Rritja e brezave të rinj në frymën islame

Rejhan Neziri

Vëllezër të nderuar!

Secili pejgamber i është lutur All-llahut xh. sh. dhe për ideal të vetin e ka pasur rritjen e një brezi i cili do t’i dalë zot trashëgimisë së vet të formuar nga besimet dhe vlerat e së kaluarës, i cili do të pajiset me çdo lloj dije e përvoje që do t’ia përgatisin një të ardhme të mirë, i cili do të mund të qëndrojë në këmbët e veta dhe i cili do t’i bartë për në të ardhmen vlerat e shenjta të cilave u beson. Po i këtillë ka qenë edhe qëndrimi dhe ideali i çdo një njeriu të mençur, i çdo filozofi dhe i çdo qeveritari të matur, pra, rritja e një gjenerate që do t’u dalë zot vlerave të veta, fesë së vet, kulturës së vet, traditave të veta, gjuhës së vet, me një fjalë identitetit (letërnjoftimit) të vet. Të gjitha këto personalitete kanë dashur që këtë të vërtetë ta mbjellin te të rinjtë e tyre, t ’ ua lënë amanet këtë vlerë të shenjtë dhe të vdesin të kënaqur me familjet e me fëmijët apo pasardhësit e vet. Shembullin më të mirë për këtë na e sjell Kur ’ ani fisnik, kur i përshkruan njerëzit (robërit) e mirë të Zotit se si dhe për çfarë ata i luten Atij Zoti: “(E robërit e Zotit janë ata) që thonë: ‘Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me gratë tona dhe pasardhësit tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit!’”,(el-Furkan:74 – ajeti në fillim të hutbes). Pa shikoni sa mirë ka thënë Omeri r.a. lidhur me këtë çështje: “Janë të gjykuar të zhduken popujt që nuk rrisin breza të rinj të cilët do t’u dilnin zot vlerave të veta”. Pra, edhe ideali ynë duhet të jetë ky: Rritja dhe kultivimi i një gjenerate që do të përkushtohet me mish e me shpirt në ruajtjen dhe zhvillimin e fesë, trurit, shkencës, nderit, familjes dhe zemrës së tij.

Si muslimanë që jetojmë në vendet evropiane, jemi dëshmitarë të pajisjeve mendore e intelektuale të njerëzve që i kanë ngritur këto shtete dhe jemi dëshmitarë të mundit dhe përpjekjes së tyre për të ngritur e arsimuar breza të rinj që do ta vazhdojnë të njëjtin trend. Kurse, ne vetë, në vend që të jemi ata që të tjerëve t’ua mësojmë se ç’është shkenca, ç’është progresi, ç’është teknologjia e mbi të gjitha ç’është edukata dhe arsimi, si duket ne nuk jemi në gjendje të marrim shembull as edhe prej njerëzve me të cilët po bashkëjetojmë, me apo pa dëshirën tonë. Ne, me sa duket nuk jemi akoma të vetëdijshëm për vlerën e arsimimit dhe shkollimit të gjeneratave të reja që duhet të na trashëgojnë; nuk jemi të ndërgjegjshëm e të kthjellët të mendojmë se çfarë duhet pasardhësit e fëmijët tanë të përcjellin më tutje në brezat e ardhshëm. Si duket jemi zhytur e po notojmë në dëshirat dhe qejfet tona afatshkurtra, duke mos menduar fare për atë se ç’e pret nesër fëmijën tim: kazma e çekani apo lapsi e kompjuteri? A jemi kah po e kuptojmë se në ç’drejtim lëviz bota?

Prandaj, kësaj jave ka filluar arsimi nëpër të gjitha nivelet e shkollimit, po edhe në mektebin e Xhamisë sonë do të fillojë nesër, insha’all-llah.! Ju porosis që t’u kushtoni kujdes më të madh fëmijëve tuaj si në shkollë ashtu edhe në mekteb, që të mund të bëhemi edhe ne prej atyre njerëzve që e lutnin Zotin për një familje të shëndoshë dhe islame, të përkushtuar ndaj urdhrave e porosive të All-llahut xh.sh.All-llahu na dhëntë të gjitha të mirat dhe na i faltë mëkatet tona, të fshehta qofshin apo të hapura! AMIN!

Nga: Rejhan Neziri