Ballina Artikuj Rruga ka hyrë në shtëpi…

Rruga ka hyrë në shtëpi…

Hoxhë Halil Avdulli

Në të kaluarën, kur për një person thuhej se ishte me sjellje të këqija dhe i pahijshëm, përdorej shprehja “i rritur në rrugë”…
Kjo shprehje nuk nënkuptonte aspak se ai kalonte kohën fizikisht në rrugë, por se nuk kishte marrë edukatë të mjaftueshme në shtëpi, nga familja e tij… përkundrazi, edukimi i tij ishte formuar në mënyrë të tërthortë nga rruga.
Dallimi është se ai që rritet në familje dhe më pas del në realitetin e ashpër të jetës dhe të rrugës (gjë e pashmangshme), do të mësojë edhe gjuhën e rrugës si pjesë e përballjes me jetën. Por edukata familjare do ta bëjë të dijë kur dhe me kë duhet ta përdorë atë. Pikërisht edukata e shtëpisë e rregullon dhe e kontrollon atë që mësohet jashtë, duke e vendosur në një përdorim të pranueshëm shoqëror.
Sot, “rruga” ka hyrë në shtëpi përmes internetit dhe rrjeteve sociale, ashtu siç kanë hyrë edhe dijet, arti dhe kultura.
Por hyrja e rrugës në shtëpi nuk është përballur me një vetëdije të mjaftueshme nga prindërit. Ata shpesh nuk e kuptojnë se fakti që fëmija është fizikisht në shtëpi nuk do të thotë se ai nuk është “në rrugë”. “Imuniteti edukativ”, që më parë merrej në familje, nuk është më aq efektiv, sepse burimi i ndikimit ka ndryshuar rrënjësisht. Rruga dikur ishte e njohur, me të mirat dhe të këqijat e saj, dhe ishte pjesë e një mjedisi lokal që kishte afërsi me kulturën familjare. Prandaj, edukata e shtëpisë mjaftonte për ta vendosur kulturën e rrugës në kufijtë e saj.
Sot, interneti mund ta çojë individin që është në formim jo vetëm në rrugë, por edhe në “rrugë të errëta”, jo vetëm në një qytet, por në fundet më të thella të shumë shoqërive të ndryshme.

Hoxhë Halil Avdulli