Rrëzohet një avion i vogël në Filipine, 9 të vdekur

Policia filipinase ka thënë se avioni i vogël me 5 persona në bord ka rënë mbi një shtëpi pak pas nisjes nga kryeqyteti Manila. Në aksident humbën jetën të gjithë personat që ndodheshin në avion dhe 4 të tjerë në tokë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Administratës së Aviacionit Civil të Filipineve, Eric Apolonio ka bërë të ditur se avioni i tipit Piper PA-23 të Lite Air Express, ishte nisur nga aeroporti Plaridel ku ndodheshin 5 persona.

Komandanti policisë në Plaridel, Julio Lizardo, tha se të gjithë 5 personat që ndodheshin në avion kanë vdekur dhe se 4 persona të tjerë humbën jetën nga zjarri që përfshiu shtëpinë mbi të cilën u përplas avioni. Ai shtoi se edhe dy persona të tjerë u plagosën në tokë.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e shtëpisë për të gjetur të paktën edhe një person të zhdukur.

Apolonio tha se avioni i përkiste kompanisë Lite Air Express dhe se të gjitha fluturimet e saj kanë ateruar ndërsa hetuesit përpiqen të përcaktojnë shkaqet e rrëzimit të avionit.