Rruga e qëlluar

Kur Profeti (a.s) ishte i dërguar me këtë fe, tokat më pjellore dhe më të pasura arabe nuk ishin në duart e arabëve, por në duart e popujve të tjerë.

Tokat e Shamit në veri ishin nën posedimin e Bizantëve të administruara nga udhëheqës arabë të përzgjedhur nga vetë Bizantët. Kurse tokat e Jemenit ishin nën posedimin e Perësëve edhe ato të administruara nga udhëheqës arabë të përzgjedhur nga vetë Persët. Në duart e arabëve ishin vetëm Hixhazi, Tuhame, Nexhdi dhe shkretëtirat shterpë (jo pjellore) ku mund të gjendej edhe ndonjë oaz.

Ndoshta dikush mund të thotë: Muhamedi (a.s), i cili ishte besnik, të cilin kryetarët e Kurejshëve ranë dakord që ai të gjykonte midis tyre për vendosjen e Gurit të Zi dhe ishin razi me vendimin e tij, vendim të cilin e kishte dhënë 15 -të vjet para Revelatës, dhe duke qenë se ai (a.s) ishte një nga njerëzit më autoritativë nga fisi Hashimit – fisi më i nderuar në mesin e Kurejshëve – ai (a.s) ka pasë mundësi që thirrjen e tij ta orientonte për kah orientimi nacionalist duke synuar bashkimin e fiseve arabe, për ta shpëtuar tokën e tyre nga zgjedha e perandorive, Bizantëve në Veri dhe Persëve në Jug. Kështu ai do të mbarte flamurin e nacionalizmit arab duke formuar një unitet kombëtar në të gjitha territoret e Gadishullit Arabik.

E dikush tjetër mund të thotë: Sikur Profeti (a.s) t’i thirrte njerëzit në këtë mënyrë (unitet kombëtar), padyshim që arabët do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij, e jo sikurse ndodhi që ai vuajti për 13-të vjet për shkak të rrugës së vet (thirrjes islame) që binte ndesh me interesat e qarqeve sunduese në Gadishull.

E një tjetër mund të thotë: Pasi arabët t’i përgjigjeshin thirrjes së Muhamedit (a.s), t’ia dorëzonin udhëheqjen, sundimin, pushtetin dhe fama t’i rritej, ai (a.s) do ta kishte shumë të lehtë që ta përhapte monoteizmin për të cilën ishte dërguar. Në këtë mënyrë ai (a.s) do t’i nënshtronte njerëzit para Allahut, duke qenë se ai (a.s) i kishte nënshtruar ndaj pushtetit të tij.

Mirëpo Allahu i Madhëruar me Dijen dhe Urtësinë e Tij, nuk e orientoi Profetin (a.s) drejt këtij orientimi, por e orientoi atë që t’i kundërvihej njerëzve me “La Ilahe il lall llah” duke përballuar të gjitha vuajtjet dhe mundimet e përhapjes së këtij mesazhi, ai (a.s) bashkë me atë pakicë njerëzish që besuan në mesazhin e tij.

Po cila është arsyeja se përse Allahu nuk e orientoi Profetin (a.s) për nga orientimi nacionalist? Arsyeja është shumë e thjeshtë: sepse Ai e dinte që kjo nuk ishte rruga e qëlluar. Pra, nuk ishte qëllimi që toka të shpëtojë nga dora e një zullumqari bizant, pers apo arab. Zullumi është zullum. Toka është e Allahut, e ajo duhet të çlirohet vetëm në emër të Tij, pikërisht kur të valvitet lart flamuri i “La ilahe il lall llah”. Nuk është rruga e duhur ajo që njerëzit të çlirohen nga tirania e bizantit apo persit dhe të bien në duart e një tirani arab. Njerëzit janë robërit e Allahut të Madhëruar dhe ata nuk janë të tillë vetëm se kur lart valvitet flamuri i teuhidit: “La ilahe il lall llah” që nënkupton se nuk ka sundim përveç Atij të Allahut, as ligj përveç Atij që vjen prej Allahut dhe askush nuk guxon të ushtrojë pushtet mbi askënd, sepse pushteti i takon vetëm Allahut. Kombësia që Islami dëshiron t’ju japë njerëzve është kombësua e besimit (akides), para së cilës janë të gjithë të barabartë arabë, bizantë, persë , të çfarëdo lloj kombësie apo race qofshin ato.

Kjo pra është ajo rrugë e qëlluar.