Ronaldo pas prezantimit te klubi arab: Puna ime në Evropë ka përfunduar

Cristiano Ronaldo edhe zyrtarisht u prezantua sot si lojtari më i ri i skuadrës nga Arabia Saudite, Al Nassr.

Al Nassr bëri një mega transferim, duke siguruar nënshkrimin e pesë herë fituesit të Topit të Artë, Ronaldos, si lojtar të lirë.

Për shumë tifozë anë e mbanë botës, largimi i Ronaldos nga futbolli evropian drejt atij aziatik nënkupton fundin e karrierës së superyllit portugez.

Por, për Ronaldon ky nuk është fundi i karrierës së tij, ndërsa ai e pranoi se puna e tij në futbollin evropian ka përfunduar.

“Nuk është e lehtë të fitosh asnjë ndeshje sot. Evolucioni i futbollit është i ndryshëm dhe ky nuk është fundi i karrierës sime duke u zhvendosur në Lindjen e Mesme. Për mua, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe e di që liga është konkurruese. Kam parë shumë ndeshje”, tha Ronaldo në konferencën për media gjatë prezantimit të tij te Al Nassr.

Ronaldo ka nënshkruar një marrëveshje dy vjeç e gjysmë me Al Nassr, nga e cila do të përfitojë 200 milionë euro në sezon, marrëveshje kjo e cila do ta bëjë portugezin më të paguarin në historinë e futbollit.