Autoritetet në Ruandë kanë mbyllur më shumë se 10,000 kisha ungjillore për mosrespektim të ligjit të vitit 2018, i cili rregullon funksionimin e vendeve të adhurimit. Ligji parasheh rregulla të reja për shëndetin, sigurinë dhe transparencën financiare, si dhe kërkon që predikuesit të kenë trajnim teologjik.
Presidenti Paul Kagame ka qenë i ashpër në kritikat ndaj kishave ungjillore që janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. “Po të varej nga unë, nuk do të rihapja asnjë kishë të vetme,” tha ai muajin e kaluar, duke i akuzuar disa prej tyre për mashtrime dhe abuzime financiare.
Sipas një regjistrimi të vitit 2024, shumica dërrmuese e qytetarëve të Ruandës janë të krishterë, ndërsa mbyllja e kishave ka detyruar shumë besimtarë të udhëtojnë distanca të gjata dhe me kosto për të gjetur vende për lutje.
Ligji i vitit 2018 kërkon që kishat të paraqesin plane vjetore veprimi dhe të tregojnë përputhjen e tyre me “vlerat kombëtare”. Po ashtu, të gjitha donacionet duhet të kalojnë përmes llogarive të regjistruara.
Presidenti Kagame e ka quajtur kishën një trashëgimi të periudhës koloniale, duke theksuar se vendi ende po përballet me pasojat e asaj historie. Megjithatë, disa analistë lidhin masat shtetërore me shqetësime sigurie që burojnë nga përvoja e gjenocidit të vitit 1994.
Sipas Ismael Buchanan, ligjërues i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Ruandës, disa institucione fetare mund të shfrytëzohen për rekrutim nga grupe të armatosura, duke shtuar se megjithëse feja ka luajtur rol shërues pas gjenocidit, nuk ka kuptim që të ketë një kishë çdo dy kilometra në vend të spitaleve dhe shkollave. /mesazhi








