Rregull: Ligjet e Sheriatit kanë ardhur në dobi të njerëzve

Konteksti i këtij rregulli:

Ky rregull i përgjigjet pyetjes: Përse ka zbritur sheriati dhe përse njerëzit janë të detyruar që ta zbatojnë atë?

Kjo pyetje nuk është një pyetje imagjinare, por përkundrazi ajo është një pyetje që çdo njeri, studjues madje edhe jurist musliman duhet t’i kushtojë vëmendje të plotë për t’i dhënë përgjigje asaj.

Përmbajtjen e këtij rregulli ne e hasim tek trajtimi që dijetarët e Usulit, të Fikhut, Tefsirit dhe Sunetit i bëjnë asaj.Konteksti i këtij rregull është marrë nga citati i imam Shatibiut i cili thotë: “Ligjet e Sheriatit janë vendosr për të qenë në dobi të njerëzve në Dynja dhe në Ahiret”[1] Imam Shatibiu – gjithashtu – citon: “Rregulli i miratuar nga dijetarët flet se ligjet e sheriatit kanë ardhur për të qenë në dobi të njerëzve. Urdhëresat, ndalesat dhe përzgjedhjet, të gjitha këto janë në dobi të njeriut dhe se Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë aspak për to.”[2] Të njëjtën gjë, ka cituar edhe imam Ibn Kajjim El Xheuzije, i cili ka thënë: “Sheriati është ndërtuar mbi bazën e urtësive dhe dobive për njerëzit në këtë botë dhe në botën tjetër. Të gjitha rregullat dhe ligjet e sheriatit tegojnë për drejtësi, mëshirë, urtësi dhe dobi. Çdo çështje që flet për padrejtësi, ashpërsi, dëm apo kotësi ajo nuk është prej sheriatit edhe nëse dikush – sipas interpretimit të tij – përpiqet që t’ia mveshë atij.”[3]

Shpjegimi i këtij rregulli:

Ky rregull nënkupton se ligjet sheriatike të cilat Allahu i Madhëruar i ka zbritur dhe po ashtu qëllimi që Ai i ka dërguar Profetët, është orientimi i njerëzve tek ajo gjë që atyre u sjell dobi, shpëtim dhe paqe në Dynja dhe Ahiret. Të gjitha rregullat dhe dispozitat fetare synojnë këtë objektiv. Çdo interpretim apo vepër që kundërshton me një formë apo në një formë tjetër këtë objektiv ai nuk është prej sheriatit edhe nëse i mvishet atij.

Dobi për njerëzit konsiderohet çdo gjë që nëse thuhet apo veprohet i sjell dobi njeriut dhe i largon atij një gjë të dëmshme. Eleminimi i një të keqeje apo gjëje të dëshme konsiderohet pjesë e dobisë për njerëzit, gjë të cilës sheriati i kushton mjaft rëndësi.

Dobitë dhe dëmet mund të jenë konkrete e të prekshme si në trup e në pasuri por mund të jenë edhe abstrakte e emocionale si në zemër e në shpirt. Ato mund të jenë afërta si në këtë botë, por mund të jenë edhe të largëta si në botën tjetër. Mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me vetë personin me zotësi juridike apo me të tjerë, ashtu sikurse kanë lidhje të drejtpërdrjetë me individin apo shoqërinë.

Argumentet e këtij rregulli:

Argumentet e këtij rregulli janë të shumta, të shumëllojshme dhe kategorike. Madje nuk e teproj nëse them se të gjitha tekstet dhe dispozitat fetare – gjenerale dhe specifike – dëshmojnë për këtë rregull. Ky rregull konsiderohet “Rregulli themelor” i rregullave të objektivave të sheriatit. Prandaj në këtë kontekst, unë do të fokusohem vetëm në përmendjen e disa ajeteve kuranore që flasin në mënyrë të qartë për këtë rregull:

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”[4]

2 – Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”[5]

3 – Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush që të jeni falenderues.”[6]

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Në adhurimet për të cilat jemi urdhëruar që t’i zbatojmë ka dobi shpirtërore, fizike si në rrafshin individual ashtu dhe në atë social.

2 – Të gjitha moralet e mira – për të cilat jemi urdhëruar që të karakterizohemi me to – pastrojnë zemrën dhe shpirtin. Kurse moralet e këqija – për të cilat jemi urdhëruar që të largohemi prej tyre – janë të dëmshme dhe të ndyra.

3 – Dispozitat fetare që kanë lidhje me transaksionet, zakonet, gjendjen civile..etj janë të ndërtuara mbi bazën e dobive në rrafsh individi dhe social.

4 – Të gjitha gjërat e ndaluara – si padrejtësia, gënjeshtra, përgojimi, thashethemet, pirja e alkolit, bixhozi..etj janë të ndërtuara mbi bazë të eleminimit dhe largimit të së keqes apo dëmit, qofshin ato dëme konkrete apo abstrakte, të tashme apo të ardhme.

Autor: Ahmed Rejsuni

Përshtati: Elton Harxhi

[1] – “Muuafekat” 2/6 i imam Shatibiut.

[2] – “Muuafekat” 1/148 i imam Shatibiut.

[3] – “I’lamul Muuekiine” 3/3 i imam Ibn Kajjmit.

[4] – Sure Enbija: 107.

[5] – Sure Nahl: 90.

[6] – Sure Maide: 6.

/ardhmeriaonline