Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr

Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka vazhduar me formën e mirë te skuadra e Al-Nassr. Të martën mbrëma, Ronaldo ka shënuar dy gola në fitoren e ekipit të tij ndaj Al-Duhail.

Kjo ndeshje i takoi xhiros së tretë të Grupit E të fazës grupore të Championsit të Azisë, ndërsa Al-Nassr triumfoi me rezultatin 4:3.

Me këtë fitore, Al-Nassr është forcuar në krye të grupit me nëntë pikë pas tri ndeshjeve të luajtura deri më tani.

Krahas dy golave, Ronaldo ka bërë edhe një asistim për Taliscan, i cili e kaloi në epërsi Al-Nassr në minutën e 25-të. Golin e dytë për Al-Nassr, e shënoi Sadio Mane (56’), përpara se Ronaldo të realizojë dy herë për ta vulosur fitoren. Ai shënoi në minutën e 61-të dhe 81-të për triumfin e radhës të ekipit të tij në Ligën e Kampionëve të Azisë.

Aktualisht, Ronaldo këtë edicion ka 14 gola e 7 asistime në 13 ndeshje të luajtura për Al-Nassr në të gjitha garat.