Richard Grenell, i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, transmeton lajmi.net.

Grenell do të vazhdojë të kryejë funksionin e ambasadorit amerikan në Berlin por në mënyrë aktive do të merret me bisedimet për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes.

Vendimi konsiderohet i befasishëm marrë parasysh se administrata amerikane në fund të gushtit kishte emëruar diplomatin Mathew Palmer si të dërguarin special për Ballkan i cili mes tjerash, besohej se do të merret edhe me dialogun.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina, transmeton lajmi.net.

Pala serbe për vazhdimin e dialogut ka kërkuar heqjen e taksës. Bashkimi evropian që deri më tani kishte rolin e asistuesit në dialog në disa raste ka bërë thirrje për pezullimin e vendimit për taksë në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut. Kërkesën e tyre e kanë mbështetur edhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare.

Normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është parakusht që të dyja shtetet të vazhdojnë procesin e integrimit euroatlantik. Në Kosovë të dielën do të mbahen zgjedhjet e reja paralamentare kurse nga Brukseli dhe Washingtoni presin që një prej vendimeve të para të qeverisë së re të jetë pikërisht pezullimi i vendimit për taksë në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i bisedimeve.

Bashkimi evropian po ashtu pritet të emërojë të dërguarin e tij special, njësoj sikurse Grenell, i cili do të merret ekskluzivisht me bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.