij propozimi rus, por tani e dimë se Shqipëria e ka nënshkruar me Serbinë e Maqedoninë një pakt të tillë, që quhet “Open Balkans”, i cili u përgatit gjatë disa vitesh nën kujdesin dinak të diplomacisë perëndimore me emërtimin “Nisma e Berlinit” (2015). Tani kemi mësuar se edhe më herët kishte qenë hedhur nga gazeta angleze “The Sun” ideja për një “Union Ballkanik me vendet jashtë BE-së” që, sipas ish ministrit të Jashtëm në qeverinë e Berishës, nuk do të ishte utopi, por duhej konsideruar si një nismë për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, qarkullimin e mallrave e lëvizjen e njerëzve; që do t’i ndihmonte vendet e Unionit të përshtateshin për integrimin në BE. Kështu e shpjegonte këtë projekt ish ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, diplomati më me peshë në taborin politik të Ilir Metës, gjatë një emisioni televiziv para Roland Qafokut, më 23 shkurt 2011. Ai fliste atëherë, siç flet sot kryeministri Rama. Pra, të gjitha qeveritë e drejtuesit e diplomacisë shqiptare janë vënë me kohë në hullirin e ujdisë Rama-Vuçiq, të quajtur “Open Balkans”, që de facto të krijohet një “Serbi e Madhe” në vend të ish-Jugosllavisë, për shpërbërjen e së cilës pezmatohej thellë udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia, kur i shpjegonte Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Havier Perez de Kuejar, më 12 maj 1990: “Proceset sot nuk shkojnë drejt fragmentarizimit, por drejt integrimit. Jugosllavia duhet të jetë një e tërë dhe jo 6, sepse 6 pjesë të saj dhe 6 shtetet e Ballkanit do të bëhen 12 shtete. Po nuk u morën vesh 6 shtete si do të merren vesh 12?”(!). Pra, Ramiz Alia ishte për formulën e juristit francez, Badinter, para se ky ta shpallte publikisht atë për t’ia mohuar Kosovës të drejtën për shkëputje nga federata e sllavëve të jugut. Kështu është qorollepsur mendimi diplomatik shqiptar për interesat e Jugosllavisë dje e të Serbisë së Madhe sot. Rusët kanë qenë në dijeni të këtyre qëndrimeve kur propozonin “Paktin e stabilitetit ballkanik” në vitin 2001 dhe që sot e paraqesin si nismë të Serbisë, por në fakt na del më shumë si prodhim i mendjes dilpomatike ruse.

Retrospektiva nr. 2

“KARTOLINË DIPLOMATIKE “S NOVIM GODOM GOSPODIN PRISHEPOV” (gëzuar vitin e ri), titullohej reagimi im në “Rimëkëmbja” më 26 dhjetor 2006 ndaj trajtimit të disa aspekteve të marrëdhënieve shqiptaro-ruse në intervistën që i kishte dhënë gazetës “Shqip”, më 24 dhjetor 2006, ambasadori i Rusisë në Tiranë, i cili përpiqej të zbuste disi atmosferën me thirrje për zhvillim marrëdhëniesh si dikur “në frymën e miqësisë së popujve”, ndonëse riafirmonte tezat armiqësore të njohura ruse për Kosovën.
Prandaj reagimin tim e nisja duke theksuar “… POR MIQËSIA RUSE PËR SHQIPTARËT DUHET TË MATET ME QËNDRIMIN E DIPLOMACISË RUSE NDAJ PAVARËSIMIT TË KOSOVËS”, se tek ne shqiptarët “është krijuar një bindje e fortë se këtë vit do të vendoset statusi i shumëpritur i Kosovës shqiptare dhe ky status nuk ka si të jetë tjetër, veçse pavarësia e Kosovës, në qoftë se diplomacia ndërkombëtare ka vërtet dëshirë e vullnet të mirë që të zgjidhet problemi i Kosovës, sipas të drejtës, në dobi të paqes e të stabilitetit në Ballkan. Prandaj, një intervistë kartolinë-urimi nga ambasadori i Rusisë, i një shteti të fuqishëm, me peshë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në Ballkan, nuk mund të kalojë pa ngjallur tek shumë shqiptarë interesim të jashtëzakonshëm… Prandaj vendosa që të shkruaj edhe unë, një kartolinë të hapur urimi për ju, duke shprehur konsideratat e larta për gjestin tuaj fisnik ndaj opinionit publik shqiptar dhe duke formuluar njëkohësisht urimet e mia, që disa mospërputhje të dukshme të realiteteve politiko-diplomatike midis Shqipërisë e Rusisë të ndriçohen më qartë…”.
Ankesat e rastit ishin: “…është e hidhur për një shqiptar, që vlerëson dhe gjykon nga këndvështrimi i nacionalizmit të vet, kur vëren në intervistën tuaj qëndrime diplomatike të Rusisë që bien ndesh me të drejtat dhe interesat e ligjshme të shqiptarëve. Edhe pse janë qëndrime dhe pikëpamje krejt të njohura prej kohësh… nuk mund ta ndjejë veten mirë e ta marr si urim dashamir për Vitin e Ri thënien tuaj: ‘Çështja e Kosovës nuk është pika kryesore e marrëdhënieve dypalëshe mes Rusisë dhe Shqipërisë, por është çështje e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit’. Ndryshe nga pjesët e tjera të intervistës, ne shqiptarët kemi të drejtën që këtë shprehje ta marrim si fyerje, sepse ngacmohemi edhe një herë keq, atje ku na dhemb më shumë në shtëpinë tonë dhe nëpërmjet kartolinës së urimit për Vitin e Ri, (kur na thuhet se) çështja e Kosovës edhe në fund të vitit 2006 nuk qenka një çështje madhore kombëtare e shqiptarëve dhe as një çështje ndërkombëtare tejet e mprehtë dhe skajshmërisht e ndërkombëtarizuar, sa për hir të saj NATO para disa vitesh për herë të parë në historinë e saj praktikoi ndërhyrjen me armë, por paska mbetur thjesht një çështje e brendshme e Serbisë, siç pretendonte edhe Sllobodan Millosheviqi. Në qoftë se është kështu, atëherë përse Rusia trazohet aq shumë në përpjekjet për finalizimin e statusit të Kosovës?! Përse Rusia e mban ‘Veton’ e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si ‘Shpatë të Demokleut’ mbi kokat e shqiptarëve dhe si armë të ngrehur në dorë të Beogradit?! Përse Rusia çështjen e Kosovës e trajton më shumë në funksion të pazareve e rivalitetit që ka me fuqitë perëndimore në lojën që luan në tabelën gjigande të shahut gjeostrategjik ndërkombëtar?!”
Duhej dhe një kthesë stilistike për atëherë dhe për sot: “Unë e di se diplomacia ruse e sovjeto-ruse në të shkuarën dhe ruso-sovjetike tani, e njeh mirë, deri në hollësitë më të fshehta, rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan, që kanë krijuar edhe problemin e Kosovës. Pikërisht në Moskë kam mësuar shumë gjëra që nuk mund t’i mësonim në shkollat e Tiranës para një gjysmëshekulli. Diplomacia juaj e di fare mirë si është e vërteta, e di se çështja e Kosovës nuk është aspak një çështje bisedimesh midis Beogradit e Prishtinës dhe vetë i dërguari i OKB-së, zotëria i nderuar nga Finlanda, Mati Ahtisari, një mik i madh i Kremlinit, e thotë hapur tani se me bisedimet Beograd-Prishtinë asgjë nuk arrihet dhe ‘zgjidhja duhet imponuar nga ndërkombëtarët’. Këtu në Shqipëri ne kemi thënë me kohë se bisedimet Beograd-Prishtinë ishin të kota. Ishin taktika zvarritëse, të rrezikshme për shqiptarët dhe nuk do të sillnin gjë. Faktori ndërkombëtar duhej ta kishte kuptuar me kohë këtë. Tani është shumë më e keqe dhe më e rrezikshme diplomacia e lënies së çështjes në një tryezë bisedimesh Beograd-Prishtinë. Kjo nënkupton se Kosova mund të ketë vetëm aq sa ka qejf t’i japë Serbia, jo atë që i takon. Dihet se Serbia refuzon pikërisht atë që Kosova e kërkon se i takon. Serbia me kushtetutë e ka mbyllur derën për çfarëdo marrëveshje kompromisi me shqiptarët, sepse ka lënë vetëm një pikë në rendin e ditës të bisedimeve që sugjeroni ju, ka lënë vetëm pikën që shqiptarët të kapitullojnë e të pranojnë një sundim e robërim të ri nga Serbia. … kohët e fundit një vëzhgues i njohur ndërkombëtar, Patrick Moor shprehet se thirrjet e vazhdueshme të diplomacisë ruse për ‘zgjidhje kompromisi me bisedime Beograd-Prishtinë’ janë vetëm taktika zvarritëse tradicionale për të penguar zgjidhjen e problemit, me shpresë se Perëndimi do të humbasë një ditë interesin për Kosovën dhe Beogradi, me ndihmën e Rusisë, do të imponojë në Kosovë zgjidhjen serbe. Unë jam i prirë të besoj, jo për ‘entuziazëm bosh nacionalist shqiptar’, se ajo etapë e rregullimeve politiko-ushtarake e diplomatike që donte të impononte Serbia ka kaluar për të mos u kthyer më, sidomos pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe vënies së Kosovës nën kontroll të përkohshëm ndërkombëtar për disa vite. Çështja e Kosovës nuk është çështje bisedimesh midis Beogradit e Prishtinës, por një çështje e ballafaqimit historik e aktual kombëtar shqiptaro-serb. Prandaj Tirana, jo Beogradi, ka normalisht të drejtën të tregojë interesim të ligjshëm për çështjen e Kosovës. Është tjetër gjë që Tirana zyrtare nuk ka këllqe, apo nuk ka zemër e dëshirë të bëjë një gjë të tillë. Kjo është punë që duhet ta zgjidhin shqiptarët midis tyre dhe një ditë do ta zgjidhin. Por partnerët rusë në marrëdhëniet ndërshtetërore nuk kanë asnjë të drejtë të na përjashtojnë ne, shqiptarët e Shqipërisë, nga e drejta për të qenë të interesuarit e parë e kryesorë, si shtet, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Pa hipokrizi kam shkruar: “Më besoni, zotëri ambasador, që nuk po keqpërdor një intervistë tuajën për të bërë një gjest politik të llogaritur për efekt këtu në Shqipëri. Veç kësaj, kam bindjen se siç evoluoi dukshëm diplomacia e SHBA-së, e NATO-s dhe e disa vendeve brenda disa viteve, edhe diplomacia ruse dikur do të pajtohet, në mos plotësisht, në shumë drejtime me arsyen e përgjithshme për çështjen shqiptare. Unë vetëm dua të shtoj një zë nxitës që të shkojë deri në veshët e shurdhër të kësaj diplomacie. Duhen dëgjuar zërat shqiptarë që prej vitesh kanë zbuluar e qortuar gabimin e madh që po bën Europa duke trilluar një Ballkan Perëndimor, që konceptohet si një rikrijim i ish-Federatës së Jugosllavisë, minus Slloveninë, plus Shqipërinë. Nga intervista juaj, zotëri ambasador, kuptoj se diplomacia ruse nuk ka hyrë ende realisht në rrugën e evoluimit për çështjen shqiptare, por është edhe më e etur se ajo europerëndimore për një plan të tillë, sepse veç të tjerave diplomacia ruse do që moszgjidhjen e çështjes së Kosovës ta ketë si precedent për t’u përballur me problemet e tanishme ose të mëvonshme me të cilat përballet në zonën e Kaukazit.” Tashmë, në gusht 2022, këtë mund ta themi ndoshta edhe për të gjithë Rusinë, siç janë parandjenjat e analistit Janusz Bugajski në librin e tij “Failed State. A Guide to Russia’s Rupture” (Shteti i dështuar. Një Udhërrëfyes i Shkërmoqjes së Rusisë, Uashington 2022).
Artikulli im i vitit 2006 vijonte: “Po nuk është e drejtë dhe nuk duhet të pranohet kurrsesi nga shqiptarët që të pajtohen me këto qëndrime të diplomacisë ruse. Thelbi i problemit të Kosovës mbetet e drejta ende e parealizuar e shqiptarëve për vetëvendosje e bashkim kombëtar, jo për një ujdi të re të pranimit të sundimit e robërimit të huaj serb. Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet si etapë e ndërmjetme, si zgjidhje me realpolitikë të drejtë të problemit të statusit në këtë fazë….
Pyetje retorike me përgjigje shqiptare logjike: Çfarë duhet të jetë atëherë më themelore në marrëdhëniet shqiptaro-ruse? Mos vallë vetëm furnizimi hipotetik (lagu sot të rruaj mot) i shqiptarëve me gaz rus dhe vënia dorë e Rusisë mbi sistemin energjetik të Shqipërisë? Nëse Rusia fut në dorë KESH-in tonë, a nuk e bën këtë për ta kthyer në bisht të sistemit energjetik të Serbisë, që kështu të ketë një dominim energjetik ruso-serb në atë që po e quajnë ‘Ballkani Perëndimor’, të cilin me sa duket Europa Perëndimore, pasi të shkëpusë dhe Kroacinë, ka ndërmend ta braktisë që të kthehet kryesisht në një ‘geto myslimane’, me shqiptarë e boshnjakë të lënë edhe një herë nën mbikëqyrjen serbo-ruse, meqenëse Rusia është shtet që ka përvojë si kullundrisen popullsitë e besimit mysliman?! Çështja e Kosovës është në parim dhe duhet të bëhet në praktikë thelbi dhe guri i provës në marrëdhëniet ndërshtetërore që ndërton Shqipëria me vende të tjera dhe sidomos me Rusinë”.
Një ndryshim i kahjes, por jo i thelbit të arsyetimit: “Mua më vjen mirë kur lexoj se zotëri ambasadori e ndjen veten aq rehat në postin e tij këtu në Shqipëri, ku ka njohur e çmon dashurinë e shqiptarëve për rusët, ku paska gjetur aq shumë shqiptarë (një në pesë) që komunikojnë rusisht. Por, më duket se është një entuziazëm i panevojshëm diplomatik të thuhet ende se “patjetër që ndjenjat dhe lidhjet miqësore mes dy popujve kanë gjetur vend edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore”. Objektivisht nuk duhet të ndodhë kështu dhe nëse ndodh kështu, kjo vjen nga hipokrizia ose nga pafuqia e shqiptarëve që bëjnë politikën e diplomacinë e shtetit të tyre. E quaj një klishe të vjetruar, të dalë jashtë përdorimit ‘miqësinë e popujve’, që më shumë është një slogan hipokrit dhe jo faktor i qenësishëm dhe veprues në shkallë të gjerë, që mund të çoka në marrëdhënie të mira shtetërore. Në përgjithësi, shqiptarët nuk kanë historikisht asnjë ‘miqësi popujsh’ që të jetë faktori përcaktues i ndërtimit të marrëdhënieve të tyre ndërshtetërore. … E si mund të bëhet kjo me Rusinë në bazë të ‘miqësisë së popujve’ kur midis rusëve e shqiptarëve nuk ka pasur ndonjë miqësi popujsh. Më qartë kjo u vu re gjatë gjenocidit e spastrimit etnik serb në Kosovë në vitet 1998-‘99. I gjithë opinioni publik rus, propaganda ruse, politika ruse u mobilizuan në një mësymje armiqësore kundër shqiptarëve… Është e vërtetë që rusët e shqiptarët kanë disa tipare të përbashkëta të respektit, mikpritjes, bujarisë, çiltërsisë, që nuk mund t’i gjesh tek çdo popull. Por, shqiptarët janë popull që nuk e kanë ndërtuar sistemin e tyre psikologjik të urrejtjes kombëtare as për armiqtë e tyre më të egër, që nuk kanë mësuar të urrejnë kombëtarisht tjetrin as aq sa është e nevojshme për vetëmbrojtje, si antidot. Kjo natyrisht nuk është një cilësi që i bën shqiptarët më fisnikë se të tjerët. Përkundrazi, është një dobësi kombëtare. Na vlen e na ndihmon më shumë për të ndërtuar marrëdhënie të mira dhe të shëndetshme shtetërore po të mbajmë parasysh se midis popullit rus e atij shqiptar ka pasur më shumë shkase për të mos u dashur se për t’u miqësuar. Nuk është faji i popujve, por politikat shtetërore ndikojnë në formësimin e psikologjisë popullore. Edhe tani politika ruse për Kosovën nuk krijon aspak bazë për miqësi, por për ftohje, për dyshim. Kjo ftohje nuk mund të kalojë edhe sikur tubacioni i gazit rus të mbërrijë menjëherë në Shqipëri. Më 25 dhjetor 2006 në “Gazeta Shqiptare” u botua shkrimi “A do ta djegë gazi rus Kosovën?”. Nënteksti i këtij titulli është i qartë: a do të arrijë Rusia që, duke përdorur shantazhin e furnizimeve me gaz për Perëndimin, të shkëpusë pëlqimin që Kosova të mbetet në Serbi. Ka edhe një nëntekst të dytë që duhet të na vejë në hall ne shqiptarët: a do të pranojnë politikëbërësit dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë ta ulin nivelin e kërkesave për Kosovën dhe të bëjnë lëshimet që kërkon Serbia për hir të ndërtimit të një gazsjellësi rus e të lidhjes me naftësjellësin ruso-bullgaro-grek Varna-Aleksandropolis?!
Marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë e Rusisë duhet të zhvillohen meqenëse, sipas fjalëve tuaja, paskan mbetur më mbrapa se marrëdhëniet politike. Për mua kjo është e habitshme se si Shqipëria paska bërë më shumë për afrimin me Rusinë në fushën e politikës se të ekonomisë. Shqiptarët duhet të mirëpresin me dëshirë shumë sugjerime për bashkëpunimin ndërkombëtar, të vlerësojnë dhe gatishmërinë e diplomacisë që përfaqësoni për zhvillimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare. Por, kornizat historike duhen mbajtur varur mbi mur, vullneti dhe gatishmëria duhen vënë në provën e seriozitetit e të sinqeritetit. Kur shqiptarët të marrin frymë lirisht, pasi të ketë kaluar rreziku i përdorimit të vetos ruse si armë e Serbisë për Kosovën, atëherë mund të hapet një derë drejt mirëbesimit më të madh.”
Për të mos i ngatërruar ndjesitë: “Në Shqipëri, përveç asaj miqësie për rusët, që siç përmenda, është më shumë shfaqje e mungesës së urrejtjes kombëtare tek shqiptarët, ka edhe nostalgji ideologjike tek segmente të tëra të popullsisë nga koha e marrëdhënieve të ngushta me BS-në. Ka nga ata që këtë nostalgji e njomin me stalinizëm, të tjerë që e lagin me hrushovizëm e gorbaçovizëm. Është krejt e natyrshme që lidhjet e prishura familjare, që ishin krijuar nga martesat entuziaste shqiptaro-ruse, të sjellin një ringjallje të shumë nostalgjive. Në Shqipëri, pra, nuk ka dashakeqë ndaj rusëve, as skeptikë ose të zemëruar me politikën ruse. Ka dhe shumë sovjetofilë e rusofilë. Këta mund t’i gjesh dhe në sferat më të larta të politikës, të inteligjencies, të kulturës, mbase dhe në diplomaci. Ka, sigurisht, dhe një kontingjent të paneglizhueshëm agjentësh të shërbimeve sekrete ruse.
Përfundimisht, zotëri ambasador, unë mendoj se ju keni një terren të shkëlqyer për të punuar, për të zbatuar synimet e politikës së vendit tuaj në Shqipëri, që duket se janë shumë ambicioze tani. Duhet t’ju urojmë të keni suksese shtetërore dhe personale në punën tuaj për të mirën e përbashkët të marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve.
Me shumë respekt nga një koleg shqiptar në profesion, i formuar në shkollën diplomatike të shtetit që përfaqësoni.”

Po perspektiva si është… tani?!

Shumë më e zymtë nga ajo që linte vend për pak shpresë përmirësimi kur janë rreshtuar mendimet e mësipërme. Pas agresionit rus në Ukrainë të gjitha rrethanat e zhvillimet tregojnë se po vijnë kohë shumë të këqija për Europën, Ballkanin e botën. Ballkani duket fushëbeteja e dytë për të zhvendosur “operacionet speciale” në prapavijat e NATO-s. Shqiptarët janë nga shënjestrat e para në poligonin e qitjeve. Rusia përpiqet ta trimërojë e ta përgatisë sa më mirë Serbinë për ta pasur në Ballkan si plasdarm edhe më të fortë se Bjellorusinë e Lukashenkos kundër Ukrainës. Postulati diplomatik rus mbetet “Rusia mbështet atë që do Serbia”. Shqiptarëve u këshillohet pa pushim të jenë të kujdesshëm që të mos ndodhin ngritje tensionesh. I vetmi kujdes që duhet bërë është të evidentohen mirë rastet ku kanë gabuar shqiptarët që të mos bien dy herë në të njëjtin gabim dhe çfarë duhet të refuzojnë nga ato që u kërkohen për të mos dalë më dy herë të humbur, në real-politikë edhe në moral-politikë. /shenja