Roli i Mbretit Zogu I në mosratifikimin e Konventës nga ana e Turqisë

Qerim Lita

Më 16 nëntor 1938, Komisioni i posaçëm i zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Parlamentit Shqiptar, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën u lexua mesazhi i Mbretit Zogu I, me rastin e hapjes së “Sesionit në tretë të Legjislaturës së Tretë të Mbretërisë”, ku në mënyrë të qartë kundërshtohej Konventa Turko-Jugosllave e Stambollit.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Më 9 qershor të vitit 1938 në Stamboll filluan negociatat midis delegacioneve qeveritare të Republikës së Turqisë dhe asaj të Mbretërisë Jugosllave rreth arritjes së një konvente për shpërnguljen e popullsisë myslimane (shqiptare e turke) nga Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme të Veriut dhe nga Mali i Zi. Delegacionin turk e përfaqësonte Hasan Saka, deputet i popullit dhe ish ministër, ndërsa delegacioni jugosllav përbëhej nga Millan Ristiq, shef i Dhomës Politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Vojisllav Magovçeviq, inspektor pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në negociata ishte paraparë të merrte pjesë edhe një delegat rumun dhe një mbikëqyrës grek. Negociatat zgjatën deri më 11 korrik të atij viti, në të kur të dy palët negociuese e parafuan tekstin përfundimtar të Konventës, e cila parashihte që brenda gjashtë viteve, duke filluar nga viti 1939 e deri në vitin 1944, nga Kosova, trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme të Veriut dhe Mali i Zi, të shpërnguleshin gjithsej 40.000 familje shqiptare myslimane. Në nenin I paragrafi 1 të Konventës shprehimisht thuhej: “Do të lejohen të marrin përfitime nga kjo Konventë shtetasit jugosllavë myslimanë me prejardhje turke që e flasin gjuhën turke si dhe ata që kanë kulturë turke”, ndërsa neni II i përcaktonte rajonet të cilat u ishin nënshtruar shpërnguljes, që ishin si më poshtë:

1)  Rrethet e Banovinës së Vardarit, si: Nga Mali Sharr (Prizreni), nga Gora (Dragashi), nga Podgurra (Suhareka), nga Nerodimja (Ferizaji), nga Pollogu i Poshtëm (Tetova), nga Pollogu i Epërmë (Gostivari), nga Galica (Radastushi), nga Dibra (Dibra), nga Struga (Struga), nga Graçanica (Prishtina), nga Kaçaniku (Kaçaniku), nga Gjilani (Gjilani), nga Presheva (Presheva), nga Prespa (Rresnja), nga Ohri (Ohri), nga Kërçova (Kërçova), nga Krusheva (Krusheva), nga Poreçi (Brodi i Jugut), nga Prilepi (Prilepi), nga Manastiri (Manastiri), nga Kavadari (Kavadari), nga Marihova (Manastiri), nga Negotini mbi Vardar (Negotini mbi Vardar), nga Shkupi (Shkupi), nga Kumanova (Kumanova), nga Velesi (Velesi), nga Ovçe Pole (Sveti Nikola), nga Shtipi (Shtipi), nga Koçani (Koçani), nga Radovishi (Radovishi), nga Strumica (Strumica), nga Dojrani (Vallandova), nga Gjevgjelia (Gjevgjelia), nga Kriva Pallanka (Kriva Pallanka), nga Kratova (Kratova), nga Carevo Sello (Carevo Sella), nga Malesheva (Berova);

2) Rrethet e Banovinës së Zetës, veçmas: Nga Peja (Peja), nga Istogu (Istogu), nga Mitrovica e Kosovës (Mitrovica), nga  Gjakova (Gjakova), nga Podrimja (Rahoveci);

3) Rrethet e Banovinës së Moravës, si: Nga Llabi (Podujeva), nga Vuçitërna (Vuçitërna), nga Drenica (Skënderaji).

Qeveria Jugosllave do të vendos vetë se në cilat rajone do të nisë së pari shpërngulja.”.

Nga kjo shihet qartë se me përjashtim të disa rajoneve në pjesën lindore të Maqedonisë së sotme, ku siç dihet banorët myslimanë i takonin kombësisë turke (juruk), të gjitha rajonet e tjera ishin të populluara me popullsi shqiptare. Burimet e proveniencës policore e ushtarake jugosllave bëjnë të ditur se Beogradi zyrtar nuk ishte i kënaqur me Konventën e parafuar, duke kërkuar që asaj t’i shtohej edhe shkëmbimi i popullsisë, përkatësisht dëbimi edhe i 100.000 shqiptarëve të tjerë për në Turqi dhe vendosjen e elementit ortodoks nga Turqia në Jugosllavi. Mirëpo, këto shifra nuk i kënaqnin apetitet e pushtetarëve serbomëdhenj, sepse, sipas tyre, dëbimi i 400.000 shqiptarëve nuk i plotësonte “interesat e tyre shtetërore e nacionale serbe” – “dëbimi deri në shqiptarin e fundit” nga tokat e tyre etnike dhe kolonizimi me elementë serbë e malazezë, kjo për arsye se numri i përgjithshëm i shqiptarëve nën pushtimin e tyre arrinte shifrën prej rreth 732.000 banorëve. Nisur nga kjo, ata planifikonin nënshkrimin e një konvente të ngjashme sikurse me Republikën e Turqisë edhe me Qeverinë Mbretërore të Shqipërisë, për shkëmbim të popullsisë, përkatësisht dëbimin e 100.000 shqiptarëve myslimanë në Shqipëri dhe sjelljen e 100.000 shqiptarëve të krishterë (ortodoksë), që ata i konsideronin për “serbë”.

Pikërisht këto projekte antishqiptare e nxitën udhëheqjen politike e diplomatike të Mbretërisë Shqiptare që të ndërmarrë masa urgjente, për ta penguar zbatimin në praktikë të Konventës. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë jugosllave, më 19 shtator 1938, njoftonte se Qeveria e Mbretërisë Shqiptare kishte vendosur që brenda disa ditësh ta dërgoj Mehmet bej Konicën në Ankara, me qëllim të ndërmarrjes së “një aksioni te qeveria turke” kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Ndërkohë, i deleguari bullgar në Tiranë, Pejev, më 14 tetor të vitit 1938 i raportonte Sofjes për një takim të tij me ministrin e Punëve të Brendshme të Turqisë, ku ky i fundit ia paska përcjellë shqetësimet e Ankarasë rreth akuzave të Tiranës zyrtare “kundër qeverisë turke sa i përket çështjes për arritjen e Konventës Turko-Jugosllave për shpërnguljen e 250.000 myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi….” “Kjo marrëveshje – thuhej më tej në raport – nuk niset nga një bazë solide, sepse Turqia nuk ka kërkuar nga ajo konventë ta keqpërdorë elementin shqiptar në Jugosllavi, por ka zbatuar politikë në grumbullimin e popullsisë së vet turke, sepse konsiderohej se në Jugosllavi së paku ka 150.000/në vend të maksimumit 50.000, siç dëshmojnë faktorët relevantë shqiptar/” dhe nëse “ato parashikime tregohen si të pabaza, nuk përputhen me realitetin, nuk do të pranohen 250.000 vetë, por më pak”. Në vazhdim, Pejevi shkruante për pakënaqësinë e Ankarasë rreth alarmit në Tiranë, “i cili alarm dhe pakënaqësi e ka tejkaluar edhe mirësinë turke”, në radhë të parë nga personalitete gjysmëpërgjegjëse shqiptare, të cilët për të njëjtën çështje “kanë prezantuar memoare” dhe kanë vënë në pah “ndërkëmbëza dhe akuza” kundër Turqisë. Lidhur me udhëtimin e Mehmet Konicës për në Ankara, Pejevi shkruante se bashkëbiseduesi i tij ishte i bindur “për një pritje të mirë të Konicës”, mirëpo me siguri se “personalisht ai” do të përmbahet nga përpjekjet publike kundër Konventës së njëjtë turko-jugosllave. Në fund të raportit, Pejevi informonte edhe për takimin e një dite më parë të tij me deputetë të shquar shqiptarë, të cilët e kishin informuar se për marrëveshjen e njëjtë “disa deputetë kosovarë/për shembull Jashar Erebara/” kishin planifikuar të diskutojnë në komisionet përkatëse parlamentare ose të bëjnë “interpelancë rreth këtij rreziku për elementin shqiptar në Jugosllavi…”.

Ashtu siç qe paralajmëruar nga diplomati bullgar, më 16 nëntor 1938, Komisioni i posaçëm i zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Parlamentit Shqiptar mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën u lexua mesazhi i Mbretit Zogu I, me rastin e hapjes së “Sesionit në tretë të Legjislaturës së Tretë të Mbretërisë”, ku në mënyrë të qartë kundërshtohej Konventa   Turko-Jugosllave e Stambollit. Pas kësaj, para të pranishmëve foli deputeti shqiptar nga Dibra, Jashar bej Erebara, fjalimin e të cilit në vazhdim po e paraqes të plotë dhe në formë origjinale:

“Z. Kryetar, Herën e parë, përpara se të nisi fjalën, falenderoj shokët e komisionit që patën guximin të shtinë në përgegjen e fjalës së fronit, fjalën për minoritetet shqiptare. Këto fjalë, po t’a ndigjojnë shqiptarët që ndodhen jashtë Shtetit, do t’a konsiderojnë se na po i ndihmojmë ne ata. Na u dha okasion edhe ne me e ngrehë zanin për minoritetet t’ona, dhe këtë okasion na e dha Lord Halifa…. Ministri i jashtëm i Sofies po interesohet për minoritetet e veta, dhe pra edhe ne duhet të interesohemi për minoritet t’ona, aq ma tepër kur kemi punë me njerëz që nuk duen të na njofin si njerëz. Ne jemi të qetë e të butë, po sado të vegjël që jemi, edhe ne tundemi, po të na mbesin në qafë, si ay gjarpni që ngrehë bishtin për me i dalë zot vehtes.

            Më 1913 u poqa me Z. Spalakoviq. Aso kohe botoheshe në Bulgari nji gazetë ‘Kambana’ në të cilën s’liheshe gja pa u thanë kundra nesh. I thash pse na atakoni kaq shumë, dhe ay më tha: Z. Erebara e dijmë se Kosova nuk ka Serb, po Kosova na duhet…

  1. Ismet Kryeziu: Kosova asht shqiptare, Z. Erebara….
  2. Erebara: I thashë si u ba kjo, të shkelet e drejta e nji populli, po ay më tha, na kemi qëllimin t’onë, të bashkohemi me Mal të Zi që t’i bajmë front, Austro-Ungarisë, me gjithëse ajo kish mobilizue rreth e per qark kufinit Serbo-Malazez nji milion ushtri.

            Duhet si Qeveria, ashtu populli ta ushqejë idenë e minoriteteve shqiptare, se kemi shqiptarë jashtë Shtetit, të cilët të pakën duhet të rrojnë si njerëz, të kenë shkolla shqipe e mos të merren nëpër kambë.

            Prandej mos të rrim në gjum, e mos të na ngjajnë si për 83 katundet që na i mori Greku, dhe i shiti si turq. Me gjith se mes të tyne mund të ketë pasë edhe turq, po shumica ishin shqiptar e flisnin shqip. Ata punojnë për hesapin e tyne, se ashtu i levërtisë dhe do t’i shembejnë si turq, me gjithëse mund të ketë edhe turq, po shumica janë shqiptarë. Prandej mos të rrimë në gjum! Mund të thuhet se e ka fajin Turqia që i pranon, po ajo ka hapë nji duqan, dhe kush t’i bjerr njerëz i thotë bereqavers! Maqedhonët kanë botue tri libra: ka dalë tash së fundit edhe nji libër tjetër, ku ban fjalë për elementat e ndryshëm, si bulgar, shqiptar, ungarez etj. Kan dhanë shkoqitje me hollosina dhe elementin shqiptar i kanë dhanë nji ngjarë aqë të drejtë që edhe na vetë nuk mund t’i jepshim ngjyrë ma të mirë. I jap fund fjalës tue ftue të gjithë që edhe fëmijve t’ja shtijmë në gjum idenë e Kosovës. Zana: Bravo Zoti Jashar.”.

Sipas Konventës së parafuar, shpërngulja duhej të fillonte më 1 korrik të vitit 1939. Deri atëherë duhej të kryheshin të gjitha formalitetet e nevojshme si: nënshkrimi, përkatësisht ratifikimi i Konventës, hartimi i listave të popullsisë që parashikohej të shpërngulej në vitin e parë, sigurimi i mjeteve etj. Vdekja e kryetarit të Turqisë, Mustafa Qemal Ataturk (10 nëntor 1938), nga njëra anë, si dhe rënia e qeverisë së Stojadinoviqit (mars 1939), nga ana tjetër, ishin shkaqet kryesore për vonesën e nënshkrimit të Konventës. Rol të rëndësishëm për mosratifikimin e këtij dokumenti pati edhe udhëheqja politike dhe diplomatike e Mbretërisë Shqiptare, e cila siç u theksua më lart, menjëherë posa u informua për Marrëveshjen e arritur në Stamboll, e shtoi dukshëm veprimtarinë e saj politike dhe diplomatike. Këtë e pohojnë edhe burimet diplomatike jugosllave të kohës, një pjesë të të cilave në vazhdim po i japim të plota:

*          *          *

Dok.1.

Letër nga M. Stojadinoviq, dërguar Legatës Mbretërore Jugosllave në Ankara, mbi vendimin e Qeverisë së Mbretërisë shqiptare që diplomatin e shquar shqiptar, Mehmet Konicën, ta dërgojë në Ankara, që të ndërhyjë te autoritetet qeveritare turke për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi                          

Dërguar: 19 shtator 1938

Ministria e Punëve të Jashtme

Proc. Nr. 19213

LEGATËS MBRETËRORE

Ankara

Ju lajmërohem për dijeni se Qeveria shqiptare ka vendosur që për disa ditë në Ankara ta dërgojë Mehmet Konicën, për shkak të ndërmarrjes së aksionit te Qeveria turke kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi.

Gjatë udhëtimit për në Ankara, Konica do të ndalet në Athinë.

Ju lutem përcillni aktivitetin e tij.

Stojadinoviq”

Dok. Nr. 2.

“Shkresë e MPJ të Mbretërisë Jugosllave, dërguar Legatës së saj në Ankara, lidhur me jehonën te popullsia shqiptare në Kosovë me rastin e emërimit të Xhuxhuilit si i deleguari shqiptar në Ankara

Rezervat, Proc. Nr. 23336                                                           Beograd, 9 nëntor 1938

 

Lënda: Disponimi i shqiptarëve me rastin e emërimit të Xhuxhulit për të deleguarin shqiptar në Turqi

LEGATËS MBRETËRORE

Ankara

Ministria për Punë të Jashtme është informuar se me emërimin e ish konsullit shqiptar në Shkup, z. Xhuxhulin, si i deleguar fuqiplotë në Ankara, te popullsia shqiptare në Serbinë Jugore ka shkaktuar një jehonë të madhe pozitive dhe shpresë se, me ndërmjetësimin e tij, shpërngulja e popullsisë myslimane nga territori ynë do të hiqet nga rendi i ditës. Popullsia shqiptare konsideron se Xhuxhuli është caktuar si i deleguar me qëllim që Qeverisë turke t’ia sqarojë dhe të dëshmojë se popullsia myslimane jo vetëm në zonat kufitare me Shqipërinë, por edhe pjesët tjera të Serbisë Jugore, është e përkatësisë etnike shqiptare dhe jo turke. Prandaj, pranimi i atij elementi, i cili as për nga gjaku e as për nga gjuha nuk është i afërt me turqit, për Turqinë do të paraqiste një barrë, i cili vetëm se do të pengonte në riatdhesimin dhe organizimin që tash po kryhet në Turqi.

Ministria për Punë të Jashtme ka nderin të mësipërmen t’ia dërgojë Legatës Mbretërore për shkak të njoftimit.

Me urdhër të ministrit

Për kryeshefin e Dhomës Politike Këshilltari”

Dok. Nr. 3

“Analizë e MPJ të Mbretërisë Jugosllave, mbi veprimtarinë politike e diplomatike të Mbretit Zogu I dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, në pengimin e zbatimit të Konventës Turko-Jugosllave e cila parashihte shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare myslimane për në Turqi

Sektori Politik IV

PËRPJEKJE PËR NGRITJEN E ÇËSHTJES SË PAKICËS SHQIPTARE NË VENDIN TONË

Parafimi i Marrëveshjes jugosllavo-turke për shpërnguljen e turqve nga Serbia e Jugut, nxiti faktorët zyrtarë shqiptarë të ndërmarrin veprime kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Në të vërtetë, ky veprim ka ekzistuar edhe më herët, sepse konsullatat shqiptare në Serbinë e Jugut (Shkup dhe Manastir – Q. L.) janë përpjekur që shqiptarët të shpërngulen sa më pak në Shqipëri apo Turqi dhe, përmes agjentëve të tyre, i kanë këshilluar që të mos i lëshojnë vatrat e tyre për asnjë çmim. Po këtë e kanë bërë edhe politikanët dhe zyrtarët shqiptarë kur kanë ra në kontakt me shqiptarët tanë. Konsullatat shqiptare kanë refuzuar të lëshojnë viza shpërngulëse për në Shqipëri, ndërsa konsulli shqiptar në Shkup, Xhuxhuli, ka bërë përpjekje tek konsulli turk nga i njëjti qytet që shqiptarëve të mos u lëshojë viza shpërngulëse për në Turqi.

Kur e ka kuptuar se midis Jugosllavisë dhe Turqisë kanë filluar negociatat për shpërnguljen e turqve, Mbreti Zog e ka ftuar njërin nga agjentët e tij, i cili deri atëherë punonte në Vjenë dhe e ka dërguar në Gjenevë, që, në cilësinë e përfaqësuesit të byrosë diplomatike shqiptare, ta ngrejë çështjen e pakicës shqiptare tek ne. Mbreti Zog i ka thënë se, fillimisht, veprimi duhet të jetë sa më konspirativ. I ka thënë edhe atë se mendon që në botën e jashtme të botoj një gazetë e cila do të merret në mënyrë ekskluzive me çështjen e pakicës shqiptare, ose nëse kjo nuk do të kishte mundësi, përmes subvencionimit të përfitoj ndonjë gazetë e cila tashmë botohet.

Tërë kjo veprimtari ka qenë e fshehur dhe sporadike. Mirëpo, pas parafimit të Marrëveshjes për shpërnguljen e turqve nga Serbia Jugore, veprimet e Shqipërisë bëhen publike dhe të një përmase të gjerë. Dalja për herë të parë në publik e kësaj çështjeje ndodhi me rastin e Kongresit të Lidhjes Botërore për ndihmë miqësore ndërkombëtare të Kishës, të mbajtur në Llarvik, në muajin gusht të këtij viti. Atje mitropoliti, z. Visarion, me urdhër të Mbretit Zog dhe udhëzimet e ministrit të Punëve të Jashtme, z. Libohova, Komisionit të Lidhjes së Pakicave i dorëzoi një Memorandum në të cilin ka vërë në dukje brengën e tij që, me rastin e zbatimit të Marrëveshjes për shpërnguljen e turqve nga Jugosllavia, të mos shpërnguleshin edhe shqiptarët nga viset tona. Më tej ai ka kërkuar të ndërmerren hapat e duhura që mos të vijë deri te ajo shpërngulje, ndërsa zbatimi i Marrëveshjes t’i besohet një komisioni neutral. Përveç kësaj, ai i ka kërkuar të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e pakicës shqiptare tek ne. Në Memorandum, krahas akuzave pak a shumë të njohura, pati edhe komplimente të shumta për Jugosllavinë. Lidhur me këtë Memorandum nuk u zhvillua debat, për arsye se mitropoliti Visarius atë e tërhoqi, ndërsa si shkas për tërheqjen e tij e nënvizoi faktin se teksti në frëngjisht i Memorandumit është përmirësuar së tepërmi dhe se një tekst i tillë nuk është i përshtatshëm të depozitohet.

Menjëherë posa mitropoliti z. Visarius u kthye nga Llavrik-u, Mbreti Zog e dërgoi për Athinë z. Mehmet Konicën, ish ministër. Ai, i ka dhënë z. Konicës dy detyra. E para është e karakterit të përgjithshëm, ndërsa e dyta i përket pakicës shqiptare. Z. Konica është dashur të veprojë te qeveria e Turqisë që me rastin e zbatimit të Marrëveshjes për shpërngulje të mos e pranojë popullsinë shqiptare dhe të kërkojë praninë e një përfaqësuesi shqiptar në komisionin për shpërngulje.

Ministri fuqiplotë shqiptar në Sofje, z. Xhemil Dino, kah mbarimi i tetorit, e vizitoi z. Kjoseivanov-in dhe e ka pyetur se a do ta ngrejë Bullgaria çështjen e pakicës së vet në botën e jashtme, veçanërisht në Jugosllavi, që më pas atë do ta bënte edhe Shqipëria. Z. Dino ka shprehur mendimin se tash është momenti shumë i volitshëm për ngritjen e kësaj çështjeje. Ai nuk është kufizuar vetëm në njoftimet zyrtare nga ana e kryetarit të Qeverisë së Bullgarisë, porse ka ardhur në kontakt edhe me Dimitar Shalev-in, ish kryetarin e Komunës në Shkup, tash i emigruar në Sofje, tek i cili është interesuar se maqedonasit a janë të gatshëm dhe a munden të ngrenë aksione terroriste. Shoqëria shqiptare “Gjergj Kastrioti” nga Gery, Indiana, SHBA, i ka dërguar urime Kongresit të Organizatës Politike Maqedonase dhe i ka ofruar gatishmëri për veprime të përbashkëta në rrënimin e Jugosllavisë.

Përveç kësaj, shqiptarët në Pitersburg, më 8 tetor kanë mbajtur një tubim, nga i cili i kanë dërguar një rezolutë Mbretit Zog, duke e lutur që ta ngrejë çështjen e pakicës shqiptare tek ne, ndërsa një rezolutë tjetër z. Musolinit, me të cilën e kanë lutur që ta ndihmojë aspiratën shqiptare. Gjithashtu, shqiptarët nga Nju Jorku kanë dërguar një rezolutë të përbashkët përfaqësuesve të katër fuqive botërore gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Munih, ndërsa një tjetër, të veçantë, Musolinit dhe Hitlerit. Nisma për sjelljen e këtyre rezolutave ka ardhur nga konsulli shqiptar në Boston, i cili të njëjtin sugjerim ua ka përcjellë edhe kolonive të tjera shqiptare në Amerikë. Urdhrin për këtë veprim konsulli shqiptar pa dyshim se e ka marrë nga Tirana.

Po këtë çështje është përpjekur ta bëjë edhe ministri fuqiplotë shqiptar në Sofje. Ai e ka këshilluar shoqërinë “Dëshira” të miratojë dhe depozitojë një rezolutë të ngjashme. Si duket, qeveria bullgare nuk do ta lejojë mbajtjen e mbledhjes së “Dëshirës”.

Edhe në Shqipëri disa kosovarë të shquar kanë bërë përpjekje ta ngrenë aksionin e njëjtë. Ata kanë vendosur ta thirrin një tubim në të cilin do të shtroheshin të drejtat për pakicën shqiptare. Tubimin e ka ndaluar qeveria. Me rastin e kësaj ndalese, disa kosovarë janë takuar në shtëpinë e Qerim bej Begollit dhe kanë vendosur t’i dërgojnë një ankesë Mbretit Zog për shkak ndalimit të tubimit; t’u dërgojnë një qarkore të gjitha shoqërive shqiptare në botën e jashtme që të interesohen për mendimin publik të vendeve përkatëse për pozitën e shqiptarëve tek ne dhe se në botën e jashtme të dalë një gazetë në të cilën do të mbroheshin të drejtat e pakicës shqiptare.

Mbreti Zog i ka anashkaluar kosovarët, sepse ai për ngritjen e një gazete që nga muaji korrik u ka folur përfaqësuesve të byrosë diplomatike në Gjenevë, ndërsa kolonitë shqiptare në Amerikë peticionin e kanë dërguar në fillim të tetorit, me urdhrin e Tiranës, ndërsa kosovarët për këtë çështje kanë vendosur në pjesën e dytë të tetorit. Lidhur me ngritjen e gazetës në botën e jashtme, si duket, qeveria shqiptare mendon ta nxjerrë në Paris ose në Gjenevë në gjuhën frënge dhe për drejtor ta emërojë Bedri Pejanin.

Shtypi shqiptar, nga ana e tij, gjithashtu ka iniciuar një aksion të karakterit të pastër irredentist, megjithëse nën formën e hulumtimeve historike. Bëhet fjalë për “Lidhjen e Prizrenit”, e cila që para gjashtëdhjetë viteve është ngritur kundër Kongresit të Berlinit, që Plava, Gucia dhe Ulqini t’i bashkëngjiten Malit të Zi. Gazeta “Drita” ka ngritur një anketë për “Lidhjen e Prizrenit” dhe i ka ftuar të gjithë ata të cilët rreth kësaj kanë se për çfarë ta informojnë. Gazeta ka për synim që, fillimisht, përmes artikujve, ndërsa më vonë edhe përmes një libri, ta vë në dukje punën e atyre njerëzve të cilët në atë periudhë kohore kanë vepruar për çështjen kombëtare shqiptare. Synimi është plotësisht i qartë – “Drita” dëshiron të zhvillojë irredentizëm te shqiptarët tanë dhe te shqiptarët e Shqipërisë, për t’ju treguar sesi gjyshërit e tyre që para gjashtëdhjetë viteve kanë luftuar, edhe pse në atë kohë nuk ka ekzistuar asnjë pëllëmbë toke e Shqipërisë së pavarur.

Për sa u tha më sipër, shihet qartë se Mbreti Zog është i vendosur që në përmasa të gjera ta ngrejë çështjen e pakicës shqiptare tek ne.

3 nëntor 1938

Beograd”.

Dok. Nr. 4

Raport i Xhandarmërisë së Divizionit të qarkut të Vardarit, lidhur me një mbledhje të mbajtur, më 20 mars 1939, në Tiranë, nga ana e krerëve më të njohur shqiptarë, në të cilën  është folur për rënien e qeverisë së Stojadinoviqit dhe rrethanat e reja të krijuara pas kësaj lidhur me Konventën Turko-Jugosllave

 

Proc. Nr.291                                                          Shkup, 28 mars 1939

Rreshteri i repartit të Xhandarmërisë, me Proc. Nr. 172, nga 24 marsi njofton:

“I besuari, i cili sot ka arritur nga Shqipëria, më informoi:

1.- Më 20 mars, në Tiranë u mbajt një mbledhje e parisë më të njohur shqiptare në të cilën është folur: “Se qeveria e Millan Stojadinoviqit ka rënë për shkak të pëlqimit dhënë Italisë dhe Gjermanisë, se Jugosllavia do të ngelë neutrale në rast se Hungaria me Gjermaninë e okupojnë Rumaninë. Për këtë marrëveshje, Qeveria e Rumanisë u informua me kohë dhe Mbreti Karol intervenoi te mbreti i Anglisë. Këta krerë më të njohur shqiptarë e konsiderojnë si të sigurt se rënia e qeverisë së Millan Stojadinoviqit është dobiprurëse edhe për ta, respektivisht frytdhënëse për Shqipërinë dhe për mbarë kombin shqiptar, sepse tashti Jugosllavia nuk do të mund ta bëjë shpërnguljen e shqiptarëve nga territori i tyre sipas Konventës së aprovuar ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, duke e pasur parasysh rënien e qeverisë së dr. Millan Stojadinoviqit dhe se edhe deri më sot Parlamenti jugosllav e ai turk nuk e kanë marrë në shqyrtim këtë Konventë e ajo as që është zbatuar në vepër, ndërsa i deleguari shqiptar në Ankara, me urdhër të Qeverisë shqiptare, ka ndërmarrë hapin e duhur te faktori kryesor i Turqisë, që ta pengojë zbatimin e Konventës, krijuesit kryesorë të së cilës janë Qemal Ataturku dhe dr. Stojadinoviqi. Qeveria shqiptare ia ka dërguar udhëzimet e nevojshme konsullit shqiptar në Shkup, që në mënyrë të përshtatshme ta njoftojë popullsinë myslimane në Serbinë e Jugut, se plani rreth shpërnguljes së popullit shqiptar ka rënë”.

  1. Populli shqiptar frikohet nga protektorati italian, ndërsa popullsia shqiptare në territorin e Jugosllavisëdëshiron që Qeveria italiane ta okupojë Shqipërinë, gjithsesi duke menduar se Italiame çdo kusht do ta merrte në mbrojtje popullsinë shqiptare në territorin e Jugosllavisë, me çka përsëri do të arrihej qëllimi i tyre, të mos shpërngulen, për ç’arsye më së shumti frikohen dhe janë në stres.

Nga ana tjetër, ky raport nuk është kontrolluar”.

Raporti i mësipërm dërgohet me lutje për competence”.

Dok. Nr. 5

“Letër nga i deleguari jugosllav në Londër, Dr. I. Subotiq, dërguar ministrit të jashtëm, Alaksandar Cincar-Markoviq, mbi bisedën e zhvilluar me homologun e tij turk, Ruzhdi Aras, lidhur me mosratifikimin e Konventës nga ana e Republikës së Turqisë

Londër, 6 korrik 1939

Lënda: Ruzhdi Aras rreth konventës jugosllavo-turke për shpërnguljen nga Serbia e Jugut

Zoti Ministër,

Gjatë bisedës që e pata sot me ambasadorin turk të këtushëm, z. Ruzhdi Aras, e prekëm çështjen e konventës për shpërnguljen e popullsisë myslimane nga Serbia e Jugut. Ndaj vërejtjes sime se qeveria turke e ka ndryshuar pikëpamjen e deritanishme dhe se tash, siç duket, nuk dëshiron ta nënshkruajë këtë konventë të projektuar, z. Aras m’u përgjigj për sa më poshtë vijon:

Nuk ekzistojnë as ç’far shkaqe politike që qeveria turke të mos e nënshkruajë këtë konventë të parafuar. Të vetmet shkaqe janë ato të natyrës financiare dhe nëse këto shkaqe financiare do të mund të tejkaloheshin, nuk do të mund ta pengonte askush nënshkrimin, ratifikimin dhe kryerjen e kësaj konvente.

Vështirësitë financiare përbëhen në atë që projekti i konventës parasheh që një pjesë të shpenzimeve të shpërnguljes t’i bart Jugosllavia, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve i ngelet barrë Turqisë. Mirëpo, financat turke, për momentin, janë të orientuara në shpenzimet për armatim, prandaj nuk ka mundësi që përmes kredive të ndahen edhe për shpenzimet e shpërnguljes.

Nëse Jugosllavia do të dakordohej që ta marrë përsipër edhe pjesën tjetër të shpenzimeve, atëherë, sipas mendimit të Aras-it, ajo do të mund menjëherë të nënshkruhej dhe të fillonte të zbatohej. Pagesa do të mund të kryhej edhe në mall (çimento, dru etj.).

Aras-i shtoi edhe mendimin se interesi turk është që Jugosllavia, përkatësisht në Serbinë Jugore, përgjatë kufirit shqiptar të ketë sa më pak pakica të cilët një ditë do të mund t’u nënshtrohen ndonjë propagande irredentiste të dirigjuar nga Italia dhe Shqipëria.

Zoti Ministër, urdhëroni pranoni, bindjen e respektit tim të shkëlqyeshëm.

Zotit

Aleksandar Cincar – Markoviq,

Ministrit të Punëve të Jashtme

Beograd

(Dr. I. Subotiq)”.