Rubini dhe nata e parë e Ramazanit

Rubini ishte një i ri australian, rrëfimi për të cilin fillon prej kohës kur ai ishte në vitin e parë të studimeve në universitet.

Viti i parë i studimeve ishte një vit me vështirësi dhe fatkeqësi, sepse prindërit e tij divorcohen-një fakt shumë i trishtueshëm për të, pastaj i kishte ngordhur qeni, kishte pësuar dy herë aksidente në komunikacion brenda një jave, si dhe i kishte vdekur shoku i tij i ngushtë. I mjaftuan këto ngjarje që ai të dëshpërohej dhe të rrënohej shpirtërisht, e që si pasojë edhe jeta e tij u bë e pakuptimt, e paqëllimt. I ri, pa përvoja sfiduese jetësore, asnjëhëre i ballafaquar me probleme, sepse ishte rritur me kushte të mira jetësore. Ai asnjëherë nuk e kishte menduar se prindërit e tij mund të divocoheshin, se qeni i tij do të ngordhte, apo se edhe do të mbetej pa mikun e tij më të ngushtë. Në çastin kur nuk i kishte më këto, ai e ndjente veten të rrënuar dhe gjente ngushëllim te alkoholi, duke i përballuar këto fatkeqësi dhe vështirësi në gjendje të dehur. Por, një ditë kur u kthjellua pak dhe e ndjeu veten më esëll, e nisi t`ia shtrojë vetes disa pyetje, si: “Përse jam këtu? Cili është qëllimi i jetës? Përse zgjohem në mëngjes? Përse e mundoj veten për të bërë gjëra të ndryshme?! Përse nuk ulem në kolltuk dhe të shikoj televizor? Përse, përse, përse pa fund???!!! Përse jetoj dhe cila është arsyeja dhe qëllimi që jetoj?!“ Këto ishin disa nga pyetjet, për të cilat ai kërkonte përgjigje. E ku mund t`i gjente ai këto përgjigje?! Ai e filloi kërkimin hyjnor të qëllimit të jetës, sepse ateizmi i tij nuk po i jepte dot përgjigje. Nuk e pati aspak të vështirë që të grumbullonte libra fetarë të të gjitha feve, sepse në Australi të gjitha fetë ishin mjaft të shtrira dhe mund të takonte kudo njërëz të feve a besimeve të ndryshme. Me të vetmit njerëz që nuk kishte pasur komunikim ishin myslimanët, edhe pse ata ishin shoqëri e organizuar, kishin xhami dhe ishin të njohur në mjedisin ku ai jetonte. Por, ai kishte paragjykime dhe se për të Islami dhe myslimanët ishin të huaj, dhe qysh në fillim të “kërkimit hyjnor“ ai e kishte anashkaluar Kuranin dhe myslimanët dhe këtë e kishte marrë si të mirëqenë, sepse ata mjekrrosha nuk janë asgjë më shumë se sa vetëm njerëz që të tmerrojnë. Duke lexuar literaturë fetare të feve të ndryshme dhe duke kontaktuar njerëz të atyre feve, interesimi i tij për jetën dhe gjithçka rreth jetës po shtohej gjithnjë e më shumë. Por, atij nuk i mjaftonin përgjigjet që i gjente në libra, e as te njërëzit të cilët i takonte. Një ditë prej ditëve, duke komunikuar me një mik të tij që ishte ithtar i librit, i tha atij se përgjigjet që po i merrte nuk po i mjaftonin, dhe se ishte në kërkim të një gjëje më të madhe. Miku i tij i tha se nuk mund ta ndihmojë më shumë dhe se nëse deri më tash nuk të kam dhënë përgjigjet e duhura, atëherë, me ironi i tha që “shko te myslimanët, ndoshta ata kanë më shumë për të të dhënë“. U ndie i ofenduar nga miku i tij, dhe ashtu në heshtje u ndanë. Pas një kohe, Rubini e ishte bërë zemërgur dhe kishte vajtur në xhami për ta marrë Kuranin dhe për të biseduar me ndonjë mysliman që do ta takonte aty. Vajti në xhami, pikërisht në kohën kur besimtarët po falnin namaz dhe ai nuk e kuptonte se çfarë po bënin ata ashtu. Ia dhanë Kuranin, foli më një besimtar dhe fluturimthi shkoi në shtëpi. E filloi leximin e Kuranit dhe për çdo ditë e lexonte, ashtu siç i kishte lexuar edhe librat e tjerë. Sipas tij, Kurani ishte libri i fundit që po e lexonte me qëllim të caktuar, dhe nëse as këtu nuk do ta gjente atë që po e kërkonte, atëherë ai ishte i gatshëm që jetën e tij ta jetonte si “ku rafsha mos u vrafsha“. Ai kishte kohë të mjaftueshme për ta lexuar dhe studiuar Kuranin, porositë e urdhërat e tij. Secilën kaptinë dhe secilin ajet e lexonte me kujdes dhe vëmendje. Dhe ashtu duke e lexuar dhe studiuar për muaj të tërë, çuditërisht një ditë u ndje shumë i frymëzuar nga ajo që po e lexonte. Ai e lexonte dhe e studionte Kuranin, frymëzohej nga ai libër, dhe jetonte me të dhe kënaqej me ndjesinë që i jepte Kurani. Tashmë ai ia shtroi vetës një tjetër pyetje: “Çfarë po ndodh me mua kështu?“ E solli veten në një botë që kurrë nuk e kishte dashur e as që e kishte imagjinuar…
Në një mbrëmje të këndshme vere ne Melburn, në një nga mbrëmjet më të bukura të Rubinit, në dhomën e tij ai e kishte ndezur një qiri, i kishte hapur dritaret dhe perdet, dhe po e priste ndjesinë shpirtërore. Ai po e priste një shenjë. Ishte ulur dhe po mendonte se kjo ishte nata, se ky ishte momenti, që pas shqyrtimit të shumë e shumë argumenteve shpirtërore dhe provave shkencore, për mënyrën se si është krijuar njeriu, se si janë krijuar malet etj., i nevojitej edhe shtysa e fundit, për ta bërë hapin e radhës. Duke qenë i ulur në dhomë në atë mbrëmje vere, ai po e lexonte Kuranin dhe po e priste momentin mos ndoshta do të vijë ajo shtysa që do ta shtynte drejt kuptimit të përgjigjes që gjatë kohë po e kërkonte. E po i lutej Të Gjithmëshirmshmit: “O, Zot! E vetmja gjë që tash e dua është një shenjë…një shenjë sado të vogël, asgjë më shumë. Ndoshta një vetëtimë, a të rrëzohet diçka në dhomë, diçka të vogël për Ty, se Ti ke krijuar gjithë këto gjëra…!!!“ Rubini po priste që të ngritej lart flaka e qiririt, ngjajshëm si në filma! Megjithatë, asgjë nuk po ndodhte, as një shenjë, absolutisht asgjë. Për një çast u ndje i zhgënjyer se Zoti nuk po i dërgonte as edhe një shenjë të vetme, as edhe një zog që mund të hynte e dilte nga dhoma e tij, as edhe një krisje në mur. Ashtu i zhgënjyer, ai ishte gati që të tërhiqej a dorëzohej nga kërkimi i së vërtetës dhe se Islami ishte mundësia e fundit. Ende e kishte në dorë Kuranin dhe po e shikonte me dhembshuri, sikur donte t`i thoshte se as ti nuk më ndihmove dot. Ashtu duke e pasur në dorë Famëlartin, e hapi edhe një herë sikur donte të përshëndetej me të, duke ia lexuar edhe disa ajete për të fundit herë. Mirëpo, sapo e hapi Kuranin u ndesh me këto ajete:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt“
Kuran. El Bekare, 164
Sigurisht që këtë ajet ai e kishte lexuar edhe më herët gjatë lëximit të Kuranit, por këtë herë ai e lexoi dhe e kuptoi ndryshe nga hera e kaluar. Pas leximit të këtij ajeti ai e mbuloi kokën me batanije, u ndje i frikësuar dhe i turpëruar duke ia kujtuar vetes se sa arrogant kishte qenë në kërkimin e shenjave, kur të gjitha shenjat gjatë gjithë kohës ishin me të, porse atij i duhej vetëm meditim dhe udhëzim i drejtë. Ai ishte i vetëdijshëm se tashmë gjendet para aktit të kryer, se gjendej në fund të rrugës, ku nuk kishte më shenja për të ndjekur, porse duhej që jeta e tij të bazohet në qëllimin e vërtetë dhe në arsyen e vërtetë të të jetuarit…
Ditën e nesërme Rubini kishte vendosur të bëhej mysliman. Ai nuk e kishte idenë se çfarë duhet të bënte më tutje për tu bërë mysliman dhe shih për këtë, ai kishte vendosur që të shkojë në xhami. Në mbrëmje ai u pastrua dhe ishte gati për të shkuar në xhami. Kur hyri në xhami, ai u habit kur e pa xhaminë të mbushur plot me njerëz. Ishte nata e parë e Ramazanit dhe ai nuk e dinte këtë. Personit më të afërt i tha se kishte ardhur për tu bërë mysliman dhe e pyeti se çfarë duhet të bënte. Imami i xhamisë u njoftua dhe e ftuan Rubinin që të ngritej në këmbë dhe ta shqiptonte shehadetin. Së pari imami e shqiptoi shehadetin dhe i tha Rubinit që ta përsëriste. Por, Rubini ishte në siklet me theksimin e shehadetit sepse ishte në arabisht dhe se të gjithë të pranishmit po e shikonin atë. Mirëpo, kur filloi ta shqiptojë shehadetin, i gjithë sikleti dhe e gjithë frika iu largua, e seç ndjeu një freski dhe lehtësi shpirtërore të cilën kurrë më parë nuk e kishte përjetuar.
Nata e parë e Ramazanit për Rubinin ishte edhe natë e parë kur ai hyri në Islam. Hyrja në Islam për të ishte një rilindje e vërtet, por tashmë me qëllim të ditur jetësor…
Ramazani është muaji i agjërimit. E agjërimi, pos tjerash, është edhe ripërtrirje dhe ringjallje e tipareve pozitive të besimtarit, e natyrshmërisë së njëriut, e karakterit dhe personalitetit të tij, është bojkotim i padiskutueshëm i veseve të liga.
Le të hyjmë në Ramazan me agjërim dhe le të qëndrojmë agjërueshëm për 30 ditë.
Agjëroni, “me qëllim që të bëheni të devotshëm“, e që Rejani të rrijë i hapur.
E, nëse nuk mundeni të agjëroni, atëherë kompenzoni ditët e agjërimit duke i ushqyer skamnorët.
Musa Limani