Ballina Artikuj Qerbelaja e Imam Husejnit (Allahu qoftë i kënaqur me të)

Qerbelaja e Imam Husejnit (Allahu qoftë i kënaqur me të)

* Ne pikëllohemi për vrasjen e Husejnit (r.a.), sepse ai ishte ndër njerëzit më të pastër dhe më të dashur për të Dërguarin e Allahut ﷺ.
* Qëndrimi dhe lëvizja e tij ishin të drejta, pasi ai kundërshtoi shndërrimin e pushtetit në trashëgimi familjare dhe mbrojti të drejtën e muslimanëve për të zgjedhur udhëheqësin e tyre.
* E drejta ishte në anën e tij, sepse ai nuk u rebelua kundër një sundimtari të zgjedhur me pajtimin e umetit, por u paraqit si një kandidat përballë një pushteti autoritar që nuk kishte ardhur përmes zgjedhjes së lirë të njerëzve.
* Ngjarja e Qerbelasë nuk duhet të jetë shkak për ndarje mes muslimanëve. E vërteta është e qartë: Husejni (r.a.) ishte në të drejtën e tij dhe padrejtësia që iu bë atij është po aq e qartë.
* Të gjithë ata që morën pjesë në vrasjen e tij, e urdhëruan atë ose e mbështetën në çfarëdo mënyre, mbajnë përgjegjësi për këtë krim të rëndë.
* Dashuria dhe besnikëria ndaj Familjes së Profetit ﷺ nuk janë monopol i askujt; ato janë pasuri e përbashkët e të gjithë muslimanëve. Çdo musliman duhet t’i dojë dhe t’i respektojë ata. Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: Unë nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveç dashurisë ndaj të afërmve.” (Esh-Shura, 23)
* Është paradoksale që disa pretendojnë dashuri për Husejnin (r.a.) dhe Familjen e Profetit ﷺ, ndërsa në të njëjtën kohë mbështesin padrejtësinë dhe shtypjen që ushtrohet ndaj popujve të tyre.
* Ritualet e përgjakshme që zhvillohen në emër të përkujtimit të Qerbelasë duhet të refuzohen, sepse ato nuk kanë bazë në Islam dhe nuk përfaqësojnë mesazhin e Husejnit (r.a.).
* Gjithashtu duhet të refuzohet çdo lloj teprimi në shenjtërimin e Husejnit (r.a.) dhe të Familjes së Profetit ﷺ, sepse Islami nuk i atribuon pagabueshmëri askujt përveç profetëve, të cilët Allahu i ka mbrojtur nga gabimet në përcjelljen e shpalljes.

Hoxhë Halil Avdulli