Rritje rekord të rasteve të kollës së mirë në Republikën Çeke, mbi 3,000 të infektuar

Më shumë se 3,000 njerëz janë prekur nga kolla e mirë në Republikën Çeke që nga fillimi i vitit 2024, numri më i lartë i regjistruar që nga vitet 1960, me 810 raste të sëmundjes shumë ngjitëse të frymëmarrjes të raportuara këtë javë, thanë sot zyrtarët shëndetësorë.
Instituti Shtetëror i Shëndetit Publik raportoi në faqen e tij të internetit se 3,084 raste të kollës së mirë ishin regjistruar që nga 1 janari. “Sëmundja prek të gjitha grupmoshat”, nënvizon Instituti, duke sqaruar se kategoria më e prekur janë adoleshentët.

Kryetari i Bashkisë së Pragës, Bochuslav Svoboda, u sëmur nga kolla e mirë, e cila transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe tha këtë javë se ai ishte shëruar nga sëmundja ditët e fundit.

Nga ana e tij, Matias Fosum, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se sëmundja duket se ka arritur kulmin e saj epidemiologjik. “Javët e ardhshme do të na tregojnë se ku jemi në të vërtetë,” shtoi ai.

Drejtoresha e Shëndetësisë Publike Pavlla Svrçinova shpjegoi se adoleshentët janë grupmosha më e prekur, pasi prindërit e tyre nuk i përfillën rekomandimet për t’u dhënë atyre një dozë përforcuese të vaksinës kundër kollës në moshën 10-11 vjeçare.