Rinia e bartë misionin e Islamit

Të rinjtë kanë qenë gjithmonë bartësit e thirrjeve të të Dërguarve të Allahut xh.sh..Shokët e Pejgamberit a.s. kanë qenë të rinj. Më i moshuari prej tyre ishte Ebu Bekri r.a., i cili, kur e pranoi Islamin, ishte në moshën 38 vjeç. Në mesin e tyre ka pasur edhe të rinj që nuk kishin mbushur as dhjetë vjeç, si Ali ibn Ebu Talibi r.a…

Dr. Jusuf El-Kardavi 

Porosi rinisë muslimane në mërgim*

Ishin të rinjtë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan Islamin, e përkrahën Pejgamberin a.s. dhe qëndronin pranë tij kundër atyre pleqve që nuk dëshironin të braktisnin rrugën që kishin ndjekur të parët e tyre. Prandaj, nuk është çudi që në ditët e sotme që e gjejmë se shumica e atyre që e bartin misionin e Islamit, të jenë të ri. Përgjegjësitë dhe detyrimet e muslimanit të mërguar Rinisë muslimane në mërgim i takojnë disa përgjegjësi dhe detyrime:

1- Mbrojtja e identitetit musliman

Përgjegjësia dhe detyrimi i parë është që të vazhdojnë ta mbrojnë identitetin e tyre musliman. O musliman mërgimtar, ruaje ekzistencën tënde islame dhe ki kujdes që të mos shkrihesh në këtë shoqërie ta humbësh veten dhe ta dëmtosh ekzistencën tënde. Çfarë vlefte ka, nëse merr ndonjë titull shkencor, e i humb shkallët e larta tek Allahu xh.sh.? Çfarë vlefte ka, nëse siguron dynjanë,kurse e humb fenë, ashtu siç kanë bërë disa njerëz në këtë vend dhe në vende të tjera: ata kanë fituar dhe kanë mbledhur pasuri, po e kanë humbur veten?! Ç’është vlefta e tërë kësaj? Këto nuk kanë kurrfarë vlefte nëse nuk e mbron identitetin tënd islam: duke u falur, duke e dhënë zekatin, duke agjëruar, duke hequr dorë nga të ndaluarat (haramet), .. duke u kujdesur për fenë tënde, kudo që të jesh. Allahu adhurohet në çdo vend: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh”. (Tirmidhiu nga Ebu Dherri r.a. dhe Muadh ibën Xhebeli r.a.).
Kjo është porosia e Pejgamberit a.s. për ty, o musliman, kudo që të jesh: në Lindje a në Perëndim, në Amerikë apo në Evropë, në Japoni apo në Rusi, në Afrikë apo në Australi. Të jetosh me Islamin duke u krenuar me kryelartësi për të, duke e ngritur kokën tënde, sepse Allahu të ka nderuar me Islam. Mos e fsheh që je musliman!

2- Mbrojtja e familjes dhe e pasardhësve

Nuk kërkohet ta mbrosh identitetin tënd mysliman vetëm për vete, por, nëse je i martuar, duhet ta mbrosh identitetin edhe të familjes sate. Mbroje dhe ki kujdes për Islamin dhe identitetin e gruas sate e të fëmijëve të tu, nëse ke fëmijë. Mos lejo që fëmijët e tu të asimilohen e të treten në shoqëri, ashtu siç tretet akulli nën rrezet e diellit. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët” (Et-Tahrim, 6).
Disa njerëz më patën thënë: Ne këtu (në mërgatë) nuk mund të jetojmë me Islam, e as t’i edukojmë fëmijët tanë sipas Islamit. U thashë atyre: Nëse është kështu, atëherë kthehuni andej prej nga keni ardhur. Prej nesër ose që sot merrni udhën e kthimit, e mos qëndroni në një vend ku nuk mund të ruani prej zjarrit veten dhe familjet tuaja.
E keni obligim ta mbroni identitetin tuaj islam duke u krenuar me të, siç ka thënë Allahu xh.sh.: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit në rrugën e Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë, me të vërtetë jam prej muslimanëve”? (Fussilet, 33), pra, e thotë me lavdërim, me madhështi dhe me krenari se ai është prej muslimanëve. Nuk mburret që është arab apo joarab, mirëpo mburret me atributin: se ai është prej muslimanëve.

Thirrja në Islam

Detyrë jotja, o vëlla musliman dhe o mërgimtar i ri, është që në këto vende të thërrasësh (të tjerë) në Islam, të jetosh thirrës për këtë fe. Mos mendo se thirrja për Islamin është e kufizuar vetëm për hoxhallarët, dijetarët, mendimtarët apo shkrimtarët. Jo, çdo musliman është thirrës dhe misionar i fesë së tij. Kushdo që pason Muhamedin a.s., u përket thirrësve (misionarëve). Çdonjëri thërret për Islam sipas mundësive të tij: dikush thërret duke shkruar libër,dikush duke ligjëruar, dikush duke predikuar, dikush me fjalë të mira, dikush me shembull të mirë, e dikush duke vizituar shokun e vet. Çdo musliman thërret për Islam ashtu siç mundet. Me rëndësi është që ta bartë elanin e thirrësit-misionarit, dhe të dijë se është përgjegjës për përhapjen dhe komunikimin e misionit islam, duke i ngjarë Pejgamberit a.s.. O muslimanë, është turp për ne që për çdo filozofi , fe e lëvizje të ekzistojnë misionarë, ndihmës, pasues e mbrojtës që përpiqen t’i përhapin idetë e tyre, t’i ndërtojnë e t’i lartësojnë fjalët e tyre, kurse Islami të mos gjejë në mesin e bijve të tij kush ta mbrojë, ta ndihmojë e t’ua komunikojë njerëzve. Jo, nuk na lejohet kjo.
Kam lexuar sesi një njeri e kishte studiuar Islamin dhe kishte lexuar për të, e pastaj e kishte thënë këtë fjalë: “Sa fe e bukur qenka kjo, sikur të kishte burra!” Dëshirojmë të kemi burra si as’habët për Islamin, dëshirojmë as’habë të rinj që e bartin bindjen dhe guximin e as’habëve, vendosmërinë dhe shpirtmirësinë e tyre.
E kush janë as’habët? Ata janë njerëz të ngjashëm me ne. Dallimi ndërmjet nesh dhe atyre është se ata janë rritur në politeizëm e injorancë të çiltër, ndërsa ndjemi rritur në shoqëri islame. Obligim yni është që t’i imitojmë ata, t’u ngjajmë atyre, dhe sërish ta ndihmojmë Islamin, e ndoshta do të kemi shpërblim më shumë se kanë pasur shumë nga as’habët, edhe pse s’e kemi pasur fatin ta shihnim të Dërguarin e Allahut xh.sh. ashtu siç kanë qenë të nderuar ata që e ka ë parë, dhe ndoshta kjo do të na bëjë dobi.
O djalosh i ri musliman, obligimi yt është që ta ruash identitetin tënd dhe të familjes sate, e kjo nuk mjafton,por në vete patjetër duhet ta bartësh davetin thirrjen. Motoja e muslimanit është: “Përmirësoje veten dhe thirri të tjerët”. Muslimanit nuk i lejohet të veprojë vepra të mira e ta lërë thirrjen në rrugën e Allahut.
O musliman, obligim yti është që ta bartësh Islamin, ta bartësh këtë fe, këtë mision, të thërrasësh dhe të jetosh për të, të jesh i lumtur për bartjen e tij, të ndiesh se je prej udhëheqësve të mirë dhe bartësve të ndriçimit hyjnor, të gjesh kënaqësi e lumturi në të si asnjëherë më parë.

Interesimi dhe kujdesi për çështjet e muslimanëve

Vëlla imi, ti që jeton në mërgim, obligimi yt është që të mos vetmohesh nga vëllezërit e tu muslimanë në të gjitha vendet islame. Obligimi yt është që të jesh në kontakt me ta, të jetosh me shqetësimet e tyre, të jetosh me problemet
e tyre, sepse: “Ai që nuk interesohet për çështjen e muslimanëve, nuk është prej nesh (prej Ymetit islam)”. (Taberaniu nga Hudhejfe ibn Jemani r.a.).
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër” (El-Huxhurat, 10).
Ku është vëllazërimi islam dhe ku është lidhja e besimit, nëse çdonjëri prej nesh jeton vetëm për veten? Kolonizatorët e krishterë-komunistë kanë dëshiruar ta çajnë Ymetin islam, ta copëtojnë pjesë-pjesë, në mënyrë që të mos e ndiejnë njëra -tjetrën, e as të mos i dhimbsen njëra-tjetrës. Kanë dëshiruar t’i ngjallin fanatizmat kombëtare dhe popullore, në mënyrë që çdonjëri të thotë: atdheu im apo kombi im. Dikush thërret për kombësinë arabe, dikush tjetër për atë turane, e tjetri për indiane, etj.. Jo, kombësia e muslimanit është Islami. Islami është grumbullues i muslimanëve. Muslimanët janë një ymet. Ymeti ynë është ymet i vetëm, një kible kemi, një Libër kemi, Një Zot kemi, një të Dërguar kemi, një besim kemi, një Sheriat kemi,atëherë pra, nuk lejohet kurrë që të griset/të përçahet ky Ymet: “Shembulli i besimtarëve në dashuri,mëshirim dhe butësi (reciproke) është sikurse shembulli i trupit; nëse ankon një gjymtyrë, i tërë trupi ankon nga pagjumësia dhe ethet”. (Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi nga Nu’man ibn Beshiri r.a.).
Në këtë mënyrë duhet të jetojmë me vëllezërit tanë në çdo vend, të mos i lëmë pas dore e as t’i harrojmë ata, sepse ne jemi një ymet. Kështu kanë jetuar muslimanët në kohët e para, dhe kështu duhet të jetojmë. Nuk duhet t’u dorëzohemi e as t’u nënshtrohemi këtyre rrymave të brendshme dhe ideve të importuara, të cilat dëshirojnë të na ndajnë në grupe e të na shqyejnë e copëtojnë, që më pastaj t’u lehtësohet asgjësimi ynë.

Puna kolektive për Islamin

Obligimi ynë është që ta dimë se ne nuk mund ta mbrojmë identitetin tonë dhe të familjeve tona, as të kryejmë thirrjen tonë, e as t’u ndihmojmë vëllezërve tanë, nëse çdonjëri nesh jeton për vetveten, i pavarur dhe i veçuar prej të tjerëve,punon vetë. Jo, nuk mund të punosh vetë, e as mund ta mbrosh vetë Islamin tënd, se do të të gëlltitë rryma e do të të hedhë në këtë det të madh, do të jesh i tretur (i asimiluar) e i zhdukur. Mirëpo, do të mund t mbrosh fenë tënde, fenë e familjes sate dhe të fëmijëve të tu, do të mund të thërrasësh për Islam dhe t’u ndihmosh vëllezërve të tu vetëm nëse dorën tënde e vë mbi duart e vëllezërve të tu: “(Allahu) Tha: Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd” (El-Kasas, 35).
Njeriu është i vogël (i dobët, i pavlerë) kur është I vetëm, ndërsa i madh (i fortë,me vlerë) kur është me vëllezërit dhe shoqërinë e tij. Shoqëria është forcë e nënshtrimit, mburojë nga mëkatet, mundësi për ballafaqimin me armikun dhe mundësi për zgjidhjen e problemeve. Ti je i dobët kur të jesh i vetëm, mirëpo me vëllezërit e tu je i fortë. Djalli është ujk i njeriut, e ujku i ha delet e ndara nga tufa. Ki kujdes e mos u bëj si delja e ndarë nga tufa, mos u largo nga turma dhe shoqëria, e të gëlltitesh e të asgjësohesh.

Qëndro me shoqërinë, përpiqu të jesh me vëllezërit e tu.

Po sikur të mos vinin tekstet kuranore e të na urdhëronin për bashkim e lidhje, dhe që: “Besimtari për besimtarin është sikur një ndërtesë, tullat e së cilës mbajnë njëra-tjetrën” (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu nga Ebu Musa El Eshariu r.a.), do të na detyronin interesi dhe nevoja që të jetojmë së bashku dhe të mos jetojë ndonjëri prej nesh veçmas, sepse armiqtë tanë nuk punojnë veçmas, po punojnë në grupe dhe në mënyrë kolektive. Nëse nuk e marrim për mik njëri tjetrin, ashtu siç bëjnë jobesimtarët, nëse nuk ndihmojmë njëri-tjetrin, nëse nuk grumbullohemi njëri me tjetrin, do të bëhet trazirë dhe rrëmujë e madhe në tokë,sepse do të ndodhë bashkimi në anën e jobesimtarëve, e ndarja në anën e Islamit.
Vëllezër të dashur, këto janë porositë e mia për ju që jeni në mërgim. Obligim yni tonë islam, të fortë e të ngurtë, që nuk asimilohet, as tretet e as harrohet. Detyrë jona është që kësaj shoqërie t’ia bartim thirrjen në Islam: vetave tona, vëllezërve tanë muslimanë që jetojnë këtu, çfarëdo qofshin kombësitë e tyre,madje edhe vetë shoqërisë amerikane, sepse kjo shoqëri ka shumë nevojë për Islam. Jeni të detyruar që këtë Islam t’ua paraqitni njerëzve, ta ruani veten dhe t’i thirrni të tjerët. Të ndihmoheni ndërmjet veti e të bashkoheni, dhe të mos jetojë ndonjëri prej jush i vetëm e të humbasë në mes të kësaj shoqërie.

*Kjo ligjëratë është mbajtur në Kongresin e të rinjve muslimanë në Amerikë. Nuk dihet qyteti dhe koha e mbajtjes së saj (përkthyesi)

Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2001, vëllimi IV, f. 214-227).
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo