RMV: Nesër pritet të shpallet gjendja e krizës në fushën e energjisë

Nesër pritet të shpallet gjendja e krizës në fushën e energjisë. Vendimi do të jetë i vlefshëm nga 1 shtatori dhe sipas njoftimeve të autoriteteve nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike në periudhën e dimrit nëse gjithçka shkon sipas planit. Nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat e miratuara nga Qeveria për kursimin e energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Nga ministria e ekonomisë thanë se nuk presin ndonjë kufizim nëse gjithçka shkon sipas planit të Kompanisë Elektrike të Maqedonisë së Veriut. Siç është paralajmëruar, po zhvillohen bisedime edhe me ministritë e energjetikës së Serbisë dhe Bullgarisë që të mos ndalen kapacitetet ndërkufitare dhe problemet e furnizimit.

Gjithashtu edhe drejtori i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, ka njoftuar se kompania punon me kapacitet maksimal sipas kapaciteteve aktuale të termocentraleve dhe resurseve dhe se  plotësohen nevojat e furnizuesit universal EVN Home për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël.

Qeveria më 16 gusht shpalli edhe masat për kursimin e energjisë elektrike deri në 15 për qind të cilat do të vlejnë deri në mars të vitit të ardhshëm. Për familjet dhe kompanitë ato janë në formë rekomandimi, ndërsa për institucionet shtetërore ka detyrime konkrete që do të duhet t’i respektojnë pasi në të kundërtën do të pasojnë sanksione.

Nga ministria e ekonomisë kanë njoftuar se para nesh është një nga dimrat më të rëndë në planin energjetik, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet në rajon, si dhe në Evropë. Në mënyrë që më lehtë të përballemi me atë që na pret, për furnizim të papengueshëm me energji elektrike, shpenzim racional dhe fatura më të ulëta, përgatitëm plan dhe rekomandime për kursim të rrymës. Masat janë ndarë në disa kategori, varësisht nëse bëhet fjalë për amvisëri, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje në pronësi shtetërore. Qëllimi është ulja e konsumit për 15 për qind krahasuar me muajin e njëjtë vitin e kaluar. Nëse nuk arrihet ky qëllim, do të pasojnë, në pajtim me kodin etik dhe të gjitha dekretet, sanksione të caktuara për të gjithë udhëheqësit e institucioneve.

Medina Ajeti /SHENJA/