Revista britanike: Shqipëria ndër 15 vendet që të gjithë do të vizitonin në 2019

Shqipëria është në 15 vendet më të preferuara për britanikët për tu vizituar gjatë vitit 2019.

Revista e famshme britanike “Harper’s Bazaar” që i kushtohet botës së modës, artit dhe kulturës ka zhvilluar një sondazh në instagram në bashkëpunim ekspertët e udhëtimeve për vendin që dëshirojnë të vizitojnë turistët në 2019 dhe Shqipëria renditet e 8-a në 15 më të preferuarat,  me vende si Sri Lanka, Kanadaja, Zelanda e Re apo Japonia, shkruan oranews.tv.

“Ky vend i Europës Jugore për një kohë të gjatë ka qenë nën hijen e tërheqjes turistike që kishin vendet fqinje si Greqia dhe Mali i Zi, megjithatë, disa ekspertë udhëtimesh parashikojnë se 2019 do të jetë viti i këtij vendi”, thotë Harper’s Bazaar.

“Booking.com cilëson Ksamilin, në jug të vendit, një xhevahir të fshehur. Për më tepër, ajo thekson se ky vend është vlerësuar nga vizitorët e mëparshëm për gatimet e detit dhe njerëzit miqësorë”, shkruan revista britanike.

Shqipëria ka arritur të listohet edhe nga “Lonely Planet” në destinacionet më të mira për vitin 2019: “Shqipëria mbetet një destinacion ku mund të ngjisësh male të bukura, të qëndrosh në fshatra të vogla dhe përtej kohës si dhe të eksplorosh kryeqytetin Tirana plot gjallëri shumë më i lirë se sa kudo tjetër në Europë”.

Artikulli ka gëzuar dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e ka postuar në faqen e tij në fb.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë tjetër vlerësim prestigjioz për Shqipërinë si një ndër 15 vendet që të gjithë do të vizitonin gjatë vitit 2019, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.