Gruaja e tij, në kërkim të njeriut që i shpëtoi jetën të shoqit, aludimi se ishte shqiptar
Deklaratat e para të serbit 61-vjeçar Ljubisha Karoviç, i cili u plagos gjatë një fluturimi nga Selaniku për në Memmingen të Gjermanisë, janë tronditëse, pasi dritarja e aeroplanit u thye, duke e lënë atë me gjysmën e trupit jashtë kabinës.
Incidenti ndodhi të premten në mëngjes (10/7) në fluturimin FR1879 të Ryanair. Disa minuta pas ngritjes, sipas dëshmitarëve, u dëgjua një zhurmë shurdhuese kur një pjesë e motorit u thye dhe goditi dritaren pranë vendit ku ishte ulur serbi 61-vjeçar. Goditja theu dritaren dhe dekompresimi i papritur rezultoi në rrëshqitjen e pasagjerit drejt hapjes, me kokën dhe shpatullat e tij të dala nga trupi i avionit në një lartësi prej afërsisht 20,000 këmbësh. Gruaja e tij dhe pasagjerë të tjerë e mbajtën nga këmbët derisa arritën ta tërhiqnin përsëri në aeroplan.
“Kisha gjak kudo, në fytyrë dhe duar”
Pothuajse dy javë më vonë, duke folur në një intervistë me gazetën gjermane Bild, Ljubisha Karoviç përshkroi momentet dramatike që përjetoi: “Rashë në gjumë. Pas pak, u zgjova nga një zhurmë shumë e lartë që ngjante si shpërthim bombe. Isha i vetëdijshëm vetëm për një moment dhe nuk mund të kujtoj pjesën tjetër. Kur më rifitova vetëdijen, kisha gjak kudo. Sapo mbyll sytë, më vijnë imazhe të asaj që përjetova në ato minuta. Është një makth që nuk mund ta shpjegoj me fjalë.”
Ai pësoi djegie në një pjesë të krahut të djathtë dhe shpinës nga incidenti. Ana e djathtë e trupit të tij ishte gjithashtu e paralizuar përkohësisht, ndërsa veshi i djathtë dhe syri i djathtë ishin pjesërisht të dëmtuara. Ai tha se nuk ndjeu asgjë për një kohë.
“Është një rrëmujë e plotë në jetën time”
Para këtij incidenti, 61-vjeçari jetonte një jetë të plotë, ishte energjik dhe i pëlqente të udhëtonte me aeroplan. Megjithatë, gjithçka ka ndryshuar tani. “Tani gjithçka më jep ankth. Psikologjikisht, kam arritur në fund. Kjo ka ndikim si në punën time ashtu edhe në familjen time. Gjithçka varet nga unë, unë isha ‘motori’ i gjithçkaje në familje. Është një rrëmujë e plotë në jetën time. Nuk mund të përqendrohem fare. Vëmendja ime nuk mund të përqendrohet askund. Do të thotë që thjesht nuk po funksionoj siç duhet.”
Siç theksoi ai, “As nuk mendoj të hip në një fluturim tjetër. Sa herë që dëgjoj një aeroplan, më kap ankthi. Nuk ndihem aspak mirë.”
Nuk dihet nëse ai do të jetë në gjendje të jetojë përsëri një jetë normale. Ende nuk është e qartë nëse do t’i duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale apo të mbajë një mbajtëse qafe për një periudhë më të gjatë kohore.
Rrëfimi i së shoqes
Disa ditë më parë, gruaja e tij, Svetllana Grkoviç, e cila, së bashku me pasagjerë të tjerë, e shpëtoi nga vdekja e sigurt, foli për këtë incident në rrjetin serb Nova.
“Ishte sikur një pjesë e motorit doli dhe goditi dritaren pranë së cilës ishte ulur Ljubisha. Reagova menjëherë dhe e kapa nga këmbët. Mendova: Nëse do të vdesim, do të vdesim së bashku. Ishte e tmerrshme”, tha ajo.
Ajo e mbajti burrin e saj me gjithë forcën e saj për rreth pesë minuta, derisa pasagjerët e tjerë nxituan për ta ndihmuar dhe arritën ta tërhiqnin përsëri në kabinë. Ndërkohë, maskat e oksigjenit kishin rënë.
Svetllana kujton se një burrë dhe një grua vrapuan menjëherë drejt saj. “Ata erdhën për të më ndihmuar. Më kujtohet një burrë dhe një grua. Ai na ndihmoi shumë, si mua ashtu edhe Ljubishën“, tha ajo, duke shprehur dëshirën për ta takuar përsëri për ta falënderuar personalisht.
Dhe përflitet që ky person të ketë qenë një shqiptar, por ky fakt ende nuk është konfirmuar. /tesheshi





